Përfundoi rikonstruimi i Spitalit “8 Shtatori”, projekt i paralajmëruar në shkurt 2025 me vlerë prej 12 milionë eurosh
Në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit SPQ “8 Shtatori” ka përfunduar rikonstruksioni i bllokut operativ, njësisë së kujdesit intensiv, repartit të patologjisë, laboratorit klinik, pjesës administrative dhe konstruksionit të çatisë. Projekti përfshin edhe shtatë salla operative me sipërfaqe totale prej rreth 2 mijë metrash katrorë, të dedikuara për kirurgji abdominale, urologji, ORL dhe oftalmologji, transmeton Portalb.mk.
Autoritetet njoftuan se në periudhën e ardhshme do të zhvillohen procedurat e dezinfektimit dhe trajnimit të stafit për pajisjet e reja, para se repartet të fillojnë me pranimin e pacientëve.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se para rikonstruksionit, blloku operativ përballej me probleme infrastrukturore, përfshirë rrjedhjen e çatisë gjatë reshjeve. Sipas tij, në kuadër të projektit është rinovuar tërësisht edhe konstruksioni i kulmit dhe janë instaluar sisteme të reja të klimatizimit dhe ventilimit.
“U dëshiroj ta përdorin sa më pak — që do të thotë sa më pak pacientë. Por ata pacientë që do të kenë nevojë për kujdes mjekësor dhe ndërhyrje nga personeli mjekësor dhe mjekët, të ndihen rehat, të ndihen me dinjitet këtu në këto hapësira të rinovuara”, tha Mickoski.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu deklaroi se në objekt janë instaluar sisteme të reja elektrike dhe mekanike, sistem për menaxhim të centralizuar, pajisje të reja mjekësore dhe panele fotovoltaike për efikasitet energjetik.
“Sot po flasim për një projekt që paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës shëndetësore dhe krijimin e kushteve bashkëkohore për trajtim dhe kujdes mjekësor në këtë institucion. Me realizimin e rikonstruksionit dhe adaptimit të bllokut operativ, njësisë së kujdesit intensiv, pjesës administrative, repartit të patologjisë, laboratorit klinik dhe konstruksionit të kulmit, është krijuar një hapësirë shëndetësore tërësisht e re, funksionale dhe teknikisht e harmonizuar, në përputhje me standardet më moderne mjekësore dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky projekt nuk paraqet vetëm një rikonstruksion ndërtimor. Ai është investim në sigurinë e pacientëve, në kushte më të mira pune për personelin mjekësor dhe në stabilitetin afatgjatë dhe efikasitetin e sistemit shëndetësor”, theksoi ministri Aliu.

Sipas njoftimeve , pritet që repartet e rinovuara të bëhen funksionale pas përfundimit të procedurave teknike dhe përgatitore në javët në vijim.
Në shkurt të vitit 2025, Qeveria njoftoi fillimin e projektit për rikonstruksionin dhe pajisjen e spitalit SPQ “8 Shtatori”, për të cilin u paralajmërua investim prej 12 milionë eurosh. Projekti përfshinte rikonstruksionin e shtatë sallave operative në një sipërfaqe prej 2 mijë metrash katrorë, njësinë e kujdesit intensiv prej 500 metrash katrorë, laboratorët biokimikë, mikrobiologjikë dhe patologjikë, si dhe rinovimin e plotë të kulmit dhe sistemit të ngrohjes dhe ftohjes së spitalit. Në të njëjtën kohë u paralajmërua edhe rikonstruksioni i Aeroportit të Ohrit me vlerë prej 2.7 milionë eurosh, ndërsa të dy projektet u prezantuan si pjesë e marrëveshjes me kompaninë TAV Airports.