Disa persona janë thirrur në polici për pretendimet e ndotjes së ujit në Shkup

Disa persona janë thirrur në polici për të dhënë deklaratë informative lidhur me pretendimet se uji në Shkup është i pasigurt dhe i kontaminuar me bakterin Escherichia coli. Këtë e deklaroi mbrëmë në një intervistë për televizionin Sitel ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski, duke iu referuar informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.

Sa i përket përhapjes së dezinformatave për cilësinë e ujit në Shkup, ai tha se duhet të ketë përgjegjësi.

“Sa jam i informuar, Ministria e Punëve të Brendshme ka thirrur disa persona për bisedë informative. Sipas meje, duhet të ketë përgjegjësi për atë që ndodhi. Nuk mund të shpërndahen kështu informacione të këtij lloji dhe të shkaktohet histeri dhe panik masiv te qytetarët“, deklaroi Mucunski.

Sektori për Krim Kompjuterik i Ministrisë së Punëve të Brendshme po ndërmerr masa dhe aktivitetet përkatëse.

“Po identifikohen profilet e personave dhe ata po thirren për bisedë informative. Pas përfundimit të veprimeve hetimore, do ta informojmë opinionin”, informuan nga MPB.

Kujtojmë se dje Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka hapur lëndë për të verifikuar informacionet për ndotje masive të natyrës me mbetje në zonën e mbrojtur pranë burimeve të Rashçes, nga ku Shkupi furnizohet me ujë. Nga Prokuroria informuan se prokurori publik kompetent do të koordinojë aktivitetet e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor dhe shërbimeve kompetente të inspektimit, me qëllim kryerjen e kontrolleve lidhur me origjinën e deponisë, si dhe pasojat e mundshme.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi“ – Shkup, Ivan Mitrovski, për tha se uji në Shkup është teknikisht i rregullt, nuk ka nevojë për panik, pasi që nga mëngjesi mes qytetarëve është përhapur panik dhe shqetësim se në ujësjellësin e qytetit është zbuluar bakteria Escherichia coli.

Me konferencë për shtyp doli edhe kreu i Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski i cili tha se në ujin e Shkupit nuk ka Escherichia coli. Ai tha se mesazhet që u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale, me dezinformata për kontaminimin e pretenduar të ujit, janë dezinformata, duke drejtuar gishtin nga LSDM-ja.

Për ndotjen në Rashçe, dje alarmoi edhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) opozitare e cila paralajmëroi se në afërsi të burimit të Rashçes po krijohet deponi ilegale dhe kërkoi reagim urgjent nga institucionet kompetente, duke pretenduar se gjendja mund të paraqesë rrezik për burimin nga i cili furnizohet Shkupi me ujë.

Kujtojmë se Rashçja është burimi kryesor i sistemit të ujësjellësit të Shkupit. Sipas të dhënave zyrtare të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, nevojat për ujë të Shkupit pothuajse tërësisht sigurohen nga kaptazhat Rashçe 1 dhe Rashçe 2, ndërsa puset Nerez dhe Lepenc përdoren si burime shtesë gjatë periudhave me konsum të shtuar.

Nga ndërmarrja kanë thënë se cilësia e ujit nga Rashçja monitorohet vazhdimisht dhe se, sipas karakteristikave të tij fizike, kimike dhe bakteriologjike, uji nuk kërkon trajtim shtesë, përveç dezinfektimit preventiv me klor.

Ndryshe, ujërat nëntokësore në afërsi të deponisë së Jugohromit janë të ndotura deri në 100.000 herë më shumë sesa vlerat e lejuara të kromit gjashtëvalent, tregon studimi i përgatitur nga GIM për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë pikë të nxehtë industriale në vend. Mbi 7300 ton nga kjo mbeturinë jashtëzakonisht kancerogjene, e cila ruhet vetëm një kilometër nga fshati Jegunovc, kërcënojnë të ndotin përgjithmonë burimin e Rashçes dhe ta lënë Shkupin pa ujë të pijshëm të pastër. Mbeturinat industriale, të hedhura për dekada në një sipërfaqe prej 7.5 hektarësh, janë të tretshme në ujë, por pavarësisht kësaj, ato ende qëndrojnë të pasiguruara.