Premtimet për pishinat në Çair mbeten fjalë boshe, kullosë në vendin ku do të duhej të kishte ujë

62.586 qytetarë të Komunës së Çairit nuk kanë ende pishinë, pavarësisht se ndër vite autoritetet komunale dhe qendrore premtojnë se do të ndërtojnë hapësira ku qytetarët përveç që do të freskohen gjatë temperaturave të larta të verës, ato do të jenë edhe vend ku do të “shkëlqejë” sporti. Ky ishte premtim parazgjedhor i kreut të Çairit, Visar Ganiu dhe nga vëzhgimi në terren vlerësojmë se ky premtim ende nuk është realizuar, shkruan Portalb.mk.

Premtimin e parë për ndërtimin e pishinës në Çair e ka dhënë Visar Ganiu në zgjedhjet lokale të vitit 2017-të. Megjithatë, pishina nuk u ndërtua në mandatin e parë dhe Ganiu në mandatin e dytë sërish premtoi ndërtim të pishinave, kësaj radhe 3. Prej vitit 2017-të kanë kaluar afër gjashtë vjet, por këtë premtim Ganiu nuk e ka realizuar ende.

Në ndërkohë, prej vitit 2019-të, pushteti qendror premton të ndërtojë një pishinë në Çair, kanë kaluar katër vite dhe kjo pishinë nuk është ndërtuar. Pishina duhet të realizohet në kuadër të Agjencisë për Rini dhe Sport, e cila ka planifikuar të ndërtojë 14 pishina në mbarë vendin.

Me këtë agjenci, prej vitit 2017-të udhëheqin kuadron e partive maqedonase gjegjësisht LSDM-së, ndërkaq zëvendësit e saj vijnë nga partitë shqiptare.

Gazmend Ristemi nga RDK u emërua zëvendësdrejtor në gusht të vitit 2017-të, ndërkaq në korrik të vitit 2019-të vendin ia zuri Izmit Nura nga BDI. Ai qëndroi deri në tetor të vitit 2022 kur në vend të tij erdhi Avni Rustemi, gjithashtu nga BDI. Me hyrjen e Alternativës në Qeveri, kuadri i saj, Amir Bilalli në janar të vitit 2022 u emërua zëvendësdrejtor i Agjencisë, ndërkaq prej marsit të vitit 2023, zëvendësdrejtor i Agjencisë është Isak Lazami nga Aleanca për Shqiptarët.

Portalb.mk kërkoi qëndrim nga Komuna e Çairit, nga Agjencia për Rini dhe Sport, por edhe nga Qeveria në lidhje me premtimet për pishina.

Komuna e Çairit dhe Qeveria e RMV-së nuk dërguan përgjigje, ndërkaq nga Agjencia dërguan, por megjithatë nga Qeveria e RMV-së theksuan se do të dërgojnë përgjigje të përbashkët pasi që duhet të sqarohet kompetenca në lidhje me atë se kush duhet ta zbatojë procedurën për zgjedhjen e kompanisë që duhet ta ndërtojë pishinën.

Premtimet ndër vite për pishinën/at në Çair

Në vitin 2017-të, kandidati për kryetar të komunës së Çairit, i cili më pas i fitoi zgjedhjet, në programin zgjedhor të quajtur “Kontrata”, premtoi “Pishinë me fushëlojë sportive të hapur” për të cilën, në programin zgjedhor parashikonte që të realizohej me afër 84 milionë denarë apo mbi 1,3 milion euro.

Premtimi i Ganiut për pishinë në programin zgjedhor të vitit 2017 "Kontrata"
Premtimi i Ganiut për pishinë në programin zgjedhor të vitit 2017 “Kontrata”

Më 9 prill të vitit 2019-të, Qeveria e RMV-së në mbledhje shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për realizimin e projektit për ndërtimin e 14 pishinave të notit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku miratohet fillimi i procedurës për lidhjen e Marrëveshjes për furnizim publik disavjeçar për ndërtimin e 14 pishinave të notit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërkaq mjetet për këtë destinim në vitin vijues 2019 përfshijnë vlerën e përgjithshme prej 30.000.000,00 denarë  të përfshihen në suaza të buxhetit që për vitin 2019 ka në dispozicionin Agjencia e të Rinjve dhe Sportit.

