PK “Mali Sharr” e kapi në flagrancë Komunën e Tetovës duke hedhur mbeturinat ndërtimore në natyrë në Kodrën e Diellit (Video)

Komuna e Tetovës ka treguar neglizhencë skandaloze për natyrën gjatë rikonstruimit të rrugës në lagjen e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit, duke i hedhur mbeturinat ndërtimore në natyrë. Kështu kanë reaguar sot nga Parku Kombëtar “Mali Sharr” duke shpërndarë edhe video material të kamionit i cili hedh mbetjet disa metra larg nga ku kryhen punimet, raporton Portalb.mk.

Drejtori i Parkut Kombëtar, Ibraim Deari theksoi se mbeturinat  ndërtimore që nxirren rikonsturimi i rrugës përfundojnë duke shkatërruar natyrën, në emër të përmirësimit të kushteve në Kodrën e Diellit.

“Kjo katastrofë mjedisore bëhet më e madhe nëse marrim parasysh se në të njëjtin vend vitin e kaluar është bërë pastrimi i kantierit të ndërtimit me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Për të njëjtin lokacion, më 17 qershor, për Zërin e Amerikës zyrtarë nga komuna e Tetovës thanë se po kërkonin nga banorët, që të mos përsërisin të njëjtin gabim dhe se hedhja e mbeturinave nuk duhet të bëhet në pronën publike”, tha Deari.

Ai shtoi se vetë komuna nuk respekton rregullat për hedhjen e mbeturinave të ngurta.

“I bëjmë thirrje Komunës së Tetovës që të heqë materialin e hedhur sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ta hedhë atë në një vend të përshtatshëm. Rojet e zonës së mbrojtur dhe policia kanë dokumentuar rastin. kërkojmë mirëkuptim nga banorët dhe kërkojmë nga ata që të mos ndjekin hapat e Komunës së Tetovës dhe të ndotin dhe shkatërrojnë natyrën sepse kjo nuk i ngjan Parkut Kombëtar ose Qendrës Turistike Kodra e Diellit”, tha Deari.

Kërkuam prononcim nga Komuna e Tetovës, mirëpo ata nuk ishin të gatshëm të dalin sot para opinionit. Na njoftuan se nesër do të përgjigjen për këtë temë.

Ndërkaq pak më vonë gjatë ditës njoftuan se nesër do të ketë konferencë për shtyp nga ana e Inspektoratit Komunal në Kodrën e Diellit.

“Sot në adresë tonë kanë ardhur disa reagime lidhur me një situatë serioze me ndotjen e natyrës në Kodrën e Diellit, një vend i bukur dhe i rëndësishëm për komunitetin tonë dhe për të gjithë ata që e vlerësojnë natyrën. Komuna e Tetovës ka vepruar menjëherë pas zbulimit të ndotjes së natyrës në këtë zonë. Inspektorët komunal kanë dalë në terren për të dokumentuar situatën. Inspektorati komunal do të organizojë një konferencë për shtyp nesër 18.10.2023 me fillim në ora 11:00 në Kodrën e Diellit”, informoi Komuna e Tetovës.

Përndryshe, sot një javë filloi rikonstruimi i rrugës te lagja e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit, kërkesë kjo e kamotshme e qytetarëve. Po atë ditë, në një deklaratë për media, udhëheqësi i Inspektoratit Komunal të Tetovës, Sedat Sulejmani i bëri thirrje drejtorit të Parkut Kombëtar “Mali Sharr” që të mos merret me Komunën e Tetovës por të merret me drejtoritë që i udhëheqin pasi siç tha ai kanë problem me drejtoritë që i udhëheq BDI.