Policia gjeti drogë në banesën e një studenteje turke në Gostivar

Metilendioksimetamfetaminë, mefedron dhe marihuanë u gjetën gjatë një kontrolli në një apartament në Gostivar ku ndodhej një studente, shtetase e Republikës së Turqisë, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftoi Drejtoria Doganore, inspektorët e Departamentit të Hetimeve gjatë kontrollit të kryer me urdhër të prokurorisë kompetente, gjetën gjashtë tableta me drogë psikotrope metilendioksimetamfetaminë, 1.63 gramë mefedron, marihuanë dhe dhjetë fara kanabisi.

“Gjatë procedurës para-hetimore, u përcaktua se studentja ka marrë një dërgesë nga një person fizik nga Belgjika të dërguar me avion, e regjistruar si “notes”. Pasi e ka marrë dërgesën, e dyshuara e ka hapur atë dhe ka nxjerrë drogën prej saj. Në të njëjtën kohë, inspektorët doganorë, me urdhër të prokurorit publik, kanë kryerbastisje, gjatë të cilit janë gjetur drogat”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit publik, substancat e sekuestruara janë dorëzuar për ekspertizë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku është konfirmuar përbërja e tyre kimike.

Kundër të dyshuarës është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gostivar për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.