Pedagogët e UT-së të Fakultetit të Arteve, në Shkup sollën ekspozitën “30 vjet Art dhe Art”
Mbrëmë në Galerinë Çifte Hamam në Shkup, u hap ekspozita e mësimdhënësve të Fakultetit të Arteve, kuruar nga Jelldez Asani, njofton Portalb.mk.
Ekspozita me titull “30 vjet Art dhe Art”, u organizua me rastin e 30 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës. Mësimdhënësit u prezentuan me vepra të krijuara në mediume të ndryshme, si skulpturë, pikturë, grafikë, qeramikë dhe grafikë digjitale.
Kuratorja e ekspozitës Jelldez Asani për Portalb.mk tha se çdo pjesmarrës u prezentua me nga dy punime artistike të fushave të ndryshme.
Organizimi i kësaj ekspozite është menduar si një akt mbështetjeje në shënimin e këtij përvjetori jubilar, por gjithashtu si një mundësi për të shpalosur zhvillimin dhe arritjet e tyre artistike.
“Veprat brenda mureve të Galerisë “Çifte Hamam” reflektojnë një manifestim të jetës, përpjekjeve njerëzore dhe evolucionit të artit dhe krijimtarisë. Kjo hapësirë shërben si një platformë për artistët që shprehin emocionet dhe ide të ndryshme, duke e pasuruar përvojën estetike dhe duke kontribuar në dialogun kulturor që tejkalon kufijtë e zakonshëm të artit”, tha Jelldez Asani.
Asani shtoi se kjo ekspozitë është një thirrje për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë.
“Ekspozita është një rezultat i dinamizmit të krijimtarisë, pasioneve që lidhen me identitetin kulturor dhe artistik, dhe një thirrje për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë. Kjo festë është gjithashtu një moment për të theksuar angazhimin ndaj misionit dhe vizionit të universitetit, duke u siguruar që traditat dhe vlerat që e kanë bërë atë të veçantë të mbeten të gjalla në zemrat dhe mendjet e studentëve dhe stafit për breza të tërë”, tha Asani.
Pjesë të kësaj ekspozitë ishin 21 pedagog të cilët paraqitën punën e tyre para një publikut të gjerë.
Ekspozita u mbështetet nga Ministria e Kulturës së RMV.
