Për çfarë u përplasën sot partitë politike në Maqedoninë e Veriut?
Nuk kalon ditë në Maqedoninë e Veriut ku partitë politike nuk drejtojnë akuza dhe kundërakuza ndaj njëra tjetrës. Kjo ka vazhduar edhe sot, BDI opozitare dhe VLEN nga pushteti vazhduan përplasjet në bllokun politik shqiptar, kurse LSDM dhe VMRO në atë maqedonas, raporton Portalb.mk.
BDI: VLEN është bërë sinonim i nënshtrimit, edhe Maksim Dimitrievski u jep ultimatume, ndërsa ata heshtin
BDI-ja përmes një komunikate e ka akuzuar VLEN-in për pafuqi dhe nënshtrim.
“Kur edhe Maksim Dimitrievski, një politikan që nuk ka arritur të ndërtojë peshë politike përtej retorikës nacionaliste, merr guximin t’i disiplinojë publikisht përfaqësuesit më të lartë të VLEN-it, atëherë problemi nuk është më te Dimitrievski. Problemi është te pafuqia dhe nënshtrimi i VLEN-it. Ata janë bërë aq të dobët, sa kushdo në këtë qeveri e ndien se mund t’u flasë me gjuhën e ultimatumit, pa pasur frikë se do të marrë qoftë edhe një përgjigje”, thanë nga BDI.
VLEN: Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së, e aq më pak ka të drejtë ta rrënojë
VLEN-i ka thënë se BDI-ja përsëri i është vërsulur Marrëveshjes së Ohrit, sikur ta kishte tapi të vetën.
“Partia që dikur u shpall edhe “e gjelbër”, tani pengon avancimin e njërit prej parimeve më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Për 22 vjet, BDI-ja e kishte edhe gurin, edhe arrën. Kishte ministra, deputetë dhe pushtet deri në fyt. Mund ta miratonte ligjin kur të donte, por nuk e bëri. Jo se nuk dinte. Nuk donte. Tani që Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është në tavolinë, po e njëjta BDI e bllokon. Mekanizmin e Badenterit, i cili duhet t’i mbrojë interesat e bashkësive, BDI-ja e ka shndërruar në kërbaç partiak, me të cilin godet çdo zgjidhje që nuk mban vulën e saj”, thanë nga VLEN.
LSDM: Qeveria po përgatit terrenin për pranimin e “propozimit francez”
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) akuzoi se Qeveria e udhëhequr nga Hristijan Mickoski po përgatit terrenin për pranimin e të ashtuquajturit “propozim francez” dhe se në Bruksel, Berlin dhe Paris tashmë ekzistojnë sinjale për një marrëveshje në këtë drejtim.
“Informacionet tona nga Brukseli flasin se Qeveria e Mickoskit tashmë e ka dakorduar këtë dhe këto janë sinjale të qarta që kanë ardhur nga Brukseli, Berlini dhe Parisi. Janë shteruar fjalë për fjalë të gjitha përpjekjet dhe gënjeshtrat që më herët njerëzit nga Qeveria përpiqeshin të na shisnin. E mbani mend, gjithçka filloi me një lloj zbatimi të shtyrë në kohë, pastaj me kushte të veçanta, e më pas se do të kishim, siç thoshin, marrëveshje të veçanta për ne e kështu me radhë. E fundit që dëgjuam nga Mickoski ishte se do të hynim në Bashkimin Evropian, por pa të drejtë vote. E gjithë kjo ra në ujë dhe tashmë nuk ka më hapësirë për improvizime të reja”, thanë nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Gjithçka që thotë LSDM është e kundërta e së vërtetës
Nga VMRO-DPMNE thonë se histeria në LSDM është në nivel të lartë.
“Llumi nga LSDM-ja tashmë nuk di çfarë tjetër të gënjejë. Do t’ju kujtoj, për vite me radhë gënjyen se do të falimentonim në vitin 2024, në vitin 2025. Ja, tani jemi në vitin 2026. Nuk falimentuam. Por gënjejnë se do të falimentojmë edhe këtë vit. Gënjyen edhe për raportin e eurodeputetit Tomas Vajc. Gënjyen, ndërsa sot dëgjojmë edhe se ne do ta pranojmë atë propozim francez. Ne në Kuvend kemi shumicë prej dy të tretash. Nëse do të donim ta bënim këtë, do ta kishim bërë. Nuk do të prisnim një periudhë kaq të gjatë”, thanë nga VMRO-DPMNE.
Derisa partitë vazhdimisht grinden, vendi mbetet i bllokuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.