Mbrëmë në Tetovë u hap ekspozita kolektive “Ngjyrat e Lirisë”

Me rastin e festave të Nëntorit, Galeria e Arteve, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, mbrëmë sollën ekspozitën kolektive “Ngjyrat e Lirisë”, ku ishin të ftuar të gjithë artistët për të ekspozuar veprat e tyre, raporton Portalb.mk.

Ekspozita kolektive “Ngjyrat e Lirisë! Nëntori Shqiptarë!”, prezantoi veprat e 28 artistëve nga Tetova dhe më gjerë. Kjo ngjarje artistike, e organizuar për herë të parë në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, është pjesë e manifestimit kulturor “Nëntori në Tetovë”, i cili i kushtohet festave të nëntorit.

Pikturat janë të punuara në teknikat: pikturat vaj në pëlhurë, akril dhe teknikë të kombinuar, grafikat akuatinte dhe teknik e kombinuar, fotografi digjitale dhe mozaiku portreti i dëshmorit Mujdin Aliu.

Nazmi Dauti, si përgjegjës i sektorit për arsim në Komunën e Tetovës, nënvizoi rëndësinë e artistëve në promovimin e kulturës dhe edukimit në komunitet.

“Artistët jo vetëm që kontribuojnë në zhvillimin kulturor, por gjithashtu luajnë një rol thelbësor në edukimin e brezave të rinj, duke ndihmuar ata të kuptojnë vlerat e diversitetit dhe krijimtarisë”, tha Nazmi Dauti.

Dauti përshëndeti nismën e bashkëpunimit mes I.N. Galeria e Arteve në Tetovë dhe Komunës së Tetovës, duke theksuar se do të vazhdojnë të mbështesin aktivitete të tilla edhe në të ardhmen.

Pamja nga hapja e ekspozitës @Ngjyrat e Lirisë, nga drejtoresha Arbenita Meta
Pamja nga hapja e ekspozitës @Ngjyrat e Lirisë, nga drejtoresha Arbenita Meta

Drejtoresha e I.N. Galeria e Arteve Tetovë, Arbenita Meta, gjatë fjalës së saj në hapjen e ekspozitës kolektive “Ngjyrat e Lirisë, Nëntori Shqiptar!”, theksoi se kjo ekspozitë përfaqëson një ndërthurje të jashtëzakonshme të krijimtarisë artistike dhe shpirtit kombëtar.

Ajo nënvizoi se Festat e Nëntorit, me peshën e tyre historike dhe emocionale, janë momente reflektimi mbi vlerat, sakrificat dhe arritjet kombëtare, ndërsa arti shërben si një urë lidhëse mes të kaluarës dhe të tashmes, duke frymëzuar të ardhmen.

“Veprat që shohim sonte reflektojnë jo vetëm bukurinë e natyrës dhe jetës, por edhe përkushtimin e artistëve për të ruajtur dhe pasuruar identitetin tonë kombëtar nga një perspektivë bashkëkohore,” tha Meta.

Përmes pikturave, grafikave, mozaikëve dhe fotografisë digjitale, artistët pjesëmarrës pasqyrojnë pasionin e tyre për artin si forcë që lartëson shpirtin dhe ndihmon në ndërtimin e urave mes kulturave dhe brezave.

Për të gjithë artëdashësit ekspozita do të qëndroj e hapur 5 ditë për vizitorët.

Pamja nga hapja e ekspozitës @Ngjyrat e Lirisë, nga drejtoresha Arbenita Meta
Pamja nga hapja e ekspozitës @Ngjyrat e Lirisë, nga drejtoresha Arbenita Meta