Tetova as këtë vit nuk do të zbukurohet për Vitin e Ri, Policia apelon për kujdes nga fishekzjarret

Atmosfera e festave të fund vitit do të jetë e zymtë për të disatën herë radhazi në Tetovë, pasi as këtë vit qyteti nuk do të dekorohet për festat. Këtë e konfirmoi sot kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Nga ana tjetër ka filluar shpërndarja dhe shitja e fishekzjarrëve, Policia rikujton dënimet dhe rreziqet nga përdorimi i tyre, apelojnë për kujdes, shkruan Portalb.mk.

“Jo, derisa nuk arrijmë të stabilizojmë qytetin në aspektin financiar, derisa nuk arrijmë të menaxhojmë me sukses me obligimet bazike të komunës që ka të bëjë me mirëmbajtjen e ambienteve publike, me pastrimin e qytetit, me furnizimin me ujë të mjaftueshëm, me rregullimin e infrastrukturës bazike, nuk e shohim të arsyeshme të harxhojmë mjete për çështje që janë të rëndësishme për qytetin por jo të domosdoshme”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Pavarësisht dënimeve dhe fushatave sensibilizuese, përdorimi dhe shitja e fishekzjarrëve vazhdon të jetë shqetësues, tradicionalisht në muajin dhjetor apo në prag të Vitit të Ri.

Autoritetet policore theksojnë se po bëjnë veprime për të parandaluar shitjen e mjeteve piroteknike dhe rrjedhimisht fushatë për prezantimin e rreziqeve nga përdorimi i tyre.

Zyrtarët policorë të Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë kanë filluar aktivitetet e tyre parandaluese për zbulimin, parandalimin dhe sanksionimin e blerjes dhe shitjes së paligjshme të fishekzjarrëve dhe mjeteve tjera piroteknike.

SPB Tetovë paralajmëroi se aktivitetet do të intensifikohen edhe më shumë ditëve në vijim.

“Tregtarët, prindërit dhe nxënësit (nxënës të shkollave fillore dhe të mesme) njoftohen edhe një herë se shitja, pra blerja dhe aktivizimi i fishekzjarreve në vende publike, në rrugë, në oborre, në hyrje të objekteve të banimit etj, është kundërvajtje ligjore, për të cilën sipas nenit 31 të Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, dënohet me gjobë prej 100 deri në 250 euro në kundërvlerë në denarë. Prokurimi dhe shpërndarja e tyre në treg në sasi të mëdha është në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë dhe për këtë vepër është paraparë dënim me burg prej së paku pesë vjet”, theksojnë nga SPB Tetovë.

Nga atje apelojnë që para së gjithash nxënësit e shkollave fillore që të largohen nga lodrat e tilla të rrezikshme, të cilat shpeshherë mund të shkaktojnë pasoja të rënda për shëndetin e tyre, gjegjësisht lëndime në duar, sy dhe pjesë të tjera të trupit.