Për vesin që mohon gjenitë
Tek i lexon njeriu gjykimet mbi “gabimet” e ndonjërit prej korifejve të mëdhenj të kulturës shqiptare, pashmangshëm i imponohet pyetja: ç’dënim do t’u jepnim ne, sikur ata të vuanin nga veset e disa krijuesve gjenialë të botës, si: Bajroni, Gëteja, Gogoli, Edgar Allan Po, Balzaku, Bodleri…, biografët e të cilëve kanë dhënë një mori të dhënash që lidhen me skizofreninë, narkomaninë, incestet, përdhunimet, lapërdharinë dhe shumë devijime të tjera, që për lexuesit shqiptarë, të mësuar ta konceptojnë krijuesin si modelin me te mirë njerëzor, duken të shpifura.
A do t’arrinin shqiptarët t’i kundronin të shkëputura nga jeta privete veprat e një Bodleri, që jetonte me hardhuca, thente vitrina dyqanesh, vuante nga narkomania, sadizmi, egoizmi…; e një Gogoli, që vuante nga paranoja religjioze, që ishte egocentrik i pashoq, që urrente nënën dhe motrën e tij, që ishte vetijak i madh, njeri që nuk mundi të dashurojë dikë tjetër…; e një Bajroni, që njihej për sadizmin e tij dhe torturat që ia bëri të shoqes pas lindjes së vajzës, që pinte morfium, që e dhunoi vajzën e xhaxhait…; e një Balzaku, që gënjente ngado që shkonte e këdo që mundej, që jetonte me paratë dhe huatë që s’i kthente kurrë…; e një interesaxhiu si Gëteje, e një njeriu lojal dhe servil i madh, që njerëzve të pushtetit u thoshte: “për ju bëj çdo gjë”, që sillej keq me shokët dhe gratë, që ishte egoist e neurotik, që u diagnostifikua nga mjeku i tij personal si 100 % neuropat…; e një njeriu labil si E. Alan Poe, që kishte sjellje të çorroditura, që qe alkoolist i përbetuar, që vuante nga hipohondria (kriza e pijanecëve) dhe grandomania (mania e vdekjes)…; e një Rusoi, që vuante nga frika e vdekjes, që ishte nevrik i madh dhe që kishte probleme me njerëzit e tjerë dhe s’i duronte fare pranë vetes…
Nisur nga mentaliteti ynë, sigurisht që nuk do t’i pranonim ashtu siç i pranon bota veprat e gjenive të sipërpërmendur. Dëshmi për këtë mund ta marrim rastin e Faik Konicës, shkrimtarin më të sulmuar nga ata që e kanë zët t’ua prish dikush notën mesatare.
I përmenda këto raste për të dëshmuar sa dallim ka bota prej nesh, kur merr e gjykon mbi madhështitë dhe kuotat e veta; sa për ta kuptuar se Konica ishte njeri krejt normal në një kohë abnormale, gjatë së cilës deshi t’i shohë shqiptarët si qytetarët e botës. Faji i vetëm i tij është ardhja e parakohshme në letërsinë dhe kulturën shqiptare, e dhëna se ishte më inteligjenti dhe më jokonformisti në mesin e rilindësve të kohës së tij. Duke qenë vazhdimisht në qarqet elite të kulturës dhe të artit evropian, ai i pa dhe i diagnostifikoi më mirë se kushdo tjetër sëmundjet tona kronike: përtacinë, shpirtin e robit, energjinë negative të ndërsyer kundër vetvetes. Temperamenti i tij s’i duronte dot këto vese, ndaj shpërthente vullkanshëm kundët bartësve të tyre.
Shi për këtë, e akuzuan për injorim të Lidhjes së Prizrenit, pa çka se “Albania” e tij e pati lajtmotiv çështjen e bashkimit të shqiptarëve dhe trojeve të tyre etnike; e quajtën spiun të Austrohungarisë, sado që gjithë letërkëmbimet e tij me shqiptarët dhe me të huajt të vetmen brengë kanë fatin e Shqipërisë; ia ulën vlerën si ambasador, sado që tërë jetën qe diplomat dhe politikan pragmatik e vigjilent; njeri institucion, që pagoi madje gazetarë të huaj për të bërë propagandën e Shqipërisë, gjë të cilën s’e bëri askush tjetër asokohe; ia përçmuan edhe veprën letrare duke e lidhur me të temperamentin e tij dhe duke shpifur se: Faiku nuk ka shkruar dot përtej artikullit…
Disa “studiues” shpirtvegjël e emërmëdhenj, edhe pas monizmit që ndaloi veprat e Konicës, edhe pas zbulimit të esesë brilante “Mbi gjuhët e natyrshme dhe të sendërgjuara” nga konicologu më i shquar Luan Starova, vazhdojnë ta mohojnë vendin që zë në letërsinë dhe kulturën tonë Enciklopedia e gjallë shqiptare.
Këtë lloj përçmimi Konica e ka ndjerë që me gjallje, ndaj, në letrën e 16 qershorit 1898, dërguar V. Dodanit në Bukuresht, mes tjerash, shkruan: Vetëm një gjë mund të më zëmëronjë e të më plagosë shpirtin, kur shoh ca mëmëdhetarë që s’kuxojnë të më shajnë faqeza, po futin spica prapa me një poshtërsi të turpshme, e në një vënt ku nuk ndodhem për t’u përgjigjur e për të prishur të çpikurat…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.