“Rudina Fest”, festivali me ngjyra folklori dhe kulturë ndërkombëtare do të zbarkojë në Çegran
SHKA “Jahi Hasani” nga Çegrani i Gostivarit për të pestin vit me radhë organizon Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Rudina Fest”. Ky festival do të mbahet nga data 20-23 Korrik 2025 në Çegran. Këtë edicion do ta begatojnë netë me muzikë, valle dhe kostume tradicionale, shfaqje të ansambleve më të njohura kombëtare dhe ndërkombëtare, shkruan Portalb.mk.
Në këtë edicion jubilar marrin pjesë në një festë shumëngjyrëshe folklori me grupe artistike nga: Spanja, Turqia, Kroacia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Zani Memedi, kryetar i SHKA-së “Jahi Hasani” dhe drejtor i festivalit për Portalb.mk tha se këtë vit do të sjellin risi që do ta begatojnë festivalin.
“Edicioni i sivjetshëm i festivalit “Rudina Fest”, do të sjellë risi të reja, ajo që është më kryesorja do të kemi shtete të reja që do të prezantohen në skenën e bukur të festivalit. Këtë vit do të kemi Spanjën, Turqinë, Kroacinë, Shqipërinë, Kosovën dhe nga Maqedonia e Veriut. Normalisht presim edhe një grup nga Bosnja, ndoshta edhe ndonjë surprizë tjetër. Megjithatë këto janë pritjet tona, por edhe mundësitë që i kemi ne për të realizuar një festival me këto përmasa”, tha Memedi.
Ai edhe më tej shtoi se gjatë këtij edicioni do të ketë edhe aktivitete të tjera përcjellëse.
“Përveç festivalit publiku do të ketë mundësinë të ndjek edhe aktivitete të ndryshme, siç do të jetë ekspozita që do të përgaditet nga piktorët e shoqatës së mirënjohur nga Turqia “Halibas Art”, së bashku me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të qytetit që do të bëjnë një puntori, që do ta realizojnë së bashku në qendrat e qytetit në Gostivar, Tetovë dhe Çegran. Do të jetë një ekspozitë që do të përgaditet enkas për pesë vjetorin e festivalit. Sigurisht do të kemi promovimin librit Etnografia e Zakoneve të Ciklit Jetësor në dy fshatrat e Pollogut Çegran dhe Forinë me autor nga un Zani Memedi, tryezë të rrumbullakët, por gjithashtu do të ketë aktivitete të tjera përcjellëse. Ky është vit jubilar dhe ne kemi dashur që ta begatojme festivalin, i cili është i vetmi i këtyre përmasave që organizohet me këto kapacitetet tona”, tha Memedi.
Memedi gjithashtu potencoi se i gjithë qëllimi i realizimit të këtij festivali është të freskohet me kulturë rajoni i Pollogut.
“Të gjithë e dinë që ky manifestim është festival i paqes, sepse në Çegran janë zhvilluar dy ngjarje historike siç është: në vitin 1990 falja e gjaqeve në përmasa kombëtare dhe kriza Kosovare apo qëndrimi i Kosovarëve në Rudinë të Gostivarit. Rudina është vend i peligrinazhit historik, sepse nga ajo dhimbje krenare kemi krijuar mundësi që të krijojmë mkë festival paqeje dhe gjithë aj mesazh i paqes duam ta përcjellim te të rinjt, te mërgata jonë që vinë për të na vizituar në ato ditë të verës së nxehtë. Gjith ideja, së bashku me komunën, ka qenë që pollogu të freskohet me një manifestim shumë gjithëpërfshirës dhe kjo është ideja që ne e realizuam vite më parë”, tha Memedi.
Ai tha se insittucionet shtetërore nuk i kanë përkrahur në mënyrën e duhur për të realizuar këtë festival.
“Institucionet nuk mbështesin aktivitetet kulturore që janë në përmasa ndërkombëtare siç është festivali “Rudina Fest”. Ne si drejtori nuk jemi aspak të kënaqur me përkrahjen e institucioneve shtetërore dhe kjo është fatkeqësi sepse është festival me përmasa ndërkombëtare”, tha Memedi.
Memedi shtoi se Komuna e Gostivarit i ka përkrahur me një buxhet më të mirë në dallim me vitet e kaluara, dhe për herë të parë do të lidhet bashkëpunimi “Halibas Art”- “Rudina Fest” 2025.
“Për herë të parë këtë vit do të kemi bashkëpunim me shoqatën e artistëve figurativ “Halibas Art” nga Turqia, me drejtor Serkan Halilogulari, i cili këtë vit do të vij me një projekt të ri “Halibas Art”-“Rudina Fest” 2025. Këtë vit jemi më të gëzuar, më komod ngase Komuna e Gostivarit na ka përkrahur me një sumë më të mirë se vitet e kaluara”, tha Memedi.
Festivali është revial por sivjet risi do të jetë edhe juria që përbëhet nga: kryetare e jurisë Mirijana Mirçeska -etnologe nga Instituti i Etnologjisë dhe Antropologjisë në Shkup, Teodora Stojanovska – koreografe dhe balerinë në ansamblin shtetërorë “Tanec” Shkup, Besarta Reçica -etnologe dhe antropologe nga Kosova, Bekim Ramadani – etnomuzikolog, Desislav Mihailov-koreograf në Ansamblin e Armatës së Bullgarisë dhe Berat Xhelili – artist.