Për iletet që rrezikojnë qenësinë tonë

Historia është dëshmitare e shuarjes së qytetërimeve dhe etnive që dikur qenë epiqendrat prej ku përhapeshin idetë përparimtare gjithandej rruzullit tokësor. Të tillë qenë sumerët, majat, inkët, aztekët…, që lindën, lulëzuan dhe vdiqën, duke lënë prapa vetes trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore: piramida, objekte sakrale, qytete të fortifikuara, statuja monumentale e vepra të tjera arti, pllaka me shkrimin kuneiform, zeje dhe dije të shumë fushave, që ndihmuan përparimin e njerëzimit në shekujt e mëvonshëm.

Krahas tyre janë zhdukur dhe zhduken edhe shumë popuj të vegjël, të fjetur, të ngathtë e të vonuar, të cilët, ndryshe nga të parët që u shkrinë në magmën e tjetrit pas pushtimesh të egra, ekzodeve masive dhe fatkeqësish të mëdha natyrore  (tërmeteve, cunamëve, vërshimeve, vullkaneve, përkeqësimeve të klimës, epidemive vrasëse…), po humbin, në këste të padiktueshme, tiparet identitare për shkak të antagonizmave të brendshme dhe paaftësisë për të zgjedhur parësi të denja për të organizuar rrjedhën normale të jetës shoqërore e politike brenda kufijve të shteteve të tyre.

Mjerisht, mes etnish të tilla bëjmë pjesë, prej kohësh, edhe ne. Të paktën kështu na ka parë e na sheh një pjesë e botës, po edhe disa prej mendjeve më të ndritura të racës sonë, të cilët, lidhur me iletet kronike që na e ndalin rritën dhe e kërcënojnë qenësinë tonë, kanë dhënë diagnoza të sakta dhe shqetësuese, të vlefshme edhe sot.

Lexoni në vijim disa konstatime të parafrazuara, të shkëputura nga vepra “Problemet shqiptare” të Mehdi Frashërit (1874-1963), njërit prej njohësve më të shkëlqyer të etnopsikologjisë shqiptare, i cili flet për efektet e prapambetjes së kombit që na shpiejnë drejt zhbërjes.

  • Përparimi në rrugën e qytetërimit të sotëm është një fuqi. Kombet dhe shtetet jetojnë kur janë të fuqishëm, sepse përndryshe nuk i përfill askush. Jo vetëm nuk i përfill, por nuk i shikon as si të denjë për të jetuar si shtete të pavarura.
  • Nga mungesa e arsimit cilësor, e rrugëve, e udhëve të hekurta, nga te qenët larg popujve të qytetëruar, nga mungesa e ndjenjës patriotike dhe kuptimi i sedrës kombëtare, nga mungesa e vetëdijes dhe denjësisë për t’u sjellur si zonjë shtëpie…, kur hy njeriu në një qytet shqiptar, pa dritë natën, me rrugë të ngushta, me baltë kur bie shi, me pluhur në verë…, gjykon se ky popull nuk ka fuqitë e duhura për të jetuar në rrafshën e popujve të tjerë të qytetëruar.
  • Njeriu duhet të punojnë 8 orë ditën, 8 orë të flerë dhe 8 orë të pushojë, të kuvendojë me miq e mikesha, të shëtisë ndër vende të bukura ose në parqe, të merret me sport, të dëgjojë muzikë ose të shikojë teatër etj. Kurse tek ne sheh njerëz pa punë që rrinë dimrit në diell, verës në hije, hapin gojën e kapërsiten, kurse pleqtë heqin tespihe. Kur fjalosen me njëri-tjetrin, përveçse më huqe edhe me sha e me shpifë kundër njëri-tjetrit, nuk ka subjekt tjetër bisedimi.

Kaq duhet për të kuptuar sa pak kemi ecur përpara 100 vjet pas konstatimeve të mësipërme. Pamjet tjera i lakuriqëson ekzodi tragjik i të rinjëve, që s’do të ndodhte kurrë, po ta kishim kuptuar me kohë se: kombet dhe shtetet jetojnë vetëm kur janë të fuqishëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.