“Gjithashtu, me konkluzion të Qeverisë së RMV-së, Agjencia e të Rinjve dhe Sportit është e obliguar që në tri vitet e ardhshme të planifikojë dhe përfshijë mjetet e nevojshme për realizimin e Marrëveshjes  në kërkesën buxhetore për vitin 2020,2021, dhe 2022, kurse komunat Shtip, Çair, Strumicë, Veles, Negotinë, Prilep, Manastir, Gostivar, Karposh, Aerodrom, Gjorçe Petrov, Kisela Vodë, Tetovë  dhe Kërçovë, iu rekomandoi të bëjnë përzgjedhjen dhe propozimin e lokacionit për të cilin duhet të kërkojnë dhe sigurojnë Miratim për ndërtim”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

shkurt të vitit 2020, Agjencia për Rini dhe Sport, derisa udhëhiqej nga drejtori Darko Kaevski, paralajmëroi ndërtimin e 14 pishinave shkollore të mbyllura në tërë Maqedoninë e Veriut, njëra prej të cilave parashihej të ndërtohet në Çair.

shtator tëv vitit 2020, Kaevski u largua nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Rini dhe Sport dhe në vend të tij erdhi Naumço Mojsovski.

Një vit pasi e mori detyrën, Mojsovski,7 shtator të vitit 2021, një muaj para zgjedhjeve lokale të 15 tetorit të vitit 2021 mbajti konferencë për shtyp ku njoftoi për rrjedhën e projektit që parashikonte ndërtimin e 14 pishinave në mbarë vendin dhe sipas tij “ndërtimi i 14 pishinave të mbyllura tanimë është realitet”.

“Katër pishina për të cilat ka filluar procedura tenderiale janë në komunat Karposh, Çair, Strumicë dhe Kavadar. Këto janë jashtëzakonisht të rëndësishme për kthimin e shkëlqimit të plotë të sportit.

Në ndërkohë, Ganiu, e mbaroi mandatin e parë, por në Çair nuk u ndërtua kurrfarë pishine.

Ganiu, garoi për mandat të dytë nën sloganin “Zgjidh jetë voto blertë”. Ai në programin zgjedhor premtoi “pishina të reja për nxënësit në Çair” duke sqaruar se Komuna e Çairit i ka mbaruar të gjitha procedurat për dhënien e lejes të ndërtimit dhe për momentin është shpallur prokurim publik për ndërtimin e pishinës. Vlera 50.000.000 denarë (813.000 euro), me sipërfaqe: 620 m2, Dimensionet 30m gjatësi dhe 23m gjerësi.

Premtimi i Ganiut për pishinat në programin zgjedhor të vitit 2021 "Zgjidh jetë voto blertë"
Premtimi i Ganiut për pishinat në programin zgjedhor të vitit 2021 “Zgjidh jetë voto blertë”

Sipas programit, Ganiu premtoi ndërtimin e gjithsej 3 pishinave të reja, gjegjësisht dy për nxënësit dhe një pishinë të përgjithshme.

“Qëllimi i këtyre pishinave fillimisht është realizimi i planit sportiv të shkollave fillore në kuadër të edukatës fizike, me ç’rast nxënësit do të kenë mundësinë e mësimit të notit dhe rekreimit gjatë orarit të shkollës dhe jashtë saj. Pishina e parë e madhe do të ndërtohet tek ish-pishina në Komunë të Çairit, e cila do të mbulohet me fondet në kuadër të investimit strategjik me kompaninë Mabetex. Kjo pishinë do të jetë pjesë e një kompleksi të madh sportiv e profesional ku të rinia dhe qytetarët në përgjithësi do të kalojnë çaste të mira rekreimi dhe sporti”, thuhet në program.

Qeveria e RMV-së projektin për ndërtimin e 14 pishinave të mbyllura shkollore e ka vendosur edhe në programin qeveritar 2022-2024, megjithatë i njëjti ende nuk është realizuar.

Portalb.mk, vizitoi vendim ku parashikohet të ndërtohet pishina për nxënësit, në lokacionin afër shkollës Fillore “Imri Elezi” në Fushë Topanë, po në vend nuk mund të shihet asnjë aktivitet.

Situata është e njëjtë edhe në ish-pishinën e Komunës së Çairit, ku është paralajmëruar ndërtimi i kompleksit të madh sportiv e profesional, ku gjithashtu nuk ka asnjë aktivitet. Objekti i ish pishinës së Çairit, përdoret nga biznese private për aktivitete biznesore.

Në korrik të vitit 2022, Alsat njoftoi se projekti i qeverisë për ndërtimin e 14 pishinave të mbyllura është para dështimit, pasi që kompania që duhej të ndërtonte ka ndaluar të punojë pasi që njëri prej pronarëve të kompanisë ka përfunduar në burg.

Nisur nga fakti se Ganiu premtoi që në mandatin paraprak se Çairi do të ketë pishinë, mund të konkludojmë se ky premtim nuk është realizuar në afatin e dhënë.