RMV, numri i komunave që kanë miratuar strategji lokale për të rinjtë u zvogëlua nga 18 në 10
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, KRNM (Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë) ka publikuar Raportin e Monitorimit për zbatimin e Ligjit për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore për vitin 2024. Në raport është shënuar rënie në zbatimin e mekanizmave dhe shërbimeve për të rinjtë, në nivel lokal është zvogëluar numri i komunave që kanë këshill rinor. Sipas komunave, buxheti për të rinjtë zakonisht përfaqëson buxhet për manifestime kulturore dhe sportive, shkruan Portalb.mk.
Për vitin e katërt me radhë, raporti analizon përparimin në zbatimin e dispozitave të Ligjit dhe vendosjen e shërbimeve dhe mekanizmave të parashikuar në nivel lokal dhe kombëtar.
“Sipas të dhënave të mbledhura për periudhën nga 1 janari 2024 deri më 31 dhjetor 2024, vërehet rënie në zbatimin e mekanizmave dhe shërbimeve për të rinjtë. Për më tepër, raporti tregon se është rritur niveli i kuptimit të dispozitave ligjore nga ana e komunave. Në nivel kombëtar, edhe pse ka përparim përmes themelimit të Qendrës Kërkimore (Sektori për hulumtime në fushën e rinisë në kuadër të Sektorit për rini në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë), megjithatë mungon harmonizimi i dispozitave ligjore me riorganizimin e aparatit shtetëror dhe miratimi i të gjitha akteve nënligjore përkatëse”, thonë nga KRNM.
Sipas raportit: Numri i komunave që kanë këshill rinor lokal është zvogëluar për 6 (nga 34 në vitin 2023 në 28 në vitin 2024); Numri i komunave që kanë miratuar strategji lokale për të rinjtë është zvogëluar për 8 (nga 18 në vitin 2023 në 10 në vitin 2024); Vetëm 4 komuna kanë realizuar në mënyrë të rregullt procedurën për themelimin e zyrës për të rinj; Vetëm 9 komuna kanë Qendra Rinore që funksionojnë në bashkëpunim me format rinore të organizimit; Numri i zyrtarëve rinorë në komuna është zvogëluar për 10 (nga 65 në vitin 2023 në 55 në vitin 2024); Në vitin 2024 vetëm 9 komuna kanë ndarë buxhetin e paraparë me ligj për të rinjtë prej së paku 0,1% nga buxheti i përgjithshëm i komunës; Në vitin 2025 vetëm 16 komuna kanë paraparë buxhet për të rinjtë sipas minimumit të përcaktuar me ligj prej 0,1% nga buxheti i përgjithshëm i komunës; Sipas komunave, buxheti për të rinjtë zakonisht përfaqëson buxhet për manifestime kulturore dhe sportive.
Për përmirësimin e zbatimit të Ligjit për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore nga KRNM rekomandojnë: Miratimi i menjëhershëm i ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjit dhe miratimi i akteve nënligjore për rregullimin e plotë të gjitha dispozitave ligjore; Krijimi dhe publikimi i udhëzimeve dhe manualeve për themelimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore, veçanërisht në nivel lokal; Profesionalizimi i zyrtarëve rinorë dhe vendosja e mekanizmit për mbikëqyrje dhe mbështetje të komunave në zbatimin e Ligjit; Forcimi i kapaciteteve dhe rolit të sektorëve brenda Sektorit për rini në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë; Vendosja e një zëri të veçantë buxhetor për të rinjtë në buxhetet e institucioneve lokale dhe kombëtare, me qëllim të përcaktimit të qartë të buxhetit të destinuar për të injtë; Organizimi i një debati mbikëqyrës për zbatimin e Ligjit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut me qëllim avancimin e rëndësisë dhe ndikimit të Ligjit.
Një analizë e Portalb.mk mbi të rinjtë u dëshmua se mundësitë e vogla për punësim, niveli i lartë i korrupsionit dhe shëndetësia e keqe janë disa prej faktorëve që i shtynë të rinjtë drejt drejt largimit nga vendi.
Agjencia për Punësim ndërkohë ka regjistruar 141 mijë persona të papunë, në mesin e tyre ka edhe magjistra dhe doktorë shkencash.