Objekti i pishinës Çair me mbi 2.700 m2 u është dhënë dy firmave private për 550 euro qira në muaj (Dokument)

Komuna e Çairit nuk mund ta realizojë premtimin e saj për ndërtimin e pishinës në ish objektin e pishinës në Çair, pasi që aty kanë marrëveshje aktive dy subjekte private, njëra deri në vitin 2035, tjetra deri në vitin 2049. Të dy firmat, objektin me hapësirë të përgjithshme me mbi 2700 metra katrorë, e kanë marrë me qira për 550 euro në muaj. Qeveria, duke mos e verifikuar se objekti është lëshuar me qira nga Ndërmarrja Publike për Menaxhim me Prona Sportive, me vendim, ia ka marrë ndërmarrjes publike dhe ia ka dhënë në përdorim Komunës së Çairit. Komuna kërkon të pastrohet me subjektet private dhe pastaj ta marrë në kompetencë për ta ndërtuar pishinën – nga Qeveria vazhdojnë të heshtin, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk ka arritur t’i sigurojë marrëveshjet e Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Objekte Sportive dhe subjekteve private.

Njëra prej marrëveshjeve është nënshkruar në vitin 2005 dhe vlen për 30 vjet deri në vitin 2035, ndërkaq tjetra është nënshkruar në vitin 2019-të dhe gjithashtu vlen për 30 vjet deri në vitin 2049.

Hapësira e objektit (përfshirë me bodrume dhe oborr) është gjithsej 2740 metra katrorë, ndërkaq për këtë hapësirë, Ndërmarrja Publike për Menaxhim me Objektet Sportive në Pronësi të RMV-së, ka nënshkruar marrëveshje për qira në blerë të përgjithshme mujore prej 550 eurosh.

Sipas dokumenteve që mund të shihen, marrëveshja e parë është nënshkruar në vitin 2005 mes Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Objekte Sportive, nëpërmjet drejtorit të përgjithshëm Sami Bislimi dhe Shoqërisë për Prodhimtari, Turizëm dhe Shërbime MEGA LTD SH.P.K. import-eksport Shkup, me udhëheqës Muhamed Elezi.

Ndërkaq, marrëveshja e dytë me Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Objektet Sportive, nëpërmjet u.d. drejtorit Shpendi Hajredini, me DTU NONE KOMERC SH.P.K. import-eksport me udhëheqës Enes Rexhepin.

Lëndë e marrëveshjes së parë është dhënia me qira e hapësirës së magazinës në pishinën Çair në Shkup, në parcelën kadastrale 11905 me 550 metra katrorë plus 250 metra katrorë përdhesë, hapësirën e plotë të bodrumit dhe hapësirën e oborrit që i takon objektit në pronësi të Republikës së Maqedonisë, me të cilin menaxhon Ndërmarrja Publike për Menaxhim me Objekte Sportive në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, lëndë e marrëveshjes së dytë është dhënia me qira e objektit të pishinës Çair me hapësira bodrumi dhe oborr, me hapësirë të përgjithshme prej 1940 m2.

Në të dyja marrëveshjet, qiramarrësit kanë për obligim t’i shlyejnë detyrimet për shpenzimin e rrymës, ujit dhe mbeturinave, ndërkaq nëse dy muaj nuk paguhet qiraja, marrëveshja mund të shfuqizohet para kohe në mënyrë të njëanshme.

Në marrëveshjen me MEGA LTD SH.P.K. import-eksport Shkup subjekti privat mund të kryejë intervenime të caktuara ndërtimore dhe ta adaptojë hapësirën, por pas miratimit me shkrim nga ana e qiradhënësit dhe gjithçka që investohet mbetet në pronësi të përhershme të qiradhënësit.

