Prej sot në RMV fillon paraqitja për vaksinim falas kundër gripit sezonal për grupet e rrezikuara
Prej sot fillon paraqitja për vaksinim falas kundër gripit sezonal për grupet e rrezikuara, thonë nga Ministria e Shëndetësisë, tramsmeton Portalb.mk.
Kategoritë e rrezikuara të popullsisë, mund të paraqiten duke plotësuar aplikacionin në faqen vakcinacija.mk në këtë link: https://vakcinacija.mk/mk/registration-flu ose përmes mjekut amë.
Me vaksinimin falas përfshihen këto kategori të rrezikuara të popullsisë: personat e moshuar mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës prej 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet për kujdes social të të moshuarve dhe të punësuarit në këto institucione.
“Interesimi i qytetarëve për vaksinim falas kundër gripit sezonal çdo vit është gjithnjë e më i madh, gjë që tregon ndërgjegjësim të shtuar për rëndësinë e mbrojtjes nga gripi, dhe njëherit e konfirmon rëndësinë dhe nevojën për këtë masë parandaluese. I ftoj qytetarët, e sidomos personat që bëjnë pjesë në kategoritë e rrezikuara, që me kohë ta mbrojnë shëndetin e tyre. Ministria këtë vit ka siguruar numrin më të madh ndonjëherë të vaksinave kundër gripit sezonal – 80.000 doza të vaksinës katërvalente nga prodhuesi i njohur ‘Abot’ nga Holanda”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ministria e Shëndetësisë ditë më parë, informon se është nënshkruar kontrata për furnizimin me 80.000 vaksina kundër gripit sezonal.