Tetova nderon kujtesën historike, do të prezantohet libri ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999’ nga autori Shkëlzen Gashi
Në ambientet e Universitetit të Tetovës, më 5 nëntor 2025 (e mërkurë), me fillim nga ora 12:00, do të mbahet përurimi i librit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të autorit Shkëlzen Gashi. Ky botim paraqet një punë të thelluar kërkimore mbi krimet e kryera ndaj popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe synon të ruajë kujtesën historike përmes dokumenteve, dëshmive dhe fakteve të pakontestueshme, shkruan Portalb.mk.
Libri “Masakrat në Kosovë 1998–1999” i autorit Shkëlzen Gashi është promovuar në shumë vende të botës, por Tetova bëhet qyteti i parë shqiptar dhe Universiteti i Tetovës institucioni i parë akademik shqiptar që organizon promovimin e këtij botimi të rëndësishëm.
Ky fakt e bën ngjarjen jo vetëm kulturore, por edhe simbolike për kujtesën historike dhe akademike shqiptare, duke e vendosur Tetovën në qendër të diskutimit shkencor mbi një nga periudhat më të dhimbshme dhe më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Autori Shkëlzen Gashi për Portalb.mk tha se historia e Kosovës është historia e qëndresës përballë mizorive, ku nga pushtimi i vitit 1912 deri te çlirimi më 1999, shqiptarët u përballën me krime të përsëritura ndaj popullsisë civile-masakra, dëbime, zhdukje e dhunë sistematike, të kryera nga forcat shtetërore serbe, lufta e viteve 1998–1999 ishte kulmi tragjik i këtij shekulli dhimbjeje, por edhe dëshmi e fundit e sakrificës për liri.
“Gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99 u shënuan shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Pati masakra, vrasje, zhdukje, përdhunime, ndalime, torturime, plaçkitje, si dhe rrëmbime, arrestime e burgosje arbitrare. Për më shumë, pati edhe dëbime të dhunshme të popullatës civile brenda dhe jashtë Kosovës, djegie e shkatërrime të shtëpive, shkollave, ambulancave, fabrikave, objekteve fetare, kulturore, monumenteve historike, si dhe vrasje të bagëtive”, tha Gashi.
Ai shton se viktimat civile e jocivile, nga të gjitha palët dhe etnitë, i kuantifikon «Libër kujtimi i Kosovës», i përpiluar pas një pune në terren nga Humanitarian Law Center (HLC), i udhëhequr nga Natasha Kandić, ky botim gjen se nga fillimi i vitit 1998 deri në fund të vitit 2000, në Kosovë janë vrarë dhe/ose zhdukë gjithsej 10,333 civilë, ndër këta, 8,692 shqiptarë, 1,196 sërbë, 151 romë, 77 ashkalinj, 37 egjiptianë, 86 boshnjakë, nëntë turq dhe 85 të përkatësive të tjera etnike, për 1620 prej këtyre ende nuk dihet asgjë.
#Kjo nuk është hera e parë në historinë e Kosovës që kryhen krime ndaj popullsisë civile. Segmenti më i rëndësishëm i kësaj historie, që shtrihet që nga pushtimi i Kosovës prej Serbisë më 1912 e deri te çlirimi më 1999, përbëhet nga krimet e kryera kundër shqiptarëve nga forcat e rregullta e të organizuara të ushtrisë dhe të policisë shtetërore serbe-jugosllave, të ndihmuara këto edhe nga forcat paraushtarake. Gjatë viteve të para të pushtimit (1912-‘13), u dëshmuan mizori të rënda kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë, në Kosovë e më gjerë. Këto krime u përsëriten fill pas Luftës së Parë Botërore, në vitet 1918-‘19, gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, si dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore (1944-‘45). I njëjti model dhune vazhdoi gjatë viteve 1946-‘66, dhe u përsërit gjatë dekadës së fundit të shekullit XX (1989-‘99)”, tha Gashi.

