Prej vitit 2019 kemi konstatuar konflikt interesi te Angjushevi, por Qeveria nuk e shkarkoi, sqaroi Ivanovska

Çdo ndihmë nga institucionet ndërkombëtare, nga shtetet mike, veçanërisht SHBA-ja, që janë partner strategjik, është e mirëseardhur dhe pres që institucionet vendore dhe ndërkombëtare në vazhdim të marrin të gjitha masat e nevojshme sipas treguesve, deklaroi zëvendëskryeministrja Sllavica Grkovska, në lidhje me futjen e ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev në listën e zezë amerikane, transmeton Portalb.mk.

“Kemi propozuar në Qeveri, dhe tashmë ka kaluar, propozimi për ndryshimin e Ligjit për masa restriktive, ashtu që përveç sanksioneve nga BE-ja dhe OKB, do të përfshihen edhe sanksionet nga SHBA-ja dhe kjo do të jetë vlerë e shtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Grkovska në Forumin e Hapur për Antikorrupsion.

Kryetarja e Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, deklaroi se nga Qeveria kishin kërkuar shkarkimin e Angjushevit prej vitit 2019, kur u konfirmua konflikti i interesit, pasi ai mori pjesë në shqyrtimin dhe miratimin e qeverisë përuljen e taksës doganore për importin e baterive të litiumit, edhe pse kompania e tij ishte e angazhuar me importin e baterive të litiumit.

“Ne kemi dërguar në Qeveri nismën për shkarkimin e tij, por Qeveria na njoftoi që ajo nuk është konflikt interesi, dhe ai vazhdoi të jetë pjesë e qeverisë teknike”, deklaroi Ivanovska.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ia kanë ndaluar hyrjen në shtet të zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Koço Angjushev pasi që sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit Amerikan është i përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm.

Angjushev ishte zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, prej qershorit të vitit 2017-të deri më 3 janar të vitit 2020, gjegjësisht për dy vjet e gjysmë, derisa kryeministër ishte Zoran Zaev.

Firma e tij, “Brako” së fundmi ishte në qendër të kritikave pasi që Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) riaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura si dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular nga ana e kompanisë së Koço Angjushevit, “Brako“, për të cilat ishte i njoftuar edhe ish ministri i Shëndetësisë – Venko Filipçe. Aty zbulohen hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë në krye me prokurorin Lubomir Joveskin duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Në muajin nëntor, zëvendësja e kryetarit të Qeverisë përgjegjëse për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska, paralajmëroi se ka ngritur nismë në Qeveri që të fillohet me ndryshime ligjore të cilat do të pamundësojnë që personat të cilët janë në listën e sanksioneve të SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara të jenë në ndonjë pozitë ose të punësohen në administratë.