Përfundoi edicioni i 16-të i “Kolonisë Ndërkombëtare Artistike 2025”
Me sukses u përmbyll edicioni i 16-të i Kolonisë Ndërkombëtare Artistike “Tetova 2025”, organizuar nga Galeria e Arteve Tetovë, shkruan Portalb.mk.
Në ekspozitën përmbyllëse, u ekspozuan veprat e artistëve pjesëmarrës të realizuara gjatë 4 ditëve të kolonisë, duke sjell pejsazhe, portrete e kompozicione abstrakte të frymëzuar nga bukuritë e Malit Sharr.
Drejtoresha e Galerisë, Arbenita Meta, në fjalën e saj vlerësoi krijimtarinë e artistëve dhe rëndësinë e këtij aktiviteti për jetën kulturore të qytetit.
“Puna juaj dhe energjia që keni sjellë janë dëshmi e fuqisë së artit për të bashkuar njerëz dhe kultura të ndryshme. Secila vepër është tashmë pjesë e fondit të Galerisë sonë dhe dëshmi e kësaj përvoje të paharruar”, ka theksuar Meta.
Kuratori Këshilltar i Galerisë si ideator dhe bartës i këtij evenimenti tradicional Behar Ferati falënderoi artistët për pjesëmarrjen, bashkëpunimin dhe nivelin e lartë profesional të treguar gjatë gjithë edicionit.
Kolonia përfundoi, por fryma artistike vazhdon të jetojë përmes veprave që do ngelin kujtim dhe pasuri e çmuar e koleksionit të veprave të I.N. Galeria e Arteve Tetovë, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Galerisë së Arteve në Tetovë.