Për shkak shembjes së dheut në një fshat të Tetovës, u kërkua largimi i disa banorëve nga shtëpitë e tyre
Qendra për Menaxhim të Krizave ka reaguar pas thirrjeve telefonike se në fshatin Shipkovicë të Tetovës ka filluar shembja e dheut, duke rrezikuar disa banorë, transmeton Portalb.mk.
“Në këtë moment po ndërmerren masa dhe janë dhënë udhëzime për banorët vendas që të lënë vendbanimin për shkak të rrezikut nga shfaqja e rrëshqitjeve të reja”, sqaruan nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Në lidhje me këtë rast u aktivizua edhe Shtabi i Emergjencave në Komunën e Tetovës, Drejtoria për Punë të Brendshme në Tetovë dhe Inspektorati i Ndërtimit në Komunën e Tetovës.
Qendra ka sqaruar që rrëshqitja ka ndodhur në një zonë ku rrezikohen drejtpërdrejtë katër shtëpi.
Ndryshe, të reshurat e intensifikuara, ujërat e lumenjve dhe toka e tejngopur me lagështi e rrisin rrezikun nga përmbytjet në gjithë Maqedoninë e Veriut në ditët në vijim, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, e cila ka aktivizuar hidroalarmin për vërshime.
Kujtojmë se rrëshqitja e tokës në Vodno të Shkupit sot mblodhi në një takim urgjent koordinues përfaqësuesit e Komunës Qendër, Qendrës për Menaxhim të Krizave dhe përfaqësues të disa institucioneve dhe shërbimeve.