Gashi shtoi se ky libër lindi nga nevoja për ta dokumentuar të vërtetën, jo për ta harruar. I frymëzuar nga përpjekjet e Bosnjës për të kujtuar krimet e luftës, ka vendosur t’i identifikojë dhe t’i përmbledh në një vëllim të vetëm masakrat e kryera në Kosovë më 1998–1999 jo vetëm si fakte, por si dëshmi morale të një kohe kur njerëzimi u vu në provë dhe ndërgjegjja nuk guxon të heshtë.
“I frymëzuar nga mënyra se si Bosnje e Hercegovina i përkujton krimet e luftës (madje me punë të jashtëzakonshme e ndonjëherë të kryer edhe në baza vullnetare), vendosa që t’i identifikoj, t’i hulumtoj gjerësisht e rrënjësisht, dhe t’i përmbledh në një vëllim të vetëm, të dhënat relevante për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë nga data 28 shkurt 1998 e deri më 23 korrik 1999. Prej të gjitha shkeljeve të së drejtës humanitare ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99, zgjodha masakrat, për shkak se ato përbëjnë më të rëndën shkelje dhe për shkak se një publikim përmbledhës i tyre mungon. Evidentova kur e ku u kryen këto masakra, nga kush, pse e në çfarë rrethanash, cili ishte numri i viktimave dhe të çfarë etnie, moshe e gjinie ishin ato. Për secilën masakër, në fund evidentova nëse është gjykuar e dënuar dikush prej urdhërdhënësve dhe/ose ekzekutuesve të tyre nga gjykatat në Prishtinë, Beograd e Hagë. Lexuesi duhet ta ketë parasysh se për ta cilësuar një krim si masakër janë disa kritere që duhen plotësuar. Vrasja duhet të jetë mizore, e qëllimshme dhe e motivuar politikisht, duke synuar një numër të madh të individëve, veçanërisht të atyre që nuk janë të përfshirë në konflikt si luftëtarë dhe që nuk mund të vetëmbrohen. Për më shumë, akti duhet të jetë moralisht i papranueshëm që të kategorizohet si masakër”, tha Gashi.

Ai thotë se ky libër nuk është shkruar për të hapur plagë, por për të mos i lënë ato të harrohen. Sipas tij, Masakrat në Kosovë 1998–1999’ është homazh për çdo viktimë, pa dallim etnie a përkatësie, dhe një thirrje që drejtësia, kujtesa dhe paqja të ndërtohen mbi të vërtetën, jo mbi urrejtjen.
“Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” po botohet për disa arsye të rëndësishme. Ai synon t’u bëjë homazh të gjitha viktimave të luftës së Kosovës nga vitet 1998-‘99, pavarësisht nga përkatësia etnike, krahinore, gjuha, feja, gjinia, statusi social a orientimi politik. Libri gjithashtu nderon familjarët e viktimave të luftës dhe kontribuon në përpjekjet më të gjera për drejtësinë tranzicionale të pasluftës. Për më shumë, ai mëson të shërbejë si një burim edukativ dhe informues për brezat e ardhshëm dhe të ndihmojë në ruajtjen e kujtesës kolektive. Së fundi, libri po botohet edhe me qëllimin që të ndihmojë në formimin e një perceptimi më të saktë publik për Kosovën. Për fat të keq, deri më tani, Kosova dhe Serbia janë fokusuar vetëm në kujtimin e krimeve të kryera nga pala kundërshtare, shpesh duke i ekzagjeruar dhe duke përdorë gjuhën e urrejtjes. Kjo qasje thellon armiqësinë mes dy vendeve dhe pengon promovimin e frymës së pajtimit mes popujve. Prandaj, ky botim synon të ofrojë dëshmi të dokumentuara të një kapitulli tragjik në historinë e Kosovës, duke e inkurajuar lexuesin të avokojë për paqen dhe të punojë për ta parandaluar përsëritjen e krimeve të tilla të tmerrshme”, tha Gashi.
