Përmbysja e idealeve të vjetra

Bota ndryshon me shpejtësi marramendëse. Shtetet armatosen. Tensionet dhe armiqësitë shtohen. Paqëndrueshmëria globale thellohet. Ka luftë në Europë dhe disa vatra krize në botë. Tensionet rrezikojnë të shpërthejnë në Ballkan e gjetkë. Nëse para disa vitesh nuk besohej për shpërthimin e një lufte të madhe në Europë, tani flitet shpesh për kësi lufte në kontinent. Në fjalimet e politikanëve dhe eprorëve përsëriten fjalët: “luftë”, “armatim” e “gatishmëri”.

Sekretari britanik i mbrojtjes, Grant Shapps, paralajmëroi se “kalojmë nga bota e pasluftës në atë të paraluftës”. Këtë e tha një zyrtar i lartë, i cili ka informacione të dorës së parë.

Edhe ish-sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, paralajmëroi vitin e kaluar se “lufta po vjen” dhe se bota, pas luftës në Ukrainë, është bërë “më e rrezikshme, më e paqëndrueshme dhe më e pasigurt”.

Shtetet europiane e synojnë fuqizimin ushtarak. Kjo është dëshmi se politikanët nuk e parashikuan një situatë si e sotmja. Europa e ka vuajtur mungesën e politikanëve vizionarë.

Sipas një studimi të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm, vendet europiane gati e kanë dyfishuar importin e armëve, duke e rritur blerjen e armatimit me 94 përqind, sepse e parashikojnë që lufta në Ukrainë mund të jetë e gjatë.

Ukraina është nyjë gordiane. Ajo sot i ngjan Arbërisë mesjetare që luftonte edhe për Europën. Ukraina është mburoja që e pengon shtrirjen ruse në Europë. Mbetet e paqartë si do të rrjedhin ngjarjet atje. Askush s’mund ta parashikojë si dhe kur do të përfundojë lufta. Ka edhe parashikime të frikshme.

“Ligji dhe drejtësia mund të thonë se Ukraina meriton t’i çlirojë territoret e pushtuara, por pragmatizmi sugjeron se ky mund të jetë qëllim i përgjakshëm apo i paarritshëm”, komentoi për CNN, Anna Arutunyan, një analiste dhe autore e specializuar për politikën ruse.

Para do kohe analisti ukrainas Yan Valetov shkroi se kjo luftë nuk mund të përfundonte, sepse as rusët nuk kanë fuqi t’i shkatërrojnë ukrainasit dhe as ukrainasit s’kanë fuqi t’i shkatërrojnë plotësisht rusët.

“Ne do të luftojmë për çlirimin e territoreve të pushtuara. Ata do të luftojnë për t’i mbajtur ato… Këtu nuk shoh asnjë mundësi për kompromis, për armëpushim apo për marrëveshje paqeje… Nëse Putini duhet të vrasë dhjetë milionë rusë, ai do t’i vrasë pa e menduar fare”, shkroi ai.

Putini vazhdon ta kërcënojë Europën dhe botën me armët bërthamore. Duke e kundërshtuar vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë, ai tha se kjo do të çonte në luftë botërore dhe në fundin e qytetërimit.

Putini e shfrytëzoi rastin që të bënte propagandë në prag të zgjedhjeve presidenciale. Edhe moralizoi, ashtu si filozofët rusë të shekullit XIX, të cilët flisnin për mbrojtjen e vlerave tradicionale dhe e akuzonin Perëndimin se i kishte rrafshuar këto vlera. Pikërisht këta filozofë tani janë të preferuarit e Putinit.

Ka analistë që gjendjen e sotme në botë e krahasojnë me gjendjen para Luftës së Dytë Botërore. Për shumëçka ka ngjashmëri. Më nuk përjashtohet as mundësia e ndërhyrjes së NATO-s në Ukrainë, ashtu siç kërkon presidenti francez Emmanuel Macron-i. Zyrtarë të lartë të NATO-s flasin për një konflikt të mundshëm me Rusinë, përderisa ekziston rreziku për zgjerimin e luftës në shtetet baltike.

Edhe pse është e vështirë të parashikohet rrjedha e ngjarjeve, dihet një gjë: Europa dhe bota më nuk janë siç kanë qenë. Idealet e Europës më nuk do të jenë vetëm prosperiteti, bashkëpunimi ekonomik dhe vlerat e përbashkëta, por tani e tutje, siç thonë ekspertët, ajo do të përqendrohet te forcimi i sigurisë dhe i mbrojtjes. Pra, do të jetojmë në një botë që ndryshon rrënjësisht nga ajo para agresionit rus në Ukrainë.

Bota e lirë është në anën e Europës. Pse? Sepse është botë e lirë. Këtë e tha qëmoti dhe me mençuri mendimtari Denis de Rugemont-i: “Kultura europiane, me gjithë mëkatet e shumta që i rëndojnë në ndërgjegje, është kulturë e pluralizmit, e kompromisit, e dialogut, e kundërshtimit, e ironisë dhe e humorit… Më shkoqur akoma, kultura europiane është kulturë e lirisë; e vetmja liri e qenësishme për mua dhe për çdo europian të vërtetë është liria e vetërealizimit, e kërkimit, e gjetjes dhe e përjetimit të vërtetës sime, jo e të vërtetës së të tjerëve, as asaj të përcaktuar dhe servirur nga shtetet dhe partitë. Në qoftë se do ta humbja këtë liri themelore, jeta ime do ta kish humbur kuptimin”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.