2023-ta ndër më të këqijat për gjyqësorin, Koalicioni të Gjithë për Gjykime të Drejta kritikoi ashpër Këshillin Gjyqësor

Viti 2023 është ndër vitet më të këqija të gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut në 20 vitet e fundit. Ka shtangim në reforma, ndërkaq vitin e kanë shënuar një sërë incidentesh të cilat në thelb ishin kryesisht nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik të cilët duhet të jenë garantuesi dhe mbrojtësi i pavarësisë gjyqësore dhe ata të cilët duhet të kontribuojnë në avancimin e gjyqësorit në tërësi në shtetin tonë. Këtë e deklaroi Darko Avramovski, drejtor ekzekutiv i Koalicionit “Të Gjithë për Gjykime të Drejta”, në konferencën përfundimtare ku u prezantuan raportet vjetore nga monitorimi, shkruan Portalb.mk.

Darko Avramovski, drejtor ekzekutiv i Koalicionit “Të Gjithë për Gjykime të Drejta”. Foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Darko Avramovski, drejtor ekzekutiv i Koalicionit “Të Gjithë për Gjykime të Drejta”. Foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

“Kur bëhet fjalë për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publik, masat janë të njëjta të cilat i kemi pasur edhe vjet. Kemi mungesë të sqarimit të vendimeve të tyre dhe mungesë të proaktivitetit për gjendjet aktuale dhe ato punojnë vetëm në zgjedhjen dhe avancimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Edhe përskaj asaj që ka pasur dyshime serioze për korrupsion, që rrodhën edhe nga vetë anëtarët e Këshillave, gjyqtarëve dhe prokurorëve, kishte hulumtim në perceptimin e gjyqtarëve në pikëpamjen e korrupsionit në gjyqësor, por nuk kishte asnjë seancë ku në cilindo prej këtyre Këshillave, të paktën edhe t’i diskutojë këto dyshime që t’u japë pranim të paktën se i percepton dhe i përjeton si seriozë”, tha Avramovski.

Ai tha se ka pasur përgjigje të dobët nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve në lidhje me ndryshimet e Kodit Penal të cilat në masë të madhe kishte impakt në lëndët të cilat ishin të eksponuara në media, veçanërisht në lëndët të cilat janë të lidhura me korrupsionin e lartë pasi që janë zvogëluar dënimet dhe mes tjerash pamundësoi edhe udhëheqjen e hetimit përkatës për këto vepra penale që është goditje e madhe ndaj gjyqësorit.

Kritika për jotranpsarencë dhe punë të kundërligjshme

Monitorimin e punës së Këshillit Gjyqësor, ashtu sikur edhe të Këshillit të Prokurorëve, për periudhën tetor 2022 – shtator 2023, Koalicioni të Gjithë për Gjykime të Drejta e ka kryer me pjesëmarrje fizike në seancat publike, analizimit të të dhënave publike në ueb-faqet e këshillave dhe nëpërmjet Ligjit për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik.

“Këtë vit, fokusi dhe vëmendja ka qenë tërësisht te Këshilli Gjyqësor, ndërkaq për shkak të një sërë të shkeljeve të ligjit. Të gjitha këto ndodhi, të gjitha janë të theksuara detajisht në raport”, tha Lejla Tutiq, hulumtues juridik e Koalicionit të Gjithë për Gjykime të Drejta, e cila e prezantoi pjesën për punën e Këshillit Gjyqësor.

“Edhe këtë vit duhet të konstatojmë se vazhdon praktika negative e Këshillit Gjyqësor për mbajtjen e takimit të punës, gjegjësisht, kolegjiumit para seancës publik. Këto kolegjiume shërbejnë që për të gjitha pikat e rëndësishme, anëtarët e Këshillit Gjyqësor diskutojnë gjatë kohës së kolegjiumit dhe më pas me qëndrime dhe mendime të formuara marrin pjesë në seancë ku vetëm votohen çështjet të cilat i kanë diskutuar. Praktikisht me këtë bëjnë shmangie të zgjidhjes ligjore”, theksoi Tutiq.

Ajo theksoi se gjithashtu është nënvizuar edhe rasti kur Këshilli Gjyqësor, 3 herë në mënyrë të paligjshme e ka përjashtuar publikun për të marrë pjesë në seancë.

