Për fishekzjarrët vetëm përgjegjësi kundërvajtëse për Drin Ahmetin

Drin Ahmeti nuk do të përgjigjet penalisht për transportin fishekzajrreve. Prokuroria Themelore Publike ka njoftuar se ndaj tij do të iniciohet procedurë kundërvajtëse, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria sqaroi se ai kishte me vete shtatë pushkaliqe dhe 15 kuti me raketa dhe se një sasi e tillë nuk kërkon përgjegjësi penale, por fillimin e procedurës për kundërvajtje.

“Materiali piroteknik në fjalë që u gjet dhe sekuestrua nuk është i një sasie të madhe që mund të iniciojë ndjekje penale dhe përgjegjësi të mundshme penale, këtë e mbështet edhe fakti se Ministria e Brendshme si organ kompetent ka dërguar njoftim, dhe jo kallëzim penal në prokurori”, sqaroi Prokuroria Publike.

Lidhur me rastin është lëshuar Urdhri në MPB – Byroja për Siguri Publike – SPB Shkup, me të cilin Prokuroria ka kërkuar inicimin e procedurës për kundërvajtje ndaj Ahmetit në pajtim me dispozitat e Ligjit për mbrojtjen nga substancat shpërthyese.

“Për blerjen e fishekzjarrëve, Ahmeti ka pasur faturë nga një person juridik, biznesi i të cilit është shitja e mjeteve piroteknike. Mirëpo, ai nuk posedonte leje për bartjen e mjeteve piroteknike siç e kërkon ligji – diçka që përbën kundërvajtje dhe për të cilën është paraparë të zhvillohet procedurë kundërvajtëse nga komisioni në MPB”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kujtojmë se edhe një lëndë tjetër është në procedurë parahetimore për Drin Ahmetin. E njëjta ka të bëjë me transaksionet financiare të Ahmetit. Pas shumë muajsh hetime, një pjesë e madhe e dokumentacionit të kërkuar është siguruar dhe analizuar, ndërsa analiza e pjesës tjetër pritet të përfundojë së shpejti. Nga dokumentacioni i mbledhur deri tani, ka dalë nevoja për ndihmë juridike ndërkombëtare nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të verifikuar informacionet që mund të jenë të rëndësishme për hetimin.

Drin Ahmeti, nipi i udhëheqësit të BDI-së Ali Ahmeti, djali i vëllait të tij Fekri, vitin e kaluar u bë pronar i qendrës së biznesit “Soravia”.

Dyshohet se ai ka fituar tenderë në kurriz të xhaxhait të tij, Ali Ahmeti, mirëpo Drin Ahmeti e ka mohuar lidhjen e liderit të BDI-së me biznesin e tij.

Policia e Maqedonisë së Veriut, nga ana tjetër, në korrik, ngriti kallëzim penal ndaj nipërve të Ali Ahmetit, përkatësisht Drin Ahmetit dhe vëllait të tij, nën dyshimet për përfitime të kundërligjshme gjatë shfrytëzimit të koncesionit në Zajaz.

“Kallëzim penal ndaj 26 vjeçari D.A. dhe 34 vjeçarit B.A. nga Kërçova, për shkak ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës dhe autoritet zyrtar”, e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal”, sqaroi Policia.

Ata dyshohet se nga viti 2016 kanë përfituar materialisht në kundërshtim me Ligjin për burime minerale dhe Marrëveshjen për koncesion për shfrytëzimin e një lokaliteti në Zajaz. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar ndërmjet subjektit juridik nga Kërçova dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Ministrisë së Ekonomisë e udhëhequr atëkohë nga Kreshnik Bekteshi.