Asnjë lopatë në terren për parkun memorial për viktimat e spitalit modular në Tetovë, zvarritet procesi
Parku memorial për 14 viktimat e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës vazhdon të mbetet vetëm një tabelë informuese. Pavarësisht se para shtatë muajve, pak para zgjedhjeve lokale, funksionarët qeveritarë dhe deputetët e zonës gjashtë me shumë pompozitet u mblodhën në Tetovë për të shënuar fillimin e këtyre aktiviteteve, punimet në terren nuk kanë filluar ende, shkruan Portalb.mk.
Hapsira ku duhet të ndërtohet ky park, mbetet e pandryshuar, me muaj aty nuk ka pasur asnjë punim në drejtim të krijimit të parkut.
Portalb.mk e pyeti ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliun se pse ende nuk kanë filluar punimet, por ai përgjegjësinë ia hodhi Komunës së Tetovës,
“Administrata e Tetovës besoj se i ka përfunduar ose është në përfundim të procedurës në nivel të komunës, presim të na japin leje që të vazhdohet me proceduat lokale dhe të implementohet projekti, është gati në aspekt të arkitekturës, tash do duhet që i njëjti dhe të implementohet, pra jemi në procedurë”, tha Aliu.
Portalb.mk kërkoi sqarime nga Komuna e Tetovës se kur do japin leje, por deri në publikimin e tekstit nuk morëm përgjigje, komuna pritet të prononcohet brenda ditës.
Nga Nisma Zero, të cilët fillimisht e propozuan krijimin e këtij parku, kanë thënë se neglizhenca institucionale që ka qenë prezente që nga dita e tragjedisë, vazhdon të manifestohet edhe sot.
Parku memorial nuk do të ndërtohet në vendin ku ishte objekti i spitalit modular, por pak më poshtë.
- LEXO: Ceremoni para kamerave, zvarritje pas zgjedhjeve: Harrohet parku memorial për viktimat e Spitalit Modular në Tetovë
- LEXO: Dy javë pas promovimit pompoz, asnjë lopatë në terren për parkun memorial për viktimat e zjarrit të modularit
- LEXO: Qeveria dhe Kuvendi në Tetovë për nisjen e parkut për viktimat e spitalit modular, nisma Zero: Sfilatë para zgjedhjeve
Kujtojmë që në qershor 2025 Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular dorëzuan në Komunën e Tetovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë kërkesë ku propozuan që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik.
Hapsira ku ishte spitali modular u shndërrua në parking, ku ende ka disa vetura të vjetra.
Kujtojmë që në nëntor të vitit 2022 drejtori i atëhershëm i Spitalit të Tetovës Amir Elezi paralajmëroi se në këtë në vendin ku ndodhej objekti i spitalit modular, parashihej të vendosej pllakatë përkujtimore për viktimat e tragjedisë. Mirëpo kjo pllakatë nuk u vendos asnjëherë.
Me 8 shtator 2021 në Spitalin Modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.
Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.
Deri tani ka pasur dy procese gjyqësore për këtë rast, por të akuzuarit nuk u thirrën në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Në ndërkohë, pavarësisht se kanë kaluar mbi dy vjet që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, ende nuk ka vendim.
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.
Pasi fajtorët e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës nuk u sollën para drejtësisë dhe nuk pati proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit, Ibin Emshi i cili humbi babain dhe vëllaun e tij, ka bërë denoncim për vrasje në Itali kundër RMV-së dhe pret që rasti të hetohet ndërkombtarisht dhe të arrijë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.