“Nuk mund të mos theksohet përjashtimi i publikut, konkretisht bëhet fjalë për 3 seanca në të cilat opinioni u përjashtua në mënyrë të paligjshme. Dy seancat e para ishin njëra pas tjetrës dhe opinioni u përjashtua me vendim njëzëri nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor, pa ekzistuar mundësi dhe pa u respektuar procedura për përjashtim të opinionit, edhe pse gjatë kohës së këtyre dy seancave mbrapa dyerve të mbyllura janë miratuar dy vendime të rëndësishme të Këshillit Gjyqësor. Gjegjësisht, në njërën është miratuar vendim për tërheqjen e vendimit për shkarkimin e kryetares Vesna Dameva, ndërkaq në të dytën u miratua vendim i ri, me të cilën, sërish në mënyrë të paligjshme u shkarkua Dameva nga funksioni i kryetares së Këshillit Gjyqësor. Opinioni u përjashtua edhe nga një seancë tjetër kur duhej të shqyrtohej raport nga vizita e punës në gjykatë, pavarësisht se gjithmonë këto raporte janë shqyrtuar para publikut”, shtoi Tutiq.

Kritikë serioze, nga Koalicioni dhanë edhe për përdorimin jopërkatës të sistemit për votim elektronik.

“Sipas Rregullores të Këshillit Gjyqësor, përparësi ka votimi elektronik, ndërkaq ka edhe mundësi votim në mënyrë alternative nëpërmjet ngritjes së dorës dhe kjo mund të bëhet në dy raste, kur nuk ka mundësi që votimi të kryhet nëpërmjet sistemit elektronik, ndërkaq e dyta kur ka propozim të theksuar nga ana e anëtarit të Këshillit, me arsyen se dyshon në rezultatet e votimit. Këtu është specifike se gjithsesi më së shpeshti zbatohet në mënyrë elektronike, por rastet kur shmanget votimi elektronik, gjithmonë kanë qenë me propozim të anëtarit të Këshillit, i cili ka dyshuar në rezultate nga votimi. Por, asnjëherë anëtari që ka kërkuar ndryshim të mënyrës së votimit, nuk ka folur për arsyet për çfarë dyshon në rezultate”, theksoi Tutiq.

Foto nga seanca e Këshillit Gjyqësor për zgjedhjen e kryetarit, 04.05.2023. Foto: Portalb.mk
Foto nga seanca e Këshillit Gjyqësor për zgjedhjen e kryetarit, 04.05.2023. Foto: Portalb.mk

Ata kritika dhanë edhe për atë se asnjëherë si pikë në rend dite nuk është vendosur për diskutim raporti i Komisionit Evropian apo hulumtimi i OSBE-së i cili ka çështje jashtëzakonisht të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me punën e punës së Këshillit Gjyqësor.

Në lidhje me vendimet e Këshillit Gjyqësor për zgjedhje të gjyqtarëve apo avancim, apo për zgjedhje të kryetarit në ndonjë gjykatë, sipas Koalicionit ka sqarime të përgjithshme, abstrakte dhe gjenerike, të cilat përsëriten në çdo zgjedhje të gjykatësve.

“Jo rrallë herë ndodh që të ketë ndryshim të listës përfundimtare, duke e pasur parasysh se nuk ka dispozitë që parashikon, obligim që t’i sqarojnë votat kundër. Dhe kjo mbetet absolutisht pa kurrfarë sqarimi. Nuk ekziston mundësi në mënyrën idividuale të votimit. Votat tregohen vetëm në përgjithësi, por jo edhe individualisht”, shtoi Tutiq.

Jotransparente, edhe Këshilli i Prokurorëve Publik

Kritika të ngjashme, nga Koalicioni thanë se ka edhe për Këshillin e Prokurorëve Publik.

“Procesverbalet që publikohen nga Këshilli e Prokurorëve, nuk korrespondon me atë që ndodh në seancë. Më së shpeshti në procesverbal vendosen vendimet, por nuk theksohet se cili anëtar i Këshillit çfarë ka thënë, çfarë ka diskutuar, cili është mendimi i tij, për ndonjë pikë të caktuar”, tha Ivana Petkovska, koordinator programi në Koalicionin të Gjithë për Gjykim të Drejtë.

