Mbrëmë, rreth tre orë pas mesnate, në lagjen Karposh të Shkupit është djegur një automjet i markës “Passat”, në pronësi të personit me inicialet Gj. R., njoftojnë sot nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
Jozyrtarisht, siç raportojnë disa media, automjeti është në pronësi të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Gjoko Ristov, ndaj të cilit Prokuroria ka ngritur akuza për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, pasi në murin e kuzhinës në shtëpinë familjare të prindërve të tij janë gjetur 350 mijë euro të mbështjella me folie alumini.
Në njoftimin zyrtar të MPB-së për rastin thuhet:
“Me datë 13.07.2026, rreth orës 02:50, në SPB Shkup është raportuar se në Shkup, në territorin e Karposhit, është djegur një automjet pasagjerësh ‘Passat’ me targa të Shkupit, në pronësi të Gj. R.
Nga zjarri janë dëmtuar edhe një automjet pasagjerësh ‘Volkswagen Touran’, në pronësi të D. M., një automjet pasagjerësh ‘SsangYong’, në pronësi të S. S., si dhe një objekt afarist në pronësi të G. L.
Zjarri është shuar nga ekipet e Brigadës e Zjarrfikësve të Shkupit.”
Nga Ministria e Punëve të Brendshme shtojnë se aktualisht po kryhet inspektimi në vendin e ngjarjes.
Ndryshe, rasti i Gjoko Ristov, u bë i ditur kur avokati Fehmi Stafa, u kap duke marrë ryshfet 20.000 euro nga 100.000 euro të dakorduara për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit të caktuar ndaj Lupço Pecovit.
Gjoko Ristov, në shkurt 2020 u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit për çështje penale. Në deklaratën e pasurisë personale kishte deklaruar apartament prej 70 metrash katrorë në Shkup, një automjet “Volkswagen Passat” të vjetër rreth një dekade dhe një kredi prej 1.5 milion denarësh që duhet të kthehet deri në 2038. Më 18 janar, u realizua bastisje në shtëpinë në Negotinëtë prindërve të gjykatësit të Apelit në Shkup, Gjoko Ristov, ku në murin e kuzhinës u gjetën 350 mijë euro.
Më 20 janar, MPB ngriti kallëzim penal kundër gjykatësit të Apelit Gjoko Ristov për “përfitim të kundërligjshëm dhe fshehje të pasurisë” dhe “pastrim parash dhe të ardhurash tjera nga vepra penale”.
Më 21 janar, Prokuroria Publike kërkoi arrest shtëpiak për Ristovin si dhe masa të kujdesit, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalimin e kufirit.
Po të njëjtën ditë, më 21 janar, Gjykata Penale reagoi menjëherë për gjykatësin me imunitet i cili njoftoi Këshillin Gjyqësor, të cilët ia hoqën imunitetin gjykatësit.
- LEXO: Gjykatësi Gjoko Ristov mohoi fajësinë për 350.000 euro të gjetura në murin e shtëpisë në Negotinë
- LEXO: Ekspertiza biologjike vërtetoi se gjykatësi Gjoko Ristov i ka fshehur personalisht paratë në murin e shtëpisë së prindërve
- LEXO: Nga gjykimi i çështjeve më të mëdha deri te 350.000 euro në mur, kronologjia e karrierës së Gjoko Ristovit