RMV, u mbajt protesta e kishës kundër ligjit të gjinisë me pamje pro-ruse

Nën moton “Kemi detyrë”, Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) sot mbajti tubimin e paralajmëruar gjithëpopullor në shenjë proteste kundër projektligjeve për barazi gjinore dhe për të dhënat e lindjes, të cilat thotë se janë një kërcënim serioz për shoqërinë, transmeton Portalb.mk.

Organizatorët kërkuan tërheqjen e dy ligjeve nga procedura parlamentare të cilat, siç thonë, janë kërcënim serioz për shoqërinë dhe familjen.

Në protestë morën pjesë rreth 4 mijë persona dhe e njëjta kaloi në atmosferë të qetë.

Edhe përkrah asaj që pjesa më e madhe e protestuesve ishin besimtarë të KOM-it, vërehej qartë nota politike e tubimit, të cilën e krijuan disa grupacione. Ishte e dukshme prezenca e anëtarëve të partisë proruse “Rodnina” me bluza të partisë dhe pankarta. Më pas, anëtari i VMRO – DPMNE-së, Zoran Jovanovski me bashkëluftëtarët e tij doli në protestë me flamuj rusë, ndërsa prezent ishin edhe dhjetëra pjesëtarë të “Ujqve të natës”.

Në protest i pari mbajti fjalim kryepeshkopi Stefan, i cili bëri thirrje “t’i thuhet “po” jetës dhe të theksohet shenjëtëria e familjes, e formuar nga një mashkull dhe një grua”.

“Kur themi diçka me qëllimin më të mirë dhe me dashuri, pa imponime, tentojnë të na heshtin me ndryshimin e tezave për karakterin sekular, përkatësisht botëror të shtetit, çdoherë sikur rregull, duke interpretuar sekularitetin në kundërshtim me Kushtetutës, ndërsa në të cilin kisha dhe bashkësitë e tjera fetare në të, kanë vendin e tyre dhe të drejta të garantuara”, tha kreu i KOM-it.

Në protestë mori fjalën edhe akademikja Katica Qulafkova, e cila tha se “përralla simpatike për barazi të grave”, me kalimin e kohës po shndërrohet në të dretja të individëve transgjinor dhe se ajo është diçka që fshihet pas ligjit për barazi gjinore.

“Historia nuk është navie. Ajo krijon konfuzion mes termeve gjini dhe seks. Mes orientimit transseksual dhe transgjinor. Edhe në vet ligjin për barazi gjinore përzihen termet për seks dhe gjini, për çka ligji parimisht nuk mund të jetë konzistent dhe i qëndrueshëm”, tha Qulafkova.

Sipas saj, transgjinia, gjykuar nga retorika në rrjetet sociale, lexohet në mënyrë tendencioze, si kontestim i lirisë së shprehjes seksuale.

“Historia transgjimore relativizon identitetin deri në atë shkallë sa e shfuqizon. Ajo krijon mite të dyshimta urbane, ajo i keqpërdor identitetin gjinor dhe të drejtën e privatësisë së fëmijëve dhe të rinjëve. Pse të bëhet paradë me intimitetin, pse duhet të hidhet krip në plagën e familjeve në të cilat zhvillohet dramë me ndryshimin e gjinisë?”, tha Qulafkova.

 

Zyrtarët e Kishës Ortodokse Maqedonase vlerësojnë se “draft-ligjet për barazi gjinore paraqesin kërcënim serioz për shoqërinë pasi ato janë në kundërshtim me “vlerat familjare” dhe përkufizimin e gjinisë biologjike.

Drejtuesit e Kishës thanë se “ndryshimet mund të plotësojnë kërkesat e një grupi të caktuar, por në anën tjetër shkelin të drejtat e 99 për qind të qytetarëve”.

Duke paralajmëruar tubimin, peshkopi Jakov Stobiski, i cili këto ditë ka qenë në sy të publikut me deklaratat e tij për transgjinorët dhe popullatën LGBTI, në një konferencë për media deklaroi se protesta nuk është e drejtuar kundër pjesëtarëve të komunitetit LGBTI, por ekskluzivisht kundër përmbajtjes së dy ligjeve, miratimi i të cilave, siç thotë ai, do të kërcënonte seriozisht të drejtat e 99 për qind të popullsisë së vendit.

Në prag të tubimit të sotëm, peshkopi Dremvitski David shkroi mbrëmë në blogun e tij se është i vetëdijshëm për faktin se shteti është laik dhe se kisha nuk ka të drejtë të sjellë ligje në Kuvend, por ndryshe nga shteti, siç tha ai, kisha ka rregullat e veta të brendshme.

Prandaj, thotë peshkopi, do të duhet të shënohen me kujdes emrat e deputetëve që mund të mbështesin projektligjet për barazinë gjinore dhe regjistrimin civil dhe më pas, siç shton ai, nëse do, kisha mund të vendosë që ata deputetë duhet të privohen nga pagëzimet, dasmat, funeralet dhe të gjitha shërbimet e tjera fetare.

Nga ana tjetër, Platforma për Barazi Gjinore dhe Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi dënuan thirrjen për protestë të KOM-AO, qëllimi i vetëm i së cilës, thonë ata, është të bëjë presion publik për tërheqjen e dy projektligjeve, duke e vlerësuar si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në laicitetin e shtetit dhe mosrespektim të Kushtetutës dhe mbi të gjitha të grave në vend dhe mosnjohje të situatave të tyre reale.

Ndryshe, drejtori i Agjencisë së Inteligjencës, Erold Musliu, paralajmëroi pak ditë më parë se vendi do të jetë cak i propagandës dezinformative për ndryshimet kushtetuese, çështjen kishtare dhe zgjedhjet e vitit 2024. Ai shtoi se në vend aktualisht po zhvillohet një operacion klasik i kontrollit refleksiv përmes një fushate dezinformuese lidhur me procesin e pranimit të Kishës Ortodokse Maqedonase në Kryedioqezën e Ohrit.