Përderisa s’ka vendim për fajtorët e vërtetë të zjarrit në modular, Besimit dhe Etemit iu dyfishua dënimi

Derisa Prokuroria Publike e zvarrit hetimin për shkaktarët e vërtetë të zjarrit në spitalin modular të Tetovës dhe nuk ka ngritur ende aktakuzë, Gjykata e Apelit në Gostivar nuk i ka pranuar ankesat e drejtorëve të Spitalit të Tetovës të cilët u dënuan me nga 1 vit e gjysmë burg për gjykimin e zjarrit në spitalin modular. Në vend të kësaj, Gjykata e Apelit ua ka rritur dënimet në tre vjet burg, kështu duke pranuar ankesën e Prokurorisë dhe familjarëve të viktimave. Edhe Spitalit të Tetovës iu rrit dënimi për 300 mijë denarë. Ish drejtori ekonomik i spitalit, Artan Etemi për Portalb.mk tha se do të ankohet në Gjykatën Supreme, ndërsa ish drejtori mjekësor Florin Besimi tha se do i përdorë të gjitha mjetet juridike për të dëshmuar siç tha këtë padrejtësi.

Gjykata e Apelit në Gostivar solli vendim me të cilin i ka refuzuar ankesat e ish drejtorëve të Spitalit të Tetovës Florin Besimit dhe Artan Etemit të cilët më 16 maj 2025 u dënuan me 1 vit e 6 muaj burg për rastin e zjarrit në spitalin modular, ku nuk u thirrën në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepër tjetër penale. Apeli e refuzoi edhe ankesën e Spitalit të Tetovës. 

Në anën tjetër, Gjykata e Apelit e ka pranuar ankesën e Prokurorisë dhe familjarëve të viktimave, me të cilën ua dyfishoi dënimet Besimit dhe Etemit në 3 vjet burg dhe Spitalit të Tetovës ia rriti dënimin me 300 mijë denarë.

“Gjykata e ndryshoi aktgjykimin në pjesën e sanksionit penal dhe në pjesën e vendimit për kërkesën pasurore-juridike, ashtu që të pandehurit F.B. nga T. dhe A.E. nga T., të cilët me aktgjykimin e shkallës së parë janë shpallur fajtorë për veprën penale ‘vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme’ sipas nenit 292 paragrafi 4 në lidhje me nenin 288 paragrafi 4 dhe paragrafi 2 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal, i dënoi me nga tre vjet burg, ndërsa personin juridik të akuzuar, Spitali Klinik i Tetovës, të shpallur fajtor për veprën penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ sipas nenit 288 paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 4 dhe 2 të Kodit Penal, e dënoi me gjobë prej 1.300.000 denarësh”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit në Gostivar. 

Nga Gjykata e Apelit theksuan se në pjesën e shpenzimeve të procedurës, aktgjykimi i shkallës së parë është anuluar dhe lënda në këtë pjesë i kthehet gjykatës për vendimmarrje të re. 

Ish drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës, Artan Etemi për Portalb.mk tha se do to ankohen ndaj vendimit.

“Do ta shfrytëzojmë të drejtën që të ankohemi edhe në instancën e fundit domethënë në Gjykatën Supreme. Vendimi e dëshmoi besueshmërinë që kanë në opinion gjykatat prej 2 përqind”, tha Etemi.

Ndërsa më pas në një reagim në profilin e tij në rrjetin Facebook Etemi vendimin e Gjykatës së Apelit e konsideroi drejtësi selektive.

“Është selektive sepse që në fillim nuk u ngrit procedurë ndaj atyre që porositën, ndërtuan dhe mbikëqyrën ndërtimin e Spitalit Modular ( ne e pranuam si donacion nga Ministria e Shëndetêsisë). Dështimi institucional në rastin e Koçanit riti presionin politik ndaj gjykatave të cilët ranë pre e këtyre presioneve, prandaj është edhe politik. Është etnik sepse të akuzuar jemi vetëm dy shqiptarë ndërsa ministri Filipçe, A thua vallë pse!? Ndërsa firma ndërtuese “Brako” e Angjushevit as që u hetuan sepse i mbrojti dikush”, shkroi Etemi.

Nga ana tjetër, ish drejtori mjekësor Florin Besimi për Portalb.mk tha se kjo që po ndodh me ata nuk është drejtësi. Ai tha se do të përdorin të gjitha mjetet ligjore për këtë padrejtësi që po u bëhet. 

