Plaku me shpirt rinor

Shkoi drejt përjetësisë fotografi dhe veprimtari Xhemil Daci. Më nuk do të fiksojë çaste nga kjo botë, që deshi të ishte më e mirë, më e fisme, më e ndershme, më solidare…

Disa ditë para se të shkonte drejt përjetësisë, biseduam rreth gjysmë ore në telefon. Se kështu i kishim bisedat. Të gjata. Me digresione. Me humor. Nuk dha asnjë shenjë që do ta braktiste këtë botë. Por askush nuk i di planet e qiellit…

Me Xhemil Dacin, që punoi si fotograf, sepse iu ndalua të punonte në arsim, ishim të afërt, përkundër diferencës në moshë. Ishim kritikë ndaj zhvillimeve në shoqëri. Qëndruam larg angazhimeve politike. E adhuronin muzikën, letërsinë, pikturën, fotografinë artistike…

Më 1995, bashkë me Yllin, djalin e tij, shkruanim për revistën kulturore “Brezi 9”. Ylli shkruante për rokun. Xhemil Daci nuk na qortonte rreptë edhe kur gabonim ose e tepronim. E kuptonte ndjenjën tonë rinore për rebelim.

Ai ishte pjesë e çdo nisme kombëtare. Fotoaparati i këtij njeriu mendjehapur e shpirtlirë, fiksoi shumë ngjarje historike, që ndodhin rrallë në jetën e një kombi.

Në rini, bashkë me vëllanë Faik Mustafën, u dënua për veprimtari kombëtare, si pjesëmarrës në demonstratën autentike të 68-ës. Ndër të parat në bllokun komunist.

Viteve të fundit, me disa intelektualë, u kujdes për ta ruajtur kujtimin e “tetovarit nga Struga”, profesor Ali Vishkos, i cili punonte me përkushtim në kafene, i patrazuar nga zhurma e përditshmërisë.

Xhemil Daci mëtoi ta mbante gjallë edhe frymën e lëvizjes së dikurshme kombëtare nëpërmjet shoqatës “Nisma 68”. Në kohë ligështimi e kotësie janë të rrallë ata që kanë interesim për atë që ka ndodhur. Janë të rrallë ata që mendojnë për idealet që nuk duhet të shuhen. Shumica kanë prioritete të tjera…

Kjo botë krahasohet me një stacion të përkohshëm. Njerëzit vijnë e shkojnë. Lum ata që ikin të nderuar nga kjo botë. Xhemil Daci, plaku me shpirt rinor, që me të rinjtë sillej njëkohësisht si prind, mik e bashkëmoshatar, u largua nga kjo botë si njeri i ndershëm dhe i respektuar…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.