Vikend-shtëpiza e profesorit Murseli në Kodrën e Diellit mbi themele të huaja

Në vitet ‘80 të shekullit të kaluar kushdo që donte të ndërtonte një vikend-shtëpizë në Kodrën e Diellit duhej të shlyente detyrime të caktuara ndaj shtetit. Paguhej për rregullimin e infrastrukturës dhe një kontribut për ndërtimin e një vikend-shtëpize. Shteti i atëhershëm socialist u shiste parcela qytetarëve të interesuar për të ndërtuar vikend-shtëpiza në shpatet me diell të Malit Sharr, shkruan IRL, transmeton Portalb.mk.

Dokumentet e reja cilat i siguroi Laboratori i Gazetarisë Investigative (IRL) tregojnë se pikërisht kah fundi i viteve ‘80 një person tjetër ka blerë parcelë dhe i ka shlyer detyrimet për shërbimet komunale për ndërtimin e një shtëpie në vendin ku tani ndodhet vikend-shtëpiza e legalizuar e ndërtuar në mënyrë të paligjshme e profesorit të shquar në Universitetin Shtetëror të Tetovës (UShT) Faton Murseli. Policia dhe Prokuroria Themelore Publike (PThP) tashmë po zhvillojnë një proces në lidhje me këtë rast.

Në mars të këtij viti IRL e publikoi storien për atë se si Muamet Bejtullahi (61), i cili pretendon se është pronar i parcelës, ka hedhur themele për një vikend-shtëpizë, por nuk e ka përfunduar kurrë ndërtimin e saj sepse është shpërngulur nga vendi.

Bejtullahi ka lindur në fshatin Çellopek të Tetovës, por për dekada të tëra jeton në Vojvodinë (Serbi). Vitin e kaluar në stacionin policor në Tetovë ai ka denoncuar se dikush ia kishte uzurpuar parcelën dhe në të po ndërtonte një shtëpi.

“Këtë verë Muameti gjeti dokumente dhe fotografi të vjetra nga e kaluara. Ai gjithashtu arriti të gjente edhe fletëpagesa… Me këto prova ai tregon se parcela e tokës është e tija dhe se ai i ka shlyer detyrimet e tij ndaj shtetit”, shpjegoi Goran Ilievi, avokati i Bejtullahit.

IRL zbuloi se në parcelën në fjalë dy vjet më parë ilegalisht ishte ndërtuar një shtëpi e re. Administrata komunale në Tetovë e kishte legalizuar atë përmes një raporti gjeodezik të falsifikuar dhe një deklarate të rreme për legalizim të kërkuesit në të cilën thuhej se në atë vend ka pasur shtëpi para vitit 2011.

Rasti i ndërtimit të paligjshëm të legalizuar në Kodrën e Diellit zbulon se si mund të jenë legalizuar me mijëra ndërtime të sapo ndërtuara në mbarë Maqedoninë me një raport gjeodezik të paligjshëm dhe një deklarate të rreme, duke e keqpërdorur Ligjin për Veprim me Objektet e Ndërtuara pa Leje. Në një podcast të IRL-së Nevena Georgievska nga shoqata “02 Iniciativa” vlerësoi se për këtë arsye nevojitet një revizion i plotë i procesit të legalizimit që filloi në vitin 2011 dhe që do të zgjasë deri në pranverën e vitit 2026.

Që një procedurë legalizimi të kryhet në përputhje me Ligjin, aplikantët duhej të dorëzonin prova (fatura të energjisë elektrike, ujit, etj.) ose një deklaratë të noterizuar ku thuhej se në një vend të caktuar kanë pasur një objekt të paligjshëm funksional të ndërtuar para vitit 2011.

Por në vend të Bejtullahit në bllokun G në lagjen e vikend-shtëpizave tani shtëpi posedon profesor Murseli.

“Muamet Bejtullahi e kërkon atë që i përket atij. T’i kthehet ajo që e ka pasur, domethënë themelet e ndërtuara deri në pllakën e parë. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse shtëpia aktuale shembet”, thotë avokati Iliev.

