Pishina për fëmijët në Çair akoma nuk ka përfunduar

Në tabelën e pishinës për fëmijë në afërsi të shkollës fillore Ismail Qemali në Cair, qëndron mbishkrimi se punimet do të përfundojnë në gusht të vitit 2025. Por edhe pse jemi në fund të dhjetorit, dhe me mbi katër muaj vonesë në vënien në funksion, ekskavatorët edhe sot ishin aty për të vazhduar punimet, raporton Alsat.

Një nga premtimet parazgjedhore të ish zëvendës kryeministrit të parë, e tani kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ishte edhe ndërtimi i kësaj pishine por edhe ndërtimi i dy të tjerave në lagje kryesore të Çairit, njëra në Serovë dhe një tjetër në Gazi Babë.

“Ndërtimi i sallës multifunksionale sportive Çair me kapacitet prej 3 mijë ulëse, rikonstruim i sallës Partizani dhe ndërtimi i tre fushave multifunksionale në Sahat Kullë, Topanë e vjetër dhe Gazi Babë. Këtu hyjnë edhe dy pishina që janë njëra në Fusha Topanë në përfundim e sipër dhe tjetra në Serovë që duhet të fillon, por nëse ka nevojë edhe një në Gazi Babë”, tha Izet Mexhiti – Kryetar i Komunës së Çairit.

Nga tre pishinat e premtuara për Çairin, punimet filluan vetëm tek një, e cila ende nuk është në shërbim të nxënësve siç ishte paralajmëruar. Banorët e Çairit thonë se projektet fillojnë, por më pas vështirë përfundojnë.

“Projektet për ndërtimin e tre pishinave ndodhen në faza të ndryshme realizimi: 1. Pishina e mbyllur shkollore në SHFK “7 Marsi” punimet ndërtimore kanë përfunduar. 2. Pishina e mbyllur sportive shkollore në SHFK “Ismail Qemali” objekti është gati dhe hapja publike është paraparë më 26.12.2025. Pas kësaj, pritet që deri në fund të muajit janar të lidhet kontrata për vënien në funksion, në varësi të ofertave të pranuara. 3. Pishina e tretë projekti ndodhet në fazën e rregullimit të çështjeve pronësore-juridike.”, deklaruan nga Komuna e Çairit.

Ndryshe, pas shumë premtimeve dhe zvarritjeve, në Çair më 6 qershor të vitit 2024 ka filluar ndërtimi i pishinës për fëmijët e shkollave, pritet të jetë gati në nëntor.

Pishina në çair ka një histori të gjatë premtimesh të cilat janë zvarritur. Premtimin e parë për ndërtimin e pishinës në Çair e ka dhënë Visar Ganiu në zgjedhjet lokale të vitit 2017-të. Megjithatë, pishina nuk u ndërtua në mandatin e parë. Ganiu në mandatin e dytë sërish premtoi ndërtim të pishinave, kësaj radhe tre, dy për nxënësit dhe një për të gjithë qytetarët, i cili duhet të ndërtohet tek objekti i ish pishinave.

Megjithatë, deri më tani, as pishinat për nxënësit, por as pishina për të gjithë qytetarët nuk janë ndërtuar.