Qeveria e painteresuar të zgjidh problemin me objektin e pishinës në Çair, i cili u është dhënë me qira dy kompanive private

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nuk ka ndërmarrë kurrfarë aktiviteti për të zgjidhur çështjen e objektit të ish pishinës në Çair, e cila i është dhënë nën kompetencë Komunës së Çairit, me qëllim që këtë objekt ta rikthejë në pishinë, ashtu siç ka qenë në kohën e ish Jugosllavisë. Por Komuna nuk mund ta ndërtojë pishinën, pasi që hapësirat e ish pishinës i shfrytëzojnë dy kompani private të cilat kanë kontratë me NP për Menaxhim me Objektet Sportive në Pronësi të RMV-së, njëra deri në vitin 2035 e tjetra deri në vitin 2045, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Çairit pavarësisht se e ka premtuar, nuk mund të ndërtojë pishinë për të gjithë banorët e saj, në objektin që në kohën e Jugosllavisë ka shërbyer si pishinë, e që më pas shteti ua ka dhënë për përdorim kompanive private. Më 30 korrik të vitit 2021, Qeveria, duke mos e verifikuar se objekti është lëshuar me qira nga Ndërmarrja Publike për Menaxhim me Prona Sportive, me vendim, ia ka marrë ndërmarrjes publike dhe ia ka dhënë në përdorim Komunës së Çairit.

Komuna e Çairit, pasi e ka marrë në kompetencë e ka verifikuar se në të ka dy kompani private, të cilat kanë kontratë aktive. Për këtë, komuna i ka shkruar letër kthyese Qeverisë duke e njoftuar se nuk e marrin në kompetencë derisa nuk shfuqizohen kontratat me kompanitë private.

Portalb.mk, i publikoi kontratat, në të cilat mund të shihet se dy firmat, paguajnë qira vetëm 550 euro në muaj, për hapësirë prej 2.700m2. Kontratat e tyre janë të vlefshme, njëra deri në vitin 2035, ndërkaq tjetra deri në vitin 2049.

Sipas informatave jozyrtare, Qeveria apo përfaqësuesit e Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Objekte Sportive në Pronësi të Shtetit do të duhej që të lobonin që të prishen marrëveshjet, pa pasoja për shtetin, gjegjësisht kompanitë private të mos padisin.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, kompanitë vazhdojnë t’i përdorin hapësirat e ish pishinës, derisa banorët e Çairit presin të realizohet premtimi për pishinë.

Portalb.mk, ka dërguar deri te Qeveria kërkesë për qasje në informata me karakter publik, por Qeveria shmanget t’u përgjigjet pyetjeve. Fillimisht e dërgoi në Sekretariatin e Qeverisë, ndërkaq më pas Sekretariati kërkesën e përcolli te Ndërmarrja Publike për Menaxhin me Objekte Sportive, ku ne paraprakisht kemi marrë përgjigje.

Qeveria, e cila ka të gjitha kompetencat për të ndërmarrë hapa për sigurimin e hapësirave për nevojat e qytetarëve, gjegjësisht ndërtimin e pishinës, nuk ka treguar kurrfarë interesi që të realizojë nevojën e qytetarëve të Çairit. Përveç që nuk ndërmerr masa, Qeveria, injoron dhe pyetjet gazetareske, me interes publik.

Portalb.mk, me këtë rast edhe një herë publikisht pyet Qeverinë, ashtu siç kemi pyetur nëpërmjet kanaleve zyrtare dhe kërkesave për qasje të lirë në informatat me karakter publik:

  1. Duke e pasur parasysh se njëra prej kompanive kontraktuese është e fshirë nga Regjistri Qendror, gjegjësisht është joaktive, a do ta shfuqizoni marrëveshjen?
  2. Pse Qeveria ia ka dhënë Komunës së Çairit në përdorim të përhershëm kur objekti është i dhënë me qira?
  3. Cili është plani i Qeverisë për ta tejkaluar situatën me subjektet private, gjegjësisht t’i jepet objekti Komunës së Çairit pa probleme juridike pasi Komuna e Çairit ka për qëllim që të ndërtojë pishinë, ndërkaq në kushte aktuale kjo nuk është e mundur?
  4. A është diskutuar për situatën me kompanitë private, dhe a mund të gjendet zgjidhje për ndërprerjen e kontratave?
  5. JP për Menaxhim me Objekte Sportive në Pronësi të Shtetit a ka marrë mendim/pajtueshmëri nga Qeveria që ta japë me qira objektin?
  6. Në bazë të Ligjit për Sport, është e paligjshme që të jepet në tërësi objekt sportiv me qira, gjegjësisht është e lejueshme që të jepen vetëm disa pjesë të objektit që nuk janë në funksion të sportit. A mund të jetë kjo bazë për ndërprerjen e marrëveshjeve?

Ndryshe, 62.586 qytetarë të Komunës së Çairit nuk kanë ende pishinë, pavarësisht se ndër vite autoritetet komunale dhe qendrore premtojnë se do të ndërtojnë hapësira ku qytetarët përveç që do të freskohen gjatë temperaturave të larta të verës, ato do të jenë edhe vend ku do të “shkëlqejë” sporti.