Premtimet elektorale për hapjen e çerdheve në Strugë vazhdojnë të mbeten vetëm në letër

Struga është një ndër qytetet që e vuan shumë mungesën e çerdheve dhe kapaciteteve njerëzore në çerdhe. Hapja e hapësirave të reja, shtimi i burimeve njerëzore në çerdhe, dhe përmirësimi i kushteve të punës në këto institucione është shumë i rëndësishëm për jetën e qytetarëve struganë. Gjatë fushatave elektorale janë bërë shumë premtime për hapjen e çerdheve të reja, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kryetari aktual i Komunës së Strugës, premtoi hapjen e një çerdhe në fshatin Misleshovë, megjithatë ky premtim elektoral rezulton i parealizuar deri më sot, shkruan Portalb.mk

Screenshot nga programi zgjedhor Agjenda e Blertë për Strugën
Screenshot nga programi zgjedhor Agjenda e Blertë për Strugën

Përderisa të gjitha grupet e fëmijëve në dy çerdhet në Komunën e Strugës janë të stërngarkuara, lista e atyre që presin të hyjnë në çerdhe arrin deri në 500 fëmijë. Premtime elektorale për hapjen e çerdheve të reja ka pasur shumë, megjithatë deri më sot nuk është bërë asnjë hap konkret në krijimin e hapësirave të reja, shtimin e kapaciteteve nëpër çerdhe dhe mbi të gjitha rregullimin e kushteve të punës në këto institucione. Në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”2021-2025 (faqe 64), nga kryetari aktual i Komunës së Strugës Ramis Merko, është premtuar hapja e një çerdhe për fëmijë në fshatin Misleshovë, fshat ky që tashmë mundet të llogaritet si pjesë periferike e qytetit të Strugës. Zotimi elektoral për hapjen e çerdhes në fjalë nuk ka të dhëna konkrete si për shembull: përcaktimi i lokacionit, afatet e ndërtimit, kapacitetet e çerdhes, etj. Premtime elektorale për hapjen e çerdheve të reja, kryetari i Komunës së Strugës, bëri edhe gjatë mandatit të kaluar.

Në programin zgjedhor “Për Komunën që duam” 2017-2021, Ramis Merko premtoi: Hapja e çerdheve te reja në zonat rurale ( fshatrat e mëdha: Veleshtë, Ladorishtë, Dollogozhdë, në bashkëpunim me Ministrinë e punës dhe politikës sociale). Disa vite më parë në disa fshatra u hapën disa klasa/çerdhe si pilot projekte për një periudhë të caktuar, por aktualisht në të gjithë rajonin e Komunës së Strugës ka vetëm dy çerdhe, “Dielli” dhe “Flutura”.

Redaksia jonë u drejtua deri te Komuna e Strugës me kërkesën për informacion: “Është fakt se shtimi i kapaciteteve të çerdheve në qytetin tonë është shumë i nevojshëm. Në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, është premtuar hapja e një çerdhe në fshatin Misleshovë. Çfarë hapash konkretë janë bërë në këtë drejtim?”     

Nga Komuna e Strugës deklaruan për Portalb.mk se nuk kanë bërë asnjë premtim për ndërtimin e çerdheve në fshat dhe se aktualisht po punohet në krijimin e hapësirave të reja për çerdhet e qytetit.

“Në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë” nuk ka asnjë premtim për ndërtimin e çerdheve në fshat. Salla të reja po ndërtohen për Shkollën e Mesme të Muzikës në Shkollën e Mesme “Niko Nestor”, duke liruar kështu objektin e çerdheve. Bëhet fjalë për një çerdhe të re përballë rrugës “Globoçicka”. Sa i përket objekteve aktuale ato do të rinovohen dhe do të zgjerohen”, deklaruan nga Komuna e Strugës.

Përderisa nuk ka asnjë rezultat konkret në këtë drejtim, janë prindërit që cilët i vuajnë pasojat e mungesës së kushteve bazike për një jetë më të mirë në shoqërinë ku jetojnë. Dikush detyrohet të tërhiqet nga puna e dikush duhet të bëjë shumë sakrifica që të arrijë tia dalë mbanë dhe të jetë aktiv në tregun e punës dhe të gjejë zgjidhje për fëmijën.

“Pasi më mbaroi pushimi i lindjes u detyrova ta lë punën sepse nuk kishte kush të kujdeset për vajzën. Edhe pse rroga im sado e vogël ishte shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e familjes tonë. Tani vajza i ka dy vjet, në shtator u filloi në çerdhe pasi arritëm të gjejmë miq që të na ndihmojnë, ndërkohë unë po kërkojë punë”, deklaroi një nënë.

“Para se të lind më këshilluan që sapo ta lind fëmijën menjëherë ta regjistrojë në çerdhe, që pas 1 viti të kem përparësi për të filluar qëndrimin e fëmijës në çerdhe. Sa qesharake aq edhe ironike më dukej, me gjithë sfidat e reja me një të porsalindur në shtëpi ti duhet të nxitosh dhe pas dokumenteve për ta regjistruar bebin në çerdhe që të vije në rend pas një viti. Unë dhe bashkëshorti im punojmë të dy dhe jetojmë vetëm, prandaj dhe çerdhja është shumë e rëndësishme për ne”, deklaroi një nënë.

“Kam përshtypjen se në vendin tonë është është shumë më lehtë ta regjistrosh fëmijën në Universitet se sa në çerdhe. Është për të ardhur keq”, deklaroi një nënë tjetër.

Duke u bazuar në situatën faktike, Portalb.mk konkludon se premtimi për hapjen e një çerdhe në fshatin Misleshovë i bërë në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës Ramis Merko, ende nuk është realizuar.

 

BURIMET:

* Programi zgjedhor Agjenda e Blertë faqe 42, verifikuar më 15.11.2023

*Programi zgjedhor Komuna që duam2017-2021, verifikuar 17.11.2023