Flasin krijuesit: Si do ta kujtojnë kulturën shqiptare në RMV gjatë 2025?

Viti 2025 në skenën kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut u shënua me ngjarje të shumta, paraqitje dhe çmime të rëndësishme ndërkombëtare si dhe reflektime kritike mbi gjendjen e përgjithshme të artit. Përmes rrëfimeve të drejtpërdrejta të krijuesve nga teatri, muzika, kinematografia, artet pamore dhe letërsia, Portalb.mk sjell një panoramë të vitit që lamë pas, se për çfarë do ta kujtojnë disa nga krijuesit më aktivë në vend nga këto fusha. Rrëfimet e tyre zbuluan jo vetëm arritje personale dhe momente kulmore, por edhe sfida të përbashkëta. Në këtë pasqyrë vjetore, arti njëkohësisht si histori suksesi dhe si thirrje për reflektim e ndryshim.

2025 dhe teatri, flet regjisori Qendrim Rijani

Fotografi nga arkivi personal i regjisorit Qendrim Rijani. Foto: Qendrim Rijani
Fotografi nga arkivi personal i regjisorit Qendrim Rijani. Foto: Qendrim Rijani

2025 për mua ka qenë një vit i mbarë, sikur fati të ishte në anën time. Në aspektin profesional arrita të realizoj qëllimet dhe synimet e planifikuara. Një hap i madh për mua ishte pjesëmarrja në festivalin “MITEM” në Hungari hera e parë që një regjisor nga vendi ynë bëhet pjesë e konkurrencës së një festivali të tillë. Aty u rendita në mesin e regjisorëve më atraktivë të festivalit, përkrah emrave si Theodoros Terzopoulos, Silviu Purcărete dhe Guy Cassiers. Gjithashtu, projekti “Juli Cezari” në Kroaci ka qenë për mua hapi më i rëndësishëm në karrierën time deri më tani: një nga tre projektet teatrore më të rëndësishme që prodhon shteti kroat m’u besua mua si regjisor dhe, bazuar në rezultatet, ia arritëm qëllimit me sukses. Pjesëmarrjet e tjera në festivale, përfshirë fitoren për herë të dytë në festivalin Çernodrinski, si dhe pjesëmarrja në festivale të rëndësishme ndërkombëtare si ai në Bullgari, në konkurrencë me Declan Donnellan, Irnej Lorenci e të tjerë… Për ta përmbyllur, mund të them se 2025 ishte një vit i bardhë për mua. Uroj që 2026 të më shoqëroj me po të njëjtat rreze, bashkë me kolegët e mi”.

Muzika në 2025, flet sopranoja Dëshira Ahmeti

Foto nga arkivi personal i Deshira Ahmetit. Deshira Ahmeti (Facebook)
Foto nga arkivi personal i Deshira Ahmetit. Deshira Ahmeti (Facebook)

“Viti 2025 ishte një vit i jashtëzakonshëm për mua një vit i mbushur me koncerte, emocione dhe arritje që do të mbeten gjatë në kujtesën time dhe në rrugëtimin tim muzikor. Ky vit do të shënohet si një nga vitet më të rëndësishme në karrierën time, sepse solli momente të mëdha artistike dhe një lidhje edhe më të fortë me publikun. Nga të gjitha koncertet, do të veçoja Koncertin e Madh historik të 28 Nëntorit në Operën e Maqedonisë, i cili për mua përfaqëson një kulm artistik dhe konsiderohet si koncerti më i madh deri tani në vend. Po ashtu, një rëndësi të veçantë patën edhe koncerti në Vjenë dhe pjesëmarrja ime në festivalin Porto Palermo në Shqipëri, që më sollën përjetime unike dhe krenari profesionale. Në tërësi, 2025 ishte viti i realizimit të ëndrrave dhe i arritjeve të mëdha, një vit ku puna ime u shpërblye me suksese konkrete dhe ku besimi im në rrugën artistike u forcua edhe më shumë”.

2025 dhe kinematografia, flet regjisori Ibër Deari.

Fotografi nga arkivi personal i Ibër Dearit. Foto: Ibër Deari
Fotografi nga arkivi personal i Ibër Dearit. Foto: Ibër Deari

“Të jem i sinqertë, viti 2025 ka qenë shumë i veçantë për mua si regjisor. Nëse flasim për filmin shqiptar në Maqedoni në përgjithësi, me sa di unë, nuk ka pasur premiera të tjera; filmat ose janë në xhirim, ose presin vitin tjetër. Për mua, suksesi nisi fuqishëm me 23 janar me filmin ‘Krejt e thirrin Rexhën’. Arritëm të shitnim 5 salla kinemaje, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë! Pas kësaj, filmi udhëtoi në shumë shtete të rajonit dhe Europës. Edhe sot, vazhdon të shfaqet me projeksione private. Kjo e bën një sukses të madh për filmin shqiptar, sepse arriti ta kthejë publikun në kinema. Përveç interesit të publikut, filmi mori edhe vlerësime të larta: u shpall ‘Filmi më i mirë’ në Bari të Italisë, fitoi 4 çmime kryesore në Festivalin e Tetovës dhe çmimin për ‘Regjinë më të mirë’ në Tirana Film Fest”.

