Përpara se të shfaqej videoja, një grua denoncoi ish-drejtorin e Neurologjisë, Igor Kuzmanovskin për dërgimin e mesazheve kërcënuese
Disa ditë para se të publikohej videoja kompromentuese, ku shihet mjeku nga Klinika e Neurologjisë Igor Kuzmanovski duke përzier substancë të bardhë pluhur dhe duke folur për cilësinë e “të bardhës”, një grua 54-vjeçare raportoi në stacionin policor të Karposhit në Shkup se ai i kishte dërguar mesazhe kërcënuese me telefon që nga shtatori. Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi për “Sloboden Peçat” se kishin pranuar denoncim, transmeton Portalb.mk.
“Më 4 tetor 2025 në orën 8 të mbrëmjes, një grua 54-vjeçare raportoi në SPB Shkup se që nga shtatori I.K. nga Shkupi i kishte dërguar mesazhe kërcënuese me telefon. Një intervistë zyrtare u zhvillua me të në stacionin policor dhe pasi rasti të dokumentohej plotësisht, do të ngrihet raport përkatës”, tha Ministria e Punëve të Brendshme për “Sloboden Peçat“.
Doktori Igor Kuzmanovski, drejtor i Klinikës së Neurologjisë vetëm dy orë pasi u publikua videoja kompromentuese u shkarkua nga pozita. Në ditët në vijim, u zbulua gjithashtu se ai nuk kishte licencë të vlefshme specialistike nga Oda e Mjekëve që nga 15 marsi i këtij viti deri javën e kaluar kur kërkoi zgjatjen e saj. Ministria e Shëndetësisë formoi komisione për të shqyrtuar punën e tij, dhe Klinika e Neurologjisë gjithashtu formoi dy komisione. Oda e Mjekëve ka shqzrtyar punën e tij si pjesë e komitetit të saj të etikës.
Komiteti për Çështje Etike dhe Ligjore i Odës së Mjekëve, lëshoi dënim moral publik të ngjarjes. Kjo bëhet me qëllim të mbrojtjes së integritetit dhe reputacionit të profesionit mjekësor, pasi sjellja e përshkruar në video shkel besimin në profesion dhe nuk është në përputhje me standardet e larta morale dhe etike të pritura.
Oda thekson se Kuzmanovski, si çdo mjek, duhet të jetë i vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë e tij në komunitet.”Nga mjekët pritet, si në jetën e tyre profesionale ashtu edhe në atë private, të kultivojnë dhe të demonstrojnë cilësi personale që korrespondojnë me vendin dhe dinjitetin e profesionit mjekësor në shoqëri. Çdo veprim i papërshtatshëm, i pavlerë, i pandershëm ose poshtërues, përveç kompromentimit të vetë individit, njëkohësisht kompromenton të gjithë kolegët e tij”, thuhet në reagim.
Kodi i Etikës për Mjekët, në nenin 62, përshkruan një parim etik për imazhin profesional të një mjeku. Ky nen përmend gjithashtu jetën profesionale dhe private të një mjeku.
“Një mjek, në jetën e tij profesionale dhe private, kultivon dhe demonstron cilësi personale të përshtatshme për vendin dhe dinjitetin e profesionit mjekësor në shoqëri. Një mjek është i vetëdijshëm se për çdo akt të papërshtatshëm, të pavlerë, të pandershëm dhe poshtërues, ai kompromenton të gjithë kolegët e tjerë”, thuhet në Kodin e Etikës për Mjekët.
Gjetjet fillestare, siç u konfirmuan dje nga Ministria e Shëndetësisë, janë se nga 15 marsi 2025, kur i skadoi licenca e punës, deri më 8 gusht 2025, kur u emërua drejtor i Klinikës së Neurologjisë, Kuzmanovski ka kontrolluar pacientë në Klinikën e Neurologjisë. Për këtë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar shpalli gjobë prej 500 eurosh pasi inspektimet shqyrtuan aktivitetet e kryera në sistemin “Termi Im”. Një komision ekspertësh i Klinikës së Neurologjisë do të shqyrtojë nëse Fondi i Shëndetësisë, nga ana tjetër, i ka lëshuar atij një faksimile për punë deri në vitin 2028. Për periudhën e ndërmjetme kur Kuzmanovski nuk kishte licencë nga FSSH, ata e justifikuan duke thënë se detyra e Klinikës së Neurologjisë ishte të kujdesej për vlefshmërinë dhe ligjshmërinë e marrëdhënieve të punës në Klinikën Universitare.
Sipas procedurës aktuale për lëshimin e autorizimit të faksimilit, i cili zbatohet gjatë lidhjes së kontratave me institucionet shëndetësore publike dhe private, është e nevojshme të paraqitet një kërkesë nga vetë institucioni, e shoqëruar me një licencë të vlefshme operimi të lëshuar nga oda përkatëse dhe të noterizuar, tha FSSH. Me këtë procedurë, Fondi përcakton të drejtën për të lëshuar faksimil përputhje me rregulloret ligjore dhe dokumentacionin në dispozicion.
Më 15.11.2024, Fondi iu drejtua Odës për Lidhje Elektronike për të marrë përsipër të gjitha licencat aktive, me qëllim parandalimin e operacioneve të paligjshme dhe falsifikimit të licencave. Deri më sot, Oda e Mjekëve nuk i është përgjigjur kërkesës. “FSSH mbetet konsistente në zbatimin e rregulloreve ligjore, në çdo kohë e gatshme për bashkëpunim dhe komunikim transparent me median dhe publikun”, tha FSSH në një deklaratë.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar njoftoi dje se gjatë inspektimit të Klinikës së Neurologjisë që ata kryen, gjetën edhe një paligjshmëri tjetër që lidhet me punën e institucionit publik shëndetësor. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar arriti në përfundimin se raportet specialistike pas ekzaminimeve të kryera nga mjekët e Neurologjisë nuk u verifikuan nga mjeku, por nga punonjësit administrativë në sportel, gjë që nuk është në përputhje me nenin 13 të Ligjit për Regjistrat në Fushën e Shëndetësisë.