ANALIZË: Miliona euro të ngrira nëpër ministri, shpenzimet kapitale nuk arrijnë as gjysmën e planit vjetor

Shtatë ministri deri në fund të gushtit kanë arritur të shpenzojnë më shumë se gjysmën e mjeteve për investime publike. Ka ministri që për tetë muaj nuk kanë arritur të realizojnë as 20% të planit vjetor. Ministria e Transportit dhe Ministria e Administratës Publike kanë përqindjen më të lartë të realizimit të shpenzimeve kapitale, shkruan Portalb.mk.

“Renditja” sipas shkallës së realizimit të investimeve publike

Pjesa më e madhe e ministrive për tetë muaj nuk kanë arritur të shpenzojnë as gjysmën e mjeteve vjetore për investime publike – tregojnë të dhënat e reja të Ministrisë së Financave. “Portalb”-i i rendit ministritë sipas shkallës së realizimit të shpenzimeve kapitale.

Ministria e Financave – funksionet e shtetit, përmes së cilës kanalizohen shuma milionëshe për projekte në nivel qendror dhe lokal, deri në fund të gushtit, për shpenzime kapitale ka shpenzuar vetëm 9.526.000 euro, që përbën vetëm 17,72% të planit vjetor.  Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Ministria e Mjedisit Jetësor, me realizim të shpenzimeve kapitale në nivel prej 33,22%, duke lënë të pashfrytëzuara madje 68.519.000 euro, dhe Ministria e Shëndetësisë, me realizim prej 35,37%, me ç’rast për katër muajt e ardhshëm mbeten pothuajse 7.790.000 euro.

Ministria e Mbrojtjes, e cila bën pjesë në grupin e ministrive që kanë buxhet më të lartë se 100 milionë euro, për tetë muaj ka realizuar vetëm 35,41%, me ç’rast për shfrytëzim mbeten edhe 53.000.000 euro

Infografik nga Portalb.mk

Ka një grup ministrish që disponojnë me buxhete më të larta zhvillimore, ndërsa për tetë muaj kanë realizuar shpenzime kapitale në nivel prej rreth 40% ose më pak. Ministria e Arsimit deri në fund të gushtit ka arritur të realizojë 40,41% të planit vjetor të investimeve, me ç’rast mbeten të pashfrytëzuara më shumë se gjysma e mjeteve, ose pothuajse 25.200.000 euro. Ministria e Bujqësisë për tetë muaj, për investime kapitale, ka shpenzuar 46,61% të planit vjetor. Ministria e Ekonomisë dhe Punës, edhe pse disponon me një shumë të parëndësishme për shpenzime kapitale, për tetë muaj ka shfrytëzuar vetëm 42,51% të shumës, ndërsa realizimi i investimeve publike në Ministrinë e Sportit arrin në 47,98%, me ç’rast deri në fund të vitit duhet të shpenzojë edhe 4.605.200 euro.

Disa ministri kanë realizim nën 20%, edhe atë Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, edhe pse disponon me një shumë të ulët për shpenzime kapitale, për tetë muaj ka shpenzuar vetëm 4,86% të mjeteve, realizimi në Ministrinë e Kulturës arrin në 31,5%, ndërsa në Ministrinë e Punëve të Jashtme në 19,73%. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Ministria e Drejtësisë, me realizim prej 15,93%, dhe Ministria e Financave, me realizim të planit vjetor prej vetëm 8,7%.

Mbi 50% realizim të investimeve publike kanë disa ministri, ndërsa prin Ministria e Transportit, me realizim prej 80,64%, Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, me 61,44%, ndërsa MPB-ja, e cila disponon me një buxhet më të lartë zhvillimor, ka realizuar 65,16%.  Më shumë se gjysmën e planit vjetor për investime publike e kanë realizuar edhe Ministria e Energjetikës, me 55,03%, Ministria e Transformimit Digjital, me 54,74%, Ministria e Administratës Publike, me 73,65%, ndërsa Ministria e Politikës Sociale, e cila disponon me një shumë më të lartë për shpenzime kapitale, për tetë muaj ka realizuar 56,04%.

Në fund të gushtit, realizimi i përgjithshëm i shpenzimeve kapitale arrin në 49,23%, me ç’rast deri në fund të vitit mbeten për t’u shfrytëzuar edhe 378.244.777 euro.