Pendarovski takoi ambasadorin Gir, u bisedua për qeverinë teknike dhe zgjedhjet

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ambasadorin David Geer. Në takim u bisedua për zhvillimet politike në vend pas formimit të qeverisë kalimtare dhe procesin zgjedhor, si dhe për mundësitë për progres në drejtim të aspiratave evropiane të vendit, transmeton Portalb.mk.

Duke riafirmuar integrimin evropian si synim strategjik i shtetit, presidenti Pendarovski theksoi nevojën për të mbajtur fokusin në reforma nga të gjitha palët e interesuara në shoqërinë maqedonase, pas përfundimit të suksesshëm të procesit të skriningut.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për perspektivat për vazhdimin e mëtejshëm të procesit negociator, çështjet që pritet të jenë më të rëndësishmet në negociata, si dhe për përfitimet konkrete të procesit. Në këtë kontekst, u theksua se progresi në integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian do të ndikojë pozitivisht në bashkëpunimin rajonal, stabilitetin dhe përparimin e rajonit.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me 24 prill (e mërkurë), ndërsa raundi i dytë do të mbahet me 8 maj (e mërkurë) së bashku me zgjedhjet parlamentare.