Përfundoi muri mbajtës përgjatë rrugës së Banjës së Tetovës, do të intervenohet edhe në pjesët tjera kritike (Video)

Pjesa më kritike e dheut rrëshqitës përgjatë rrugës së Banjës së Tetovës është rregulluar me ndërtimin e murit mbajtës i cili edhe u promovua sot nga Komuna e Tetovës. Megjithatë, përgjatë rrugës ka edhe pika të tjera ku dheu rrëshqet dhe shpesh bllokon rrugën. Për këtë, komuna ka lidhur marrëveshje me një kompani për sanimin e këtyre pjesëve, shkruan Portalb.mk.

Pas zvarritjes dhe zgjatjeve të afateve të punimeve, kanë përfunduar punimet për murin mbajtës në rrugën e Banjës i cili u realizua nga UNDP në kuadër të Projektit për përmirësimin e rezistencës ndaj përmbytjeve në rajonin e Pollogut.

“Sot jemi para një muri mbajtës i cili është realizuar me të gjitha standardet, një mur me një gjatësi prej diku 120 metra dhe me themele në thellësi prej 5 metra, trashësia e murit është nga fillimi në tokë prej 70 cm deri në lartësinë më të lartë diku 40 cm”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Megjithatë, problemi i dheut rrëshqitës nuk zgjidhet vetëm me këtë mur mbajtës, pasi përgjatë rrugës ka edhe pjesë tjera kritike ku dheu rrëshqet, sidomos kur ka reshje të shiut.

Komuna e Tetovës më 21 shtator 2023 hapi tender tjetër për punime për murin mbajtës të Banjës. Ndërsa me 14 nëntor 2023 u nënshkrua kontratë me Çabi Trans në vlerë prej 2.97 milionë denarësh në kohëzgjatje prej 12 muajsh. (kontrata e plotë gjendet KËTU).

Portalb.mk pyeti Kasamin se çfarë do të punohet shtesë në këtë drejtim dhe në cilat pjesë do intervenohet.

“Duke pasur parasysh faktin që kjo është vetëm një segment i kësaj rruge, veç më është zgjedhur kompania e cila do të vazhdojë të bëjë sanimin e kësaj rruge edhe në pjesët tjera, është një projekt diku rreth 50 mijë euro me të cilin besoj se me krijimin e kushteve atmosferike do të vazhdojë sanimi edhe i pjesëve tjera të tokës e cila rrëshqet që kjo rrugë të mos paraqesë rrezik për qytetarët”, tha Kasami.

Rruga për në Banjën e Tetovës, edhe pse e rregulluar në vitin 2017, megjithatë nuk është adekuate dhe plotësisht e sigurt për shkak se shpesh herë ka shembje të tokës përreth, duke bllokuar pjesërisht apo tërësisht kalimin. Pavarësisht se në të kaluarën u ndërtua një mur mbajtës, ai u prish pasi nuk ishte i ndërtuar mirë.