Ali Podrimjen shqiptarët e njohin kryesisht si poet dhe janë të rrallë ata që kanë folur e shkruar për esetë e tij parashikuese për të ardhmen e Kosovës, pas shpalljes së saj shtet. Një Zot e di si u janë dukur esetë në fjalë shqiptarëve të shkrirë pa përsiatur mirë në entuziazmin patriotik, në stinën kur konsideroheshin të marrë ata që e shihnin të gjymtë lirinë e shumëpritur.
Sigurisht se edhe Aliu do të dëshironte të flasë bukur e me ngazëllim për lirinë, ta besojë mrekullinë e përfundme të saj, po ç’të bënte me do shenja, që si krijues i shihte ndoshta edhe me emocione. Si të shqitej nga dyshimi i mbështetur në njohjen e kubarive serbe dhe jeniçerizmin shumëdimensional të renegatëve shqipfolës? Si të tebdilosej në atë që nuk ishte, kur duhej t’jua thotë hapur bashkëkombësve se nuk është koha për gjum, po për vigjilencë?
Aliu dyshoi me kohë se diç nuk ishte në rregull me lirinë, se në horizont kishin filluar të duken retë e zeza të luftës së pashpallur, të cilës i fryejnë edhe ca vende, që, njësoj si Serbia, mbajnë nën okupim etni të tjera dhe bëjnë çmos t’i kthejnë sërish shqiptarët e Kosovës në mjerimin serb. Atë e shqetësoi rreshtimi i paramilitarëve serbë te Ura e Mitrovicës, ku gjendej Trepça, Kullat e Boletinëve dhe vatrat shekullore të shqiptarëve, prej të cilave i përzunë me barbari, pa çka se “u çlirua” Kosova; histeritë shqiptarofobe të kishës serbe, që nuk hoqi dorë nga mbajtja gjallë e planeve më xhuxhëzimin e mëtutjeshëm të trojeve shqiptare; paranoja nacionale e ushqyer nga Akademia e shkencave dhe Lidhja e shkrimtarëve serbë, që rinisën gjithandej botës shpërndarjen e publikimeve me pallavra pseudohistorianësh serbë dhe të huaj, të shkruara enkas për çështjen e Kosovës; e dhëna se i ashtuquajturi revolucion demokratik postmillosheviqian ishte vetëm fasadë e jashtme e po të njëjtit regjim kriminel, se “revolucioni” i opozitës ishte më tepër lojë e vozhdit, prej së cilës u distancua vetëm një pjesë e papërfillshme e intelektualëve serbë…, që sipas Ali Podrimjes: pamundësoi sërish çfarëdo raportesh paqësore ndërmjet dy popujve.
Hiq më të mira Aliu nuk i pa as shenjat që vinin prej disa bajraktarëve shqiptarë. Këta ia forcuan bindjen se: diçka e tmerrshme fryn nga vrima, se nuk paska peshë asgjë jona! Ai frikësohej se nuk do të arrijmë t’i shmangemi vrimës së moçme gllabëruese… I frikësohej bindjes së popullit se i ka punët mirë, se me politikën tonë nuk ka. Tmerrohej nga mungesa e kujdesit për të ardhmen, veçmas nga leximi i fatit në shpatull pule… Ai s’arrinte ta kuptojë naivitetin me të cilin një pjesë e bashkatdhetarëve, që në ditët e para të çlirimit të Kosovës, ia mundësuan Serbisë ta hallakatë unitetin brendashqiptar; të ndezë kollaj zënkat tona farefisnore e bajraktareske; t’na bëjë dele të zezë në sytë e Evropës me libra si: “Mafia shqiptare – një kërcënim për evropën”; t’ia mbushë mendjen një pjese të diplomacisë së botës se gjoja pavarësia e Kosovës do ta destabilizojë Ballkanin, sepse do ta lindë gogolin Shqipëri e Madhe; ta afrojë Serbinë më pranë dyerve të BE-së se Kosovën; të arrijë që në takime të rëndësishme burrështetasish ta shtrojë, jo si xhelat, po si viktimë, pyetjen: Si mund të prisni paqe në Kosovë, kur ajo është nocion i panjohur në Shqipëri!?
Ali Podrimja nuk pati kohë t’i kënaqet si të tjerët lirisë së shumëpritur, sepse sërish vërejti: ndjekje, përndjekje, hasmëri, vëllavrasje, përdhunime trupore e mendore, hafijellëqe të hapura e tinëzare, ngarendje për një copë karrige. Përpara i dilnin sërish mediokrit e pseudotë, imituesit e verbër të Evropës, bashibozukët anadollakë… Ai nuk shihte se dikush po punon për t’ia ofruar Evropës ndonjë vepër për të vërtetën e Kosovës, sepse gjithkush priste që këtë ta bëjnë të tjerët në vend tonin. Dhembje i shkaktonte edhe e dhëna se nuk bëhej asgjë për krijimin dhe ruajtjen serioze të miqësive me dashamirët dhe aleatët tanë në luftën e fundit. Në vend të këtyre prioriteteve, klithte Poeti, shqiptarët merren me intrigat e kuzhinës sllave, kënaqen me një çati dhe me ndonjë shkarravinë “patriotike” të kalemhanes, që pandeh se brenda e përreth nesh nuk luhet më asnjë lojë e zezë. Aliu kishte sinjale se serbët sërish do t’i shohim në rolin e komançerosëve të Ballkanit. Ai e parandjeu pagabueshëm se, si kishin nisur punët, nuk duhet të çuditemi fare, nëse një ditë lexojmë apo dëgjojmë se në Kosovë nuk ka pasur luftë, e lëre më gjenocide, të cilat i dëgjojmë tani, 20 e ca vite pas paralajmërimeve të Poetit, nga presidenti arogant serb, i rritur në nënsjetullat e Kasapit të Ballkanit.
Ali Podrimja i shtroi herët pyetjet, pergjigjet e të cilave i mësojmë sot. Ai i pyeti troç shqiptarët: Po ç’kontribuojmë ne tani, pos marrjes me gjëra që e rrënojnë imazhin tonë? A ekziston ende diçka që na bashkon e na këndell? Gjer kur do të kapemi për kodet fisnore dhe do të zhvillojmë politika qorre mes vete, duke lejuar që energjitë tona të treten gjithandej?
Kështu shkroi për të ardhmen e Kosovës, Poeti i “Gjakut që nuk falet”, Ali Podrimja – Prometeu që na e dhuroi me kohë zjarrin.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.