Besimi thekson se janë dënuar të gjithë ata që nuk kanë pasur asnjë lidhje me vendimmarrjen për ndërtimin dhe vetë ndërtimin e spitalit modular.

“Madje, unë personalisht e kam refuzuar këtë objekt dhe kam refuzuar të nënshkruaj çfarëdo dokumenti që lidhet me këtë objekt fatal. Ndërkohë, personat që kanë pasur lidhje direkte me këto objekte që i kanë prokuruar dhe ndërtuar në mënyrën siç janë ndërtuar as nuk janë të akuzuar”, tha Besimi. 

Ai shton se ata janë dënuar vetëm për çështjen e pasjes ose mospasjes së aparateve dore për fikjen e zjarrit në objekt, dhe jo për djegien e objektit. 

“Vendimi i parë i Gjykatës së Tetovës për dënim me kusht, në bazë të ankesës sonë, u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit me arsyetimin se nuk kishte bazë për dënim. Ndërsa e njëjta Gjykatë e Apelit, mbi bazën e të njëjtit gjykim, jo vetëm që e pranon vendimin për dënim efektiv të Gjykatës Themelore të Tetovës, por madje e rrit atë në 3 vjet burg efektiv. Kjo, të paktën, është indikative dhe kërkon përgjigje”, tha Besimi. 

Ai shtoi se do të vazhdojë me të gjitha mjetet juridike për ta hequr nga vetja këtë padrejtësi, si para gjykatave, ashtu edhe para opinionit publik.

“Nuk mund të dënohem për aparate dore për fikjen e zjarrit, të cilat edhe sikur të mos kishin qenë aty nuk do të mund të shërbenin për të ndërhyrë ndaj një zjarri të atillë, i cili ishte pasojë e mënyrës së ndërtimit të objektit. Kjo është dëshmuar përmes të gjitha ekspertizave”, shtoi Besimi. 

Ai mes tjerash tha se ndjen keqardhje për familjarët dhe kërkoi të zbardhen shkaqet e vërteta të zjarrit.

Kjo është hera e dytë që Gjykata e Apelit në Gostivar vendosi për këtë rast, ata e rikthyen rastin në rigjykim edhe një herë pasi ish drejtorët u dënuan me burg me kusht dhe spitali me gjobë financiare, pas të cilit Gjykata e Tetovës i dënoi Etemin dhe Besimin me burg pa kusht.

Derisa dënimet për ish drejtorët dhe spitalin u dyfishuan, Prokuroria Publike nuk ka ngritur ende aktakuzë kundër fajtorëve të vërtetë për shkaqet e zjarrit.

Pavarësisht se kanë kaluar mbi dy vite që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ende nuk ka vendim dhe nuk është ngritur aktakuzë.

Nga Prokuroria Publike nuk tregojnë se në çfarë faze është ky rast dhe kur pritet të ketë vendim, ndërsa vazhdimisht janë arsyetuar se rasti po hetohet.

Pasi fajtorët e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës nuk u sollën para drejtësisë dhe nuk pati proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit, Ibin Emshi i cili humbi babain dhe vëllaun e tij, më 1 dhjetor 2025, Emshi si shtetas i Italisë ka bërë denoncim për vrasje në Selinë e Policisë në Verbano Cusio Ossola për zjarrin në modular. Përveç denoncimit në Polici, Emshi ka paraqitur kërkesë që ky rast të trajtohet edhe nga Avokati i Popullit – Këshilli Rajonal i Piemontes në Itali.

Ai pret që rasti të hetohet ndërkombtarisht dhe të arrijë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Portalb.mk ka kontaktuar të dy institucionet italiane të lartpërmendura se si do vijojë më tej ky rast, megjithatë nuk kemi marrë përgjigje.

Kujtojmë që në maj 2025 Gjykata e Tetovës e shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast i cili nuk ishte për shkaqet e zjarrit, ku me 1 vit e 6 muaj burg u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë.

Për dallim prej akgjykimit të parë kur dënimi po ashtu ishte me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, kësaj here dënimi ishte pa kusht. 

Të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.

Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. 

Rasti ishte në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu një pjesë të lëndës në Gjykatën Themelore në Tetovë. 

Pse erdhi deri te rigjykimi?

Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.

Prokuroria kërkoi që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Në rigjykim u kthye një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.

Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim patën theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.

Gjykim jo për shkaqet e zjarrit

Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.

Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.

Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”

Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregoi një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese. Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.

Çfarë ndodhi?

Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.