Fletëpagesa nga viti 1987 dhe 1989

Siç publikoi IRL-ja në hulumtimin e saj të parë gjithçka ka filluar në vitin 1987 kur Muamet Bejtullahi ka blerë një parcelë shtetërore për një vikend-shtëpizë në Kodrën e Diellit. Një kompani nga Tetova i ka përgatitur një projekt ndërtimi, por ai nuk arriti ta ndërtojë kurrë atë sepse Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ) u shpërbë dhe më pas pasuan vite lufte dhe tranzicioni.

Por tre dekada më vonë në fund të muajit gusht të vitit 2024, gjatë qëndrimit të tij në vend, Muameti vuri re se dikush tjetër po ndërtonte një shtëpi në parcelën e tij dhe këtë gjë ai e paraqiti në policinë e Tetovës.

Për më shumë se një vit ai po zhvillon një betejë ligjore përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë për të vërtetuar se objekti i ndërtuar ilegalisht dhe tashmë i legalizuar që tani i përket profesorit universitar Murseli është ndërtuar duke e uzurpuar parcelën e tij.

Në provat që avokati i tij ia ka dorëzuar këto ditë Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë ka edhe disa dokumente nga koha e RSFJ-së. Me ndihmën e tyre Bejtullahi dëshiron të vërtetojë se ai tashmë i ka paguar taksat komunale për ndërtimin e vikend-shtëpizës në këtë parcelë, si dhe i ka shlyer detyrimet për infrastrukturën e Kodrës së Diellit.

Bëhet fjalë për një fletëpagesë nga viti 1987 me të cilën Muamet Bejtullahi ka paguar 214.240 dinarë në atë kohë si kontribut komunal për – siç është shënuar – ndërtimin e një vikend-shtëpize, përgatitjen e protokollit, çertifikatë dhe shënimin e vendit.

Përveç kësaj, pranë Prokurorisë është dorëzuar edhe një fletëpagesë nga po i njëjti vit nga e cila mund të shihet se Bejtullahi ka paguar 50.000 dinarë për asfaltimin e rrugëve të Kodrës së Diellit, si dhe një fletëpagesë nga viti 1989 në shumë prej 150.000 dinarë për ndërtimin e ndriçimit në lagjen e vikend-shtëpizave.

Do të kryhet ekspertizë për të vërtetuar se kur është ndërtuar shtëpia e profesorit Murseli

Ka kaluar më shumë se gjysmë viti që kur IRL e publikoi storien e parë lidhur me këtë rast. Nga PThP thonë se po mbledhin informacion, ndërsa gjatë kësaj periudhe do të urdhërojnë edhe kryerjen e një ekspertize të shtëpisë së profesorit universitar Faton Murseli për të përcaktuar saktësisht se kur është ndërtuar ajo.

“Prokuroria po ndërmerr veprime, që do të thotë se tashmë janë marrë në pyetje disa dëshmitarë, e do të merren në pyetje edhe të tjerë. Do të urdhërohet edhe një ekspertizë e materialeve të përdorura në shtëpinë që ekziston aktualisht në këtë parcelë për të përcaktuar saktësisht se sa e vjetër është. Më pas do të pasojnë veprime të tjera ligjore”, thanë nga Prokuroria Publike.

Nga MPB informuan se SPB Tetovë i ka dorëzuar Prokurorisë parashtresë për rastin dhe se aty përmenden të gjithë personat e përfshirë në veprën penale, të cilën policia po e heton si “arbitrarizëm”.

Por avokati i Muamet Bejtullahit dyshon se në Policinë e Tetovës ka një tendencë për ta ridrejtuar qëllimisht hetimin drejt veprës “arbitrarizëm”, që ndiqet me padi private dhe për të cilën ka dënime më të buta.

Për dallim nga kjo veprat potenciale penale si “uzurpimi”, “keqpërdorimi i pozitës zyrtare” ose “ndërtimi i paligjshëm” shteti duhet t’i ndjekë penalisht sipas detyrës zyrtare dhe për to shqiptohen dënime më të rënda për autorët.

