“Kemi nën kontroll 40% të Gazës”, gjenerali izraelit: Operacioni do të zgjerohet

Izraeli kontrollon rreth 40% të qytetit të Gazës, deklaroi një zëdhënës ushtarak të enjten, ndërsa bombardimet e vazhdueshme detyruan më shumë palestinezë të largohen nga shtëpitë e tyre, megjithatë mijëra banorë sfiduan urdhrat izraelitë për evakuim dhe qëndruan mes rrënojave, në rrugën e avancimit të fundit izraelit, transmeton Euronews.

Autoritetet shëndetësore në Gaza thanë se të paktën 53 persona u vranë të enjten nga zjarri izraelit në të gjithë Rripin, shumica në qytetin e Gazës, ku forcat izraelite kanë përparuar përmes periferive dhe ndodhen tani vetëm pak kilometra larg nga qendra e qytetit.

“Vazhdojmë të dëmtojmë infrastrukturën e Hamasit. Sot kontrollojmë 40% të territorit të qytetit të Gazës”, tha gjeneral brigade Effie Defrin, zëdhënës i ushtrisë izraelite, duke përmendur lagjet Zeitoun dhe Sheikh Radwan. “Operacioni do të zgjerohet dhe intensifikohet në ditët në vijim”.

Ai shtoi se misioni nuk do të përfundojë derisa të kthehen pengjet e mbetura dhe të përfundojë “sundimi” i Hamasit në Gaza.

Defrin konfirmoi gjithashtu se shefi i shtabit të ushtrisë, Eyal Zamir, i tha ministrave të kabinetit se pa një plan për “ditën pas”, do të duhet të vendosin administratë ushtarake në Gaza — diçka që disa ministra të krahut të djathtë në qeverinë e Netanyahut e kërkojnë, megjithëse Netanyahu vetë e ka përjashtuar deri tani.

Izraeli ka nisur ifanzivën e re gjenocidale në qytetin e Gazës më 10 gusht, në kuadër të një plani të pretenduar për të eliminuar Hamasin nga zonat ku ka pasur luftime të ashpra në fazën e parë të luftës. Megjithatë, fushata ka nxitur kritika ndërkombëtare për krizën humanitare, dhe ka shkaktuar mosmarrëveshje të brendshme në Izrael mbi strategjinë.

“Këtë herë nuk po largohem nga shtëpia ime. Dua të vdes këtu. Nuk ka rëndësi nëse qëndroj apo iki — edhe ata që u larguan u vranë nga Izraeli, ndaj pse të largohem?” tha për Reuters Um Nader, një nënë e pesë fëmijëve nga qyteti i Gazës.

Banorët raportuan bombardime të rënda në lagjet Zeitoun, Sabra, Tuffah dhe Shejaia. Tanket izraelite u futën në pjesën lindore të Sheikh Radëan, duke shkatërruar shtëpi dhe shkaktuar zjarre në kampet e përkohshme me çadra.

Në një sulm në lagjen Tuffah, u dëmtuan pesë shtëpi, duke vrarë tetë persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë, sipas mjekëve.

“Okupatori izraelit sulmoi një grup civilësh dhe disa shtëpi në zonën Mashahra të lagjes Tuffah — një rrip zjarri që shkatërroi plotësisht katër ndërtesa,” tha Mahmoud Bassal, zëdhënës i shërbimeve të emergjencës civile në Gaza.

“Edhe kur Izraeli lëshon paralajmërime, nuk ka vende të sigurta për civilët. Nuk ka ku të shkojnë”.

Rreth 70,000 civilë thuhet se janë larguar nga qyteti i Gazës sipas ushtrisë izraelite.

Zyrtarët palestinezë thonë se më pak se gjysma e këtij numri janë larguar dhe mijëra ende ndodhen në rrugën e ofensivës izraelite.

Mbi 370 persona, përfshirë 131 fëmijë, kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza.

Shumica e qytetit të Gazës është shkatërruar që në javët e para të luftës (tetor-nëntor 2023).

Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe duke marrë 251 pengje.

Sipas autoriteteve lokale palestineze, më shumë se 63,000 palestinezë janë vrarë, shumica civilë.

Perspektivat për një armëpushim apo marrëveshje për pengjet janë të zymta.