Ajo shtoi se ueb-faqja e Këshillit të Prokurorëve është jofunksionale pasi që nuk ka memorie institucionale, apo nuk janë të ruajtura procesverbalet dhe vendimet e publikuara.

“Si vendosen procesverbalet e reja, ashtu procesverbalet e vjetra fshihen dhe nuk mund të kemi qasje në procesverbal”, theksoi Petkovska.

Për transparencën, Koalicioni ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e prokurorit publik për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion (Islam Abazi).

“Procesi është zhvilluar në mënyrë jopërkatëse dhe jotransparente, pasi që opinioni nuk ka pasur mundësi që të njoftohet se cilët janë kandidatët, cili është programi i tyre për punë dhe si planifikojnë ta udhëheqin këtë prokurori”, tha Petkovska, duke rekomanduar që procedura e zgjedhjes të jetë transparente.

Gjyqësori në RMV ka arritur në një pikë kritike: 40 rekomandime nga Misioni vlerësues i BE-së

Janë dhënë gjithsej 40 rekomandime në raportin e misionit vlerësues të Bashkimit Evropian për punën e Këshillit Gjyqësor, bëri të ditur në një brifing me gazetarë ambasadori evropian David Geer. Këto rekomandime kanë të bëjnë me strukturën dhe kompetencën e Këshillit Gjyqësor, mandatin e anëtarëve, vlerësimin për përzgjedhje dhe emërim, procedurat disiplinore, transparencën në komunikimin me publikun, si dhe financimin e Këshillit.

Nga 40 rekomandimet, 17 nuk kërkojnë ndonjë ndryshim, qoftë kushtetues apo ligjor, dhe ato mund të zbatohen në muajt në vijim, por, siç thotë ambasadori Geer, nëse Këshilli Gjyqësor arrin t’i miratojë në muajt në vijim, do të jetë një “revolucion”. Nga këto 17 rekomandime, 10 kanë të bëjnë me ngritjen në detyrë të gjyqtarëve dhe shtatë kanë të bëjnë me transparencën.

23 rekomandimet e tjera kërkojnë ndryshime kushtetuese ose ligjore. Ato i referohen se kush duhet të jetë anëtar i Këshillit Gjyqësor, sa duhet të jetë pjesëmarrja, rreziku i pjesëmarrjes afatgjatë, sistemi i meritës, kodi i etikës, vlerësimet për procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve, autonomia buxhetore dhe komunikimi me publiku.

Në brifing, nuk u thellua në detaje të rekomandimeve, por u tha, për shembull, se gjashtë vjet është mandati i propozuar i gjyqtarëve në Këshillin Gjyqësor, ndaj rekomandohet që të shkurtohet, sepse gjyqtarët më gjatë do të jenë të “tërhequr” nga praktika gjyqësore.

Këshilli Gjyqësor në muajin maj ka qenë cak i kritikave negative nga ndërkombëtarët, pasi ish-kryetarja Vesna Dameva u shkarkua nga posti i saj më 26 prill. Në seancën e Këshillit Gjyqësor ka pasur debat kur Dameva ka refuzuar të vendosë një pikë votimi që nuk ishte në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi bëri thirrje për votim për shkarkimin e saj. Ai është mbështetur nga shtatë anëtarë dhe ka deklaruar se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës.

Pas skandalit ka ardhur një reagim nga ambasada amerikane. Nga aty theksuan se anëtarët e Këshillit kanë për detyrë ndërtimin e një sektori të pavarur gjyqësor. Pas dorëheqjeve të dy gjyqtarëve, Koalicioni “Të gjithë për një proces të drejtë” u bëri thirrje anëtarëve të tjerë që të dorëzojnë dorëheqjet. Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.

Misionet vlerësuese për vendet kandidate zbatohen nëpërmjet instrumentit TAIEX – (instrumenti për asistencë teknike dhe shkëmbim të informacioneve), i krijuar fillimisht për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që u anëtarësuan në BE. Tashmë është “zgjeruar” në vendet fqinje, por edhe me forma të “rezervuara” për t’i mbështetur shtetet anëtare, kur ato përdorin disa fonde nga BE-ja. Qëllimi kryesor është shkëmbimi i njohurive, përvojave, praktikave më të mira nga vendet e BE-së me partnerët e tyre.