Ndërkaq, në marrëveshjen me DTU NONE KOMERC SH.P.K. import-eksport, Ndërmarrja Publike e obligon investuesin që në afat prej dy vitesh të fillojë me investime (rikonstruim, ndarje, rregullime dhe investime tjera, edhe atë me vlerë prej më së paku 200.000 eurosh, ndërkaq punimet duhet të kryhen në afat prej 5 deri në 7 vjet.

Prishja e marrëveshjeve, në mënyrë të njëanshme bartë pasoja juridike, gjegjë palët mund ta padisin njëra-tjetrën në gjykatë.

Kush janë firmat që kanë marrëveshje për qira?

Subjekti DTU NONE KOMERC SH.P.K. import-eksport është formuar në vitin 1992 dhe pronar aktual është i regjistruar personi Namuk Rexhepi, ndërkaq paraprakisht ka qenë Enes Rexhepi.

Subjekti është aktiv, por në ueb-faqen Biznismreza, nuk ka paraqitje tatimore në DAP, dhe për këtë nuk mund të shihen të ardhurat, shpenzimet dhe fitimi i kompanisë.

Firma është regjistruar në rrugën “Evlija Çelebija 15 Çair Shkup”, ndërkaq si merret me veprimtari të ndërmjetësimit në trajtimin e letrave me vlerë dhe kontratave të mallrave.

Nga ana tjetër, firma MEGA LTD me pronar Muhamed Elezin e regjistruar në rrugën “2 Makedonska brigada” numër 1 në Shkup, është joaktive, pasi paraprakisht është fshirë. Firma është themeluar në vitin 2002.

Sipas Regjistrit Qendror firma është marrë me tregti me pakicë në shitore jo të specializuara, kryesisht me ushqim, pije dhe duhan.

Sipas verifikimeve tona, në vitin 2019-të, në të njëjtën adresë, me të njëjtin emër të firmës së mbyllur, është hapur firmë e re, por kësaj radhe me pronar Saranda Elezi. Kjo firmë, për dallim prej asaj tjetrës, merret me marrjen dhe lëshimin me qira (lizing) të automobilave dhe automjeteve motorike të kategorisë së lehtë.

Subjekti vazhdon të jetë aktiv, por në ueb-faqen Biznismreza nuk ka paraqitje tatimore në DAP, dhe për këtë nuk mund të shihen të ardhurat, shpenzimet dhe fitimi i kompanisë.

Portalb.mk, diskutoi me drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Menaxhim me Objektet Sportive në Pronësi të RMV-së, Zoran Isajllovski, i cili tha se nuk ka informata se firma e parë është e mbyllur, por se konfirmoi që firma vazhdon t’i paguajë detyrimet, gjegjësisht qiranë.

Jozyrtarisht, Portalb.mk mëson se pronarët e të dy firmave janë familjarë, ndërkaq përdorimin e hapësirave nëpërmjet marrëveshjes fillestare, me firmën e cila tani nuk ekziston, e bën më të lehtë neni 6 i marrëveshjes, i cili lejon që kontraktuesi t’ia lëshojë me qira ndonjë subjekti tjetër.

“Qiramarrësi hapësirën e marrë ka të drejtë ta japë në nënqira”, thuhet nën nenin 6 të marrëveshjes.

Portalb.mk, vazhdon të insistojë te Qeveria për të dërguar përgjigje në lidhje me zgjidhjen eventuale të problematikës, e cila e ka lënë në “ngërç“ ndërtimin e pishinës në Çair.

Paraprakisht shkruajtëm se Komuna e Çairit, me vendim të Qeverisë, prej 30 korrikut të vitit 2021 e ka marrë në përdorim objektin ku duhet të ndërtojë pishinë për qytetarët e komunës. Megjithatë, ky objekt ka dy kontrata aktive me subjekte të ndryshëm të cilët kanë të drejtë shfrytëzimi të tij, njëra deri në vitin 2035 dhe tjetra deri në vitin 2049. Andaj komuna, kërkon që të shfuqizohen marrëveshjet pasi që nuk mund të ndërmarrë asnjë aktivitet.