Nga pozita në pozitë: Edhe pse i kritikuar nga BE, Bogojeski tani do të ligjërojë në Akademinë Ushtarake në Shkup
Disa ditë pasi njoftoi se po largohej nga drejtimi i Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri, kryetari i partisë Koncepti Maqedonas, i cili njihet për deklaratat e tij shoviniste, Petar Bogojeski, njoftoi se ishte zgjedhur të jetë pjesë e stafit ligjërues të Akademisë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski” Shkup, transmeton Portalb.mk.
“Me kënaqësi dhe respekt të veçantë, ju njoftoj se jam zgjedhur në titullin mësimor-shkencor nga Këshilli Mësimor-Shkencor i Akademisë Ushtarake – Shkup. Me këtë, zyrtarisht jam pjesë e stafit mësimor të këtij institucioni më të njohur shkencor dhe arsimor! Njëkohësisht, vazhdoj me aktivitetet e mia shkencore dhe arsimore në Universitetin e Kombeve të Bashkuara për Paqe, Nju Jork, SHBA. Shihemi së shpejti në shërbim të popullit”, shkroi Bogojeski në një postim në profilin e tij në Facebook.
Më 24 qershor Bogojeski njoftoi se nuk do ta drejtojë Agjencinë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri, por do të marrë një pozicion të ri si pjesë e koalicionit qeverisës. Kjo erdhi dy muaj e gjysmë pasi ai u emërua drejtor.
Bogojeski është njohur prej kohësh për deklaratat e tij shoviniste, termat fyese, gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.
Do të kujtojmë edhe qëndrimin e Delegacionit të BE-së (DBE) në vendin tonë, i cili, në përgjigje të një pyetjes nga stafi i redaksisë Portalb.mk, nga Delegacioni deklaruan se kanë vënë në dukje, siç thonë ata, “shqetësimet e rëndësishme të Komisionit Evropian në lidhje me disa nga aktivitetet dhe deklaratat e tij publike”.
“Presim që Drejtori i një Agjencie Nacionale që menaxhon një program kyç të BE-së të mbështesë vlerat themelore të BE-së, të cilat përfshijnë respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të njeriut, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit, ne do diskutojmë këto çështje edhe me Ministrinë e Arsimit”, porositën nga delegacioni i BE-së në Shkup.
Lidhur me të gjitha këto, që lidhen me sjelljen e Petar Bogojeskit, redaksia e Racin.mk i dërgoi letër Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe ministrit të Qeverisjes së Mirë me disa pyetje për të cilat presin përgjigje.
“Ne dërguam letra në lidhje me reagimin dhe përmbajtjen e tij te Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Këshilli i Etikës në Media në Maqedoni, Sindikata e Gazetarëve të Maqedonisë, si dhe te Delegacioni i BE-së në vendin tonë”, thonë nga Racin.
Kujtojmë se, ardhja e Bogojeskit në krye të ANPAEM u cilësua nga opinioni si skandaloze për faktin se qëndrimet e tij nuk përkojnë me qëllimet e institucionit ku ai është emëruar. Partitë opozitare shqiptare e vlerësuan si “provokim në dëm të bashkëjetesës dhe perspektivës evropiane”, ndërkaq koalicioni shqiptar në pushtet VLEN nuk e cilësoi si shqetësim emërimin e Bogojeskit për drejtor.