Policia me detaje për vrasjen në Tetovë
Një person ka mbetur i vrarë mbrëmjen e sotme në Tetovë në rrugën “Shtipska”, raporton Portalb.mk.
Policia njoftoi se rasti është paraqitur në orën 20.35 në Sektorin për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë.
“Në rrugën ,,Shtipska” në Tetovë, një person që kishte qenë me veturë ,,Mercedes” kishte qëlluar me armë zjarri ndaj veturës ,,BMW” në të cilin ishte personi me inicialet R.T., i cili kishte ndërruar jetë menjëherë nga plagët e marra”, thanë nga SPB Tetovë.
Policia theksoi se janë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit.
Sipas informatave jozyrtare, vrasja ka të bëjë me rastin e krismave që ndodhën më 11 janar 2024 ku para Spitalit të Tetovës me armë zjarri u plagosën dy vëllezër, njëri prej të cilëve ndërroi jetë disa ditë më vonë.
Policia aso kohe tha se për këtë rast janë të dyshuar pesë persona, katër prej të cilëve u arrestuan.
Në lidhje me këtë rast, të shtëna pati edhe më 11 prill 2024, por nuk pati të lënduar.