Pendarovski në garë për mandat të dytë për president: Pres vota nga të gjitha bashkësitë etnike

Presidenti aktual Stevo Pendarovski në konferencë për shtyp njoftoi se do të kandidojë për mandat të dytë. Ai tha se i fton të gjithë qytetarët nga 3 marsi, t’i japin mbështetje me nënshkrime në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, njofton Portalb.mk.

“Mbështetjen e mora nga qytetarët, një pjesë prej tyre personalitete publike, profesorë universitarë, punëtorë kulturorë, njerëz të cilët më njohin dhe një numër i madh i qytetarëve të cilët personalisht nuk më njohin. E shfrytëzoj mundësinë t’i falënderoj për besimin që e kanë ndaj meje”, tha Pendarovski.

Më 3 mars, të dielën, pret që LSDM ta formalizojë mbështetjen për kandidaturën e tij, ndërkaq menjëherë më pas të hënën ta bëjnë edhe partitë tjera më të vogla.

“Të dielën do të marr pjesë në kongresin e LSDM-së që t’i falënderoj për mbështetjen, ndërkaq të hënën do të kem takime me dhjetëra parti nga koalicioni, të cilët kanë paralajmëruar se do ta mbështesin kandidaturën time, prej të cilëve dëshiroj të dëgjoj propozime, të cilat mund t’i vendos në programin tim zgjedhor”, tha Pendarovski.

Ai tha se mandatin e ka kaluar pa gabime strategjike, afera korruptive dhe asnjë rast të nepotizmit apo konfliktit të interesit me të, familjarët apo miqtë e tij.

Si arsye të dytë theksoi aspektin ndëretnik, ku siç tha “nuk ka ndodhur asnjë rast ku në 5 vitet e kaluara nuk ka ndodhur që për shkak të përkatësisë time etnike të favorizoj ose degradoj dikë”.

“Në shtetin tonë nuk ekziston njeri ose parti që mund të thotë se më kontrollon ose dirigjon në vendimet e mia”, tha Pendarovski për arsyen e tretë të kandidimit të tij.

Në pyetje gazetareske nëse i pret votat e shqiptarëve, nëse hyn në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, Pendarovski tha se i pret votat e të gjitha komuniteteve etnike, siç ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2014-të kur nuk ka pasur marrëveshje politike me partitë shqiptare.

“Në vitin 2014 në kulmin e autokracisë së Gruevskit, në kohën kur BDI në Qeveri me VMRO-DPMNE-në kishte qëndrim se nuk ka kandidat konsensual, unë kisha 35.000 vota nga shqiptarët. Pra, edhe pa marrëveshje politike nga cilado parti ka qytetarë të komuniteteve të ndryshme etnike të cilët më kanë votuar dhe shpresoj që do të më votojnë. Më ndryshe edhe nuk mund ta paramendoj rolin e presidentit për të gjithë. Për atë, për të fituar në këto zgjedhje duhet të mbështeteni edhe përmes linjave politike, por edhe etnike. Praktikisht do të fitoni mbështetje më të gjerë qytetare, që është koncepti im që nga dita e parë”, tha Pendarovksi.

Ndryshe, prej gjithsej 11 kandidatëve, deri tani edhe kandidatët Bujar Osmani nga BDI-ja, Arben Taravari dhe Maksim Dimitrievski kanë arritur të sigurojnë nënshkrimet.

Zgjedhje të dyfishta

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vijojë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare.