Pendarovski i ka marrë ligjet për Bechtel dhe Enka, do t’i shqyrtojë ditëve të ardhshme
Një ditë pas votimit në Kuvend, kryeministri Kovaçevski pret që Pendarovski t’i nënshkruajë ligjet sepse sipas tij, ato kanë qenë të dobishme për qytetarët. Kovaçevski përsëriti se bëhet fjalë për ligje që nevojiten jo vetëm për ndërtimin e projektit me Bechtel dhe Enka, por edhe për harmonizimin e legjislacionit të Maqedonisë për realizim më të shpejtë të projekteve infrastrukturore, njofton Portalb.mk.
Nga kabineti i Presidentit konfirmuan se ligjet për Bechtel dhe Enka tashmë kanë mbërritur dhe në ditët në vijim do të shqyrtohen, pas së cilës do të vendoset nëse do të nënshkruhen dekretet.
“Dje pasdite kanë mbërritur ligjet në kabinetin e Presidentit. Në ditët në vijim do të shqyrtohen nga Presidenti dhe do të vendoset nëse dhe cilët dekrete do të nënshkruhen. Duke qenë se ka shumë ligje, do të duhen disa ditë që Presidenti t’i shqyrtojë ato me ekipin e tij”, thonë nga zyra e Pendarovskit.
Pesë ligjet për ndërtimin e autostradave, pas tre javësh diskutim dhe një sërë akuzash nga partitë opozitare për keqpërdorime të procedurave, u votuan me 62 vota pro dhe megjithëse pjesë e koalicionit qeverisës, deputetët Moraçanin dhe Balkovski, si dhe grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, nuk e mbështetën .
Procedura në të cilën janë dorëzuar ligjet me flamurin evropian është kritikuar edhe nga delegacioni i BE-së në vend. Faza tjetër para se ligjet të publikohen zyrtarisht në gazetën zyrtare është nënshkrimi i presidentit Pendarovski, i cili paralajmëroi se do të sjellë vendim pasi të shohë versionet përfundimtare.
Dje, me 60 vota “për” dhe 43 “kundër” u miratua Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Marrëdhënie Pune, me 62 vota “për” dhe 43 “kundër” u miratua Ligji për Eksproprijim, me 63 vota “për” dhe 43 “kundër” u miratua Ligji për Ndërtim, me 62 vota “për” dhe 44 “kundër” u miratua Ligji për Planifikim Urbanistik, me 63 “për” Ligji për Konstatimin e Interesit Publik dhe nominimin e Partnerit Strategjik për Zbatimin e Projektit për Ndërtim Infrastrukturor Korridori 8 (sekcioni Tetovë – Gostivar – Bukoçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridori 10D (sekcioni i autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të gjitha me procedurë të shkurtuar.
Përdorimi i flamurit evropian për këto amendamente të propozuara ka qenë në qendër të debatit publik dhe thirrjeve të emrave të partive për periudhën e kaluar. Qeveria vendosi të përdorë këtë instrument për të shmangur ndonjë bllokadë dhe opozita nga ana tjetër akuzon se vendi i flamurit evropian nuk është për këto ndryshime ligjore.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në vend ishte ndër të parët që reagoi për përdorimin e flamurit evropian, duke theksuar se ndryshimet e propozuara nuk janë në drejtim të harmonizimit të legjislacionit vendas me legjislacionin e BE-së dhe standardet e Unionit, raste për të cilat ky instrument duhet të përdoret në Kuvend.
Paraprakisht u nënshkrua Aneksi i Vendimit të Komisionit Evropian për mirëkuptim të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për hartat indikative të rrjetit të transportit trans-evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Me nënshkrimin e këtij dokumenti, Korridori 8 bëhet pjesë e hartës së korridoreve kryesore të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të zgjerimit të rrjeteve trans-evropiane të transportit të Bashkimit Evropian. Kjo vjen pasi BE-ja pranoi kërkesën e Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Italisë dhe Shqipërisë që Korridori 8 të hyjë në rrjetin e korridoreve kryesore në rajon dhe në Evropë.
Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.
Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.
Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.
Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.
Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.
- LEXO: Kuvendi i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D
- LEXO: Nuk kemi autostradë, por në Korridorin 8 kemi më shumë automjete se në Korridorin 10 (infografik)
- LEXO: Shqetësuese është shfrytëzimi i flamurit evropian kur nuk është në përputhje me rregullativën evropiane, deklaroi Gir
- LEXO: NPRRSH: Janë paguar 117 milionë euro për Korridorin 8 dhe 10d, punimet mbarojnë në dhjetor të vitit 2027