Thonë se: kur Zoti i ndau fatet, krijuesit ia fali qiellin. Por, duket se nuk është pikërisht kështu, sepse, krijuesi është njeri, si unë, si ti, si ne… Diferencën e bën koha sa zgjat inspirimi, akti krijues, vrushkujt e etheve që përshkojnë palcën kurrizore, ikjet virtuale në planete të tjera. Me një fjalë, jeta e krijuesit i shembëllen asaj të albatrosit të Bodlerit, i cili është mbret i qiellit vetëm kur shpalon krahët. Poshtë në tokë, ndërkaq, ai shndërrohet shpesh në vdektar të rëndomtë, në krijesë të pafuqishme mbi të cilën ndërsehen këlbazat e hallkëqinjëve, në sizif që njeh gërditë e përditshmërisë uniforme dhe mjerimin e racës së vet.
Në këtë tragjikomedi të pambarimtë hyjnore krijuesi lufton me demonët e gjithllojshëm dhe, sa më lart ngjitet, aq më i madh bëhet tagri që duhet t’i paguajë pasionit dhe inatit të mediokritetit. Imazhet nga dritaret e panumërta që i hapen para syshë, më së shpeshti ia bëjnë jetën gazep, ndaj mund të thuhet se lumturia njerëzore dhe mrekullitë e jetës u takojnë të tjerëve, njerëzve të rëndomtë dhe qorrave të paprekur nga dhuntia hyjnore.
Statusi në fjalë vlen edhe për krijuesit tanë, mallkimi i të cilëve është në proporcione të pajtueshme me shkallën e popullaritetit dhe famës që gëzojnë. Kujtoni si e poshtërronin alabakët Kadarenë, më të madhin artist tonin, kolosin e prozës narrative botërore, që trazoi shpirtin e rojeve të namuzit zhdanovist, ngjalli xhelozinë e buklave letrare, ndërseu inatet e armatës mediokre, të vënë në kërkim të qimeve në vezë, të cilët e akuzuan shkrimtarin për titujt aristokratë e turbullues të librave, për shkrimet që përpuzin pushtetin dhe sistemin monist, për përmbajtjet dhe format që shmangin kodet e relizmit socialist, për talljet e pushtetit dhe pushtetarëve, për antiheronjtë e padurueshëm për letërsinë bardh-e-zi, për krijimtarinë me frymë dekadente e revizioniste…
Më tragjikja është se në krye të mësyemjeve qenë dhe disa kritikë dhe kolegë krijues të shkrimtarit “mëkatmadh”, disa masha të devotshme të mendësisë zhdanoviste, të cilët për ironi të fatit e quajtën ideator të monizmit, pavarësisht të dhënës se vepra e Tij është fund e krye antidiktaturë.
Në fakt, këlbazat që diabolizojnë kuotat shqiptare synojnë përmirësimin e gabimit të diktaturës që la gjallë e për bela artistët që prishin përjetësisht notën mesatare të pleshtave kulturorë, atyre që mund ta shesin gjoksin vetëm n’allaje liliputësh dhe mese të diskriminuara, ku shpirti shqiptar, sot e gjithë ditën, vazhdon të rritet me dozat që ia caktojnë të tjerët. Mjerisht, s’kemi ç’bëjmë për aq kohë sa jemi në planetin e leskërkulturës së Anton Harapit, ku i këtillë qe fati i krijuesit edhe në të shkuarën. Merrni dhe analizoni, qoftë edhe përciptazi, historinë e letërsisë sonë, për t’u vërtetuar se gati të gjithë emrat e shquar të saj, vdiqën të dëshpëruar dhe syhapur me djegën e kombit që s’bëhet kollaj. Më fatlumëve prej tyre nuk u dihen varret. Të tjerëve, ose nuk u dhamë “as varr për hor”, ose kur ua dhamë atë, si në rastin e Fishtës dhe Konicës, bëmë yrish t’i zhvarrosim, sipas yrnekut të kanibalëve të mesjetës, që ua hedhin qenve kufomat njerëzore…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.