Presidentja e fali Shefije Jakupin nga Zajasi, e cila e vrau burrin që e dhunonte dhe vuajti 17 vjet burg
Pas më shumë se 17 vitesh të kaluara në burg, presidentja e shtetit e ka falur Shefije Jakupin nga Zajasi, e cila vrau bashkëshortin e saj që e keqtrajtonte, transmeton Portalb.mk.
Jakupi, 71-vjeçare nga fshati Zajas i Kërçovës, është falur nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, kështu që dënimi i saj është ulur për 1 vit e 6 muaj. Ajo ishte dënuar me 20 vjet burg, që do të thotë se së shpejti pritet të lirohet.
Historia e jetës së kësaj gruaje është e trishtë dhe e errët. Siç raporton Fokus, kur ishte 18 vjeçe, e martuan me mblesëri me Abazin, i cili ishte 24 vjeç.
Të dy ishin parë për herë të parë në dasmën e tyre, ndërsa pak kohë më vonë u larguan për të jetuar në Gjermani. Por, në vend që të jetonin ëndrrën gjermane, fati i tyre më shumë i ngjante një skenari filmi.
Sipas rrëfimit të saj, bashkëshorti e keqtrajtonte dhe e rrihte, e mbyllte në dhomë dhe nuk i jepte as një copë bukë.
Një ditë, pas 34 vitesh martesë, gjatë një zënke dhe përleshjeje në shtëpi, Shefija mori një sëpatë dhe e vrau Abazin. Pasi u sigurua se ai nuk merrte më frymë, ajo e copëtoi trupin e tij me një prerëse elektrike për bukë. Pjesën më të madhe të mbetjeve të trupit e futi në një qese të zezë dhe e hodhi në kontejner.
Trupi i Abazit nuk u gjet kurrë, pasi përfundoi në makinën e mbeturinave. Dëshmi për ngjarjen e rëndë ishin vetëm mbetjet që ajo kishte hedhur në tualet, duke bllokuar kanalizimin në një ndërtesë në qytetin gjerman të Dyseldorfit.
Pas vrasjes, gruaja u kthye në Kërçovë, ndërsa policia e gjeti në spitalin psikiatrik në Demir Hisar.