Prej sot certifikata për nënshtetësi mund të merret edhe në formë elektronike
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut prej sot mund të marrin certifikatë për nënshtetësi në formë elektronike në e-mail adresë dhe telefon celular. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sqaroi se kërkesat për certifikatë për nënshtetësi mund të dorëzohen në formë elektronike, në emër personal ose për çdo fëmijë të mitur, ndërkaq shërbimi është i qasshëm në ueb-faqen uslugi.gov.mk, në dokumente personale, dokumente dhe nënshtetësi.
“Kërkesë mund dorëzojë personi i cili ka nënshtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është i regjistruar në portalin për e-shërbime, nëpërmjet Sistemit të Vetëm Hyrës, gjegjësisht Portalit nacional për shërbime elektronike, në pajtueshmëri me dispozitat nga fushat e menaxhimit elektronik dhe shërbimet elektronike dhe nga fusha e dokumenteve elektronike, identifikimit elektronik dhe shërbimeve konfidenciale”, tha Spasovski.
Çmimi i certifikatës kushton 150 denarë, gjegjësisht 100 për taksë administrative dhe 50 për formular, ndërkaq i njëjti mund të paguhet në formë elektronike në momentin e dorëzimit të kërkesës për certifikatë për nënshtetësi në formë elektronike.
Ai shtoi se mënyra e deritanishme e lëshimit të certifikatës për nënshtetësi në formë të letrës do të vazhdojë të funksionojë.
Përndryshe, sot ministri i Shoqërisë Informatike Azir Aliu së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski vizituan hapësirat e “Një Pikë Shërbimi-Shkup“, ku promovuan për qytetarët e vendit dhënien e certifikatës së shtetësisë edhe në formë elektronike.
“Transformimi digjital i cili po ndryshon rrënjësisht marrëdhëniet e shtetit me qytetarët, duke hedhur bazat e një sistemi të sigurt antikorrupsioni në shërbimet e ofruara është prioriteti ynë si qeveri. E ardhmja e shërbimeve publike është digjitalizimi i plotë dhe ndryshimi i marrëdhënies mes administratës dhe qytetarëve. Në këtë mënyrë luftohet korrupsioni dhe u jepet fund radhëve për marrjen e një dokumenti shtetëror”, tha Aziri.