Petrovska: Rreth 40 ndërmarrje nga Maqedonia e Veriut tashmë mund të marrin pjesë në tregun e NATO-s

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska deklaroi se brenda një viti janë shtuar 18 ndërmarrje që mund të marrin pjesë në tregun e NATO-s, kurse gjithësej janë rreth 40, transmeton Portalb.mk.

Petrovska së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, vizituan ndërmarrjen “ATS Ammunition” në Samokov, pjesë e grupit “ATS Group” aktivitet i të cilit është prodhimi i pajisjeve dhe armatimit mbrojtës dhe ushtarak.

Ministrja informoi se kjo ndërmarrje tashmë është e regjistruar për pjesëmarrje në tregun e NATO-s dhe shtoi se interesimi i ndërmarrjeve për përfundimin e këtij procesi është në rritje.

“Ajo që më gëzon është se pjesa tjetër e ndërmarrjeve në Maqedoninë e Veriut që merren me aktivitete të tjera po rrisin interesin e tyre për t’u regjistruar në tregun e NATO-s. Nëse në vitin 2021 kishte vetëm 8 ndërmarrje, tashmë në tetor 2023, ky numër është 18 në vetëm një vit, ose gjithsej diku rreth 40 ndërmarrje që kanë marrë atë kod të NATO-s dhe mund të marrin pjesë në tregun e NATO-s”, tha Petrovska.

Ajo shtoi se Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria kanë bashkëpunim jashtëzakonisht pozitiv duke shfrytëzuar produktet që prodhon kjo ndërmarrje, si dhe do të bashkëpunojnë edhe në zhvillimin dhe fillimin e prodhimit të dronit të parë të Maqedonisë së Veriut. Petrovska theksoi se për shkak të nevojave të imponuara, dronët do të jenë shumëfunksional, me aftësi për misione zbulimi, aksione luftarake dhe për nevoja civile.

Dje, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se katër lloje të dronëve do të fillojnë së shpejti të prodhohen në Maqedoninë e Veriut, kurse Petrovska tha se dronët do të jenë shumëfunksional, me aftësi për misione zbulimi, aksione luftarake dhe për nevoja civile.