Për shembjen e ndërtesës së lartë “Vjesnik” do të nevojiten qindra kilogramë eksploziv dhe rreth gjysmë minute 

Për shembjen e ndërtesës së “Vjesnik” në Zagreb, e cila me shumë gjasë do të kryhet me minim, do të nevojiten qindra kilogramë eksploziv. Kështu ka deklaruar profesori i Fakultetit të Xehëtarisë, Gjeologjisë dhe Naftës, Mario Dobriloviq, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse data e saktë ende nuk dihet, profesori Dobriloviq, i cili ka qenë në terren, konfirmoi se shembja do të bëhet për disa javë, pasi të përgatitet projekti.

Dobriloviq theksoi se minimi është zgjidhja më e mirë, edhe pse institucionet kompetente ende nuk kanë marrë vendim përfundimtar.

Sa i përket minimit, siç shpjegoi ai, bëhet fjalë për disa qindra kilogramë eksploziv, e jo tonë, ndërsa vetë shembja do të zgjaste disa dhjetëra sekonda, maksimumi deri në gjysmë minute.

Ai theksoi se duhet të merren absolutisht të gjitha masat për të shmangur rreziqet.

“MPB do të japë udhëzime të qarta për banorët në ndërtesat përreth”, tha Dobriloviq.

Kujtojmë se pak para mesnatës së 11 nëntorit, një zjarr shpërtheu në rrokaqiellin “Vjesnik” në Zagreb. Zjarri u përhap në disa kate të ndërtesës dhe në çati, dhe një numër i madh zjarrfikësish u përfshinë në shuarjen e tij.