“Gjithashtu, si film i dytë i rëndësishëm në gjuhën shqipe ishte ‘Antigona’, një film i metrazhit të shkurtër në regji nga unë dhe Mirsad Abazi. Me këtë projekt patëm premierën botërore në një nga festivalet më të rëndësishme të dokumentarit, në Sheffield të Britanisë së Madhe. Si ngjarje tjetër me rëndësi për artin tonë, do të veçoja Festivalin e Filmit në Tetovë. Ky festival bëri të mundur sjelljen e shumë filmave shqiptarë nga vendet tjera, duke i dhënë publikut mundësinë t’i shohë ato në gjuhën shqipe. Megjithatë, suksesi i filmit tim është diçka personale dhe kjo nuk më bën plotësisht të lumtur për gjendjen e përgjithshme. Unë mendoj se filmi shqiptar në Maqedoni duhet t’u kthehet regjisorëve të vërtetë. Duhet të mbështeten njerëzit e duhur që e dinë dhe e duan këtë punë. Çdo film duhet të bëhet me dashuri dhe përgjegjësi të madhe, që të shfaqet fillimisht në shtëpinë tonë e pastaj të rrugëtojë jashtë vendit. Shpresoj që e ardhmja të sjellë sa më shumë filma të tillë”.

Artet pamore në 2025, flet piktori Muhamet Idrizi

Foto nga arkivi personal i Muhamet Idrizit. Muhamet Idrizi (Facebook)
Foto nga arkivi personal i Muhamet Idrizit. Muhamet Idrizi (Facebook)

“Viti 2025, per mua, ka qenë një vit i qëndrueshëm dhe i rëndësishëm në fushën e artit, me theks te prezantimi i punës artistike dhe komunikimi me publikun. Tre ngjarjet që e shënuan vitin tim artistik janë: dy ekspozitat personale-njëra në Qendrën për Kulturë në Kumanovë dhe tjetra në Qendrën për Kulturë në Gostivar -si dhe pjesëmarrja në ekspozitën kolektive “Çmimi i nëntorit”, e organizuar nga Shoqata e Artistëve Figurativ “Draudacum” në Gostivar”.

Letërsia në 2025, flet Merita Abazi

Foto nga arkivi personal i Merita Abazit. Merita Abazi (Facebook)
Foto nga arkivi personal i Merita Abazit. Merita Abazi (Facebook)

“Viti 2025 për nua ishte një vit suksesesh në veprimtarinë time letrare. U botuan dy vepra, një me poezi në dy gjuhë shqip-maqedonisht,”Qëndro në vatë” – “Остани во огништето” dhe romani “Takim rasti”. Personalisht isha në shumë aktivitete letrare, orë letrare, për festa të ndryshme sidomos kombëtare. Kam pranuar shumë mirënjohje, pllaketa, e certifikata e diploma nga vende të ndryshme. Isha prezente në UT me kumtesë që mu vlerësua e doli edhe në gazetën prestigjioze “Nacional”. U realizua një film dokumentar “Biografia” për jetën dhe veprimtarinë time letrare. Më kanë ftuar në zë gjitha mediumet, në radio dhe në gjitha televizionet, për intervista. Ky vit ka qenë edhe vit i zgjedhjeve lokale, vit i luftës së gjenocidit më të madh në historinë botërore. Shumë ngjarje të ndryshme, në jetën e përgjithshme ulja e standardit jetësor, problemet me fundërrinat që gati e mbuluan Shkupin, me transportin publik”.

“Ky vit ka qenë vit i sukseseve dhe i dështimeve. Uroj që në Vitin e Ri 2026, të ndalen gjakderdhjet të mbrohen të drejtat e fëmijëve të ndalet dhuna ndaj grave që sivjet arriti kulminacionin, të ndalen migrimet e të rinjvve, të ndryshojnë raportet mes të rinjve e të moshuarve, të rikthehet autoriteti i mësuesit në shkollë, e mësimi të zë vendin e duhur. Të rikthehet leximi i librave që d.m.th. kultura të ruhet gjuha si identitet, të përmirësohen kushtet në shëndetësi, arsim si dhe drejtësia të zë vendin e vet të vërtetë. Uroj një vit me më shumë gëzime dhe mbarësi për të gjithë. Gëzuar Vitin e Ri 2026”.

Në përgjithësi, 2025 do të mbahet mend si një vit ku arti dëshmoi se pavarësisht vështirësive institucionale dhe financiare, ia doli të mbijetojë. Përmbledhjen e momenteve kryesore të vitit 2025 në kulturë në Maqedoninë e Veriut mund ti lexoni në analizën në vijim.