Ministria e Energjetikës: Nivelet e ulëta të ujërave në Evropë nuk e rrezikojnë prodhimin e energjisë elektrike te ne

Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale thotë se gjendja me prodhimin e energjisë elektrike në vend është stabile dhe se aktualisht nuk ka indikacione që nivelet e ulëta të ujërave në Evropë paraqesin rrezik për sigurinë e prodhimit vendor, transmeton Portalb.mk.

Nga atje shtojnë se së bashku me SHA Elektranat e Maqedonisë së Veriut dhe MEPSO-n rregullisht i ndjekin parametrat hidrologjikë, rezervat në dispozicion dhe parashikimet, me qëllim që të ndërmerren në kohë të gjitha masat e nevojshme nëse kushtet ndryshojnë.

“Gjendja me akumulimet aktualisht është stabile dhe mundëson menaxhim të sigurt të hidro-potencialit vendor. Akumulimet vendore menaxhohen me kujdes dhe në përputhje me planet operative, gjë që mundëson prodhim të sigurt të energjisë elektrike dhe funksionim stabil të sistemit elektroenergjetik”, thonë nga Ministria e Energjetikës.

Kujtojmë se niveli rekord i ulët i ujit në lumenjtë më të mëdhenj evropianë ka kufizuar transportin e mallrave, ka ulur prodhimin e energjisë elektrike dhe ka zvogëluar të ardhurat e kompanive, duke nxitur frikën për pasojat ekonomike nga temperaturat ekstreme dhe reshjet e paqëndrueshme. Javën e kaluar, niveli i ujit të Danubit ra në nivelin më të ulët në 30 vitet e fundit në disa vende.