Gaza, është rritur në 27.708 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

Me 123 të vrarë të regjistruar në 24 orët e fundit, është rritur në 27.708 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet që Izraeli po kryen që nga 7 tetori 2023 e deri më tani në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një deklarate me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza informohet lidhur me sulmet që ushtria izraelite vazhdon prej 124 ditësh kundër Rripit të Gazës.

Në deklaratën ku vihet në dukje se Izraeli në ditën e fundit ka kryer “14 masakra” kundër civilëve palestinezë në Rripin e Gazës, thuhet se 123 palestinezë janë vrarë dhe 169 të tjerë janë plagosur në sulmet që Izraeli ka kryer në 24 orët e fundit.

Ndër të tjera në deklaratë tërhiqet vëmendja se nën rrënoja dhe në anë të rrugëve ka ende kufoma të të vrarëve dhe se ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat për shkak se pengohen nga forcat izraelite.

Sipas deklaratës, në sulmet izraelite të cilat vazhdojnë që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, numri i palestinezëve të vrarë është rritur në 27.708, ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 67.147.