“Prandaj dorëzuam një kërkesë për kontroll të brendshëm në MPB sepse besojmë se dikush në policinë e Tetovës po mbron dikë”, tha avokati Goran Iliev.

Në ndërkohë për shkak të parregullsive gjatë mbikëqyrjes së ndërtimit të paligjshëm në Kodrën e Diellit në Komunën e Tetovës u iniciua procedurë disiplinore kundër kryeinspektorit komunal të ndërtimit, Gzim Ganiu.

Ganiu përgatiti disa raporte të ndryshme nga mbikëqyrja inspektuese e ndërtimit të paligjshëm pasi IRL-ja bazuar në Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik kërkoi një kopje të raportit nga mbikëqyrja e kryer. Në dokument vumë re edhe se profesori Faton Murseli nuk është paraqitur fare në inspektim ditën kur ka qenë i thirrur.

Megjithatë, procedura për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore të Inspektorit Ganiu është ndërprerë për shkak të zgjedhjeve lokale, raundi i parë i të cilave është planifikuar të mbahet më 19 tetor.

“Procedura do të vazhdojë pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe pas krijimit të kushteve për funksionimin e pandërprerë të Komisionit Disiplinor”, ​​njoftuan nga Komuna e Tetovës.

Përndryshe, pas publikimit të stories, në muajin maj Ganiu u transferua përkohësisht nga pozicioni i tij si udhëheqës i mbikëqyrjes inspektoriale dhe u emërua për udhëheqës të Departamentit të mjedisit jetësor. Por, pas ankesës së dorëzuar nga ana e tij dhe me vendim të kryetarit të komunës, Bilall Kasami, ai u rikthye në vendin e vjetër të punës.

Kompania gjeodezike mbeti pa licencë

Përveç parregullsive në inspektimin ndërtimor komunal të kryer për objektin e paligjshëm në Kodrën e Diellit IRL zbuloi se procesi për legalizimin e objektit të sapo ndërtuar ishte kryer me raport gjeodezik të paligjshëm të përgatitur nga kompania gjeodezike e Tetovës “Geopollog” të cilin e kishte nënshkruar menaxheri i saj Ajdin Nuredini.

Disa muaj më vonë Agjencia e Kadastrës ua mori licencat për punë “Geopollog”-ut dhe Nuredinit, ndërsa vendimet për heqjen e autorizimeve i referohen një rasti tjetër. Megjithatë, nga Kadastra për IRL konfirmuan se edhe në procedurën për legalizimin e shtëpisë në Kodrën e Diellit ka pasur parregullsi serioze.

Në elaboratin e dorëzuar nga “Geopollog”-u mungonte data dhe ora e nënshkrimit digjital të Nuredinit. Sipas pretendimeve të kompanisë gjeodezike dokumenti ishte përgatitur në vitin 2017, por Kadastra konstatoi se nënshkrimi elektronik i Nuredinit nuk ishte i vlefshëm dhe se në ditën kur ata pretendojnë se kanë bërë matje në ndërtimin e paligjshëm në Kodrën e Diellit, ata në të vërtetë kanë bërë matje në qytetin e Tetovës.

IRL zbuloi se profesori i UShT-së, Faton Murseli, në vitin 2024 vikend-shtëpizën moderne e fitoi si dhuratë. Atij ia dha një i afërmi i tij (Sali Iseni), përmes të cilit në fakt u zhvillua procedura e legalizimit dhe i cili gjatë këtij procesi dorëzoi një deklaratë ku thuhej se shtëpia ishte ndërtuar para vitit 2011.

Por sipas videove dhe imazheve satelitore të siguruara nga IRL, në atë vend nuk ka pasur shtëpi deri në vitin 2024, por kanë qenë vetëm themelet që Muamet Bejtullahi thotë se i ka ndërtuar në fund të viteve ‘80.

Gjatë hulumtimit në disa raste IRL i ofroi Murselit mundësinë që ta deklaronte qëndrimin e tij para kameras dhe me shkrim lidhur me këtë rast, por ai nuk pranoi. Në vend të kësaj ai kërcënoi se nëse IRL publikon storje me emrin e tij, ai do të ngrinte padi penale.