Gjykata e Tetovës “pa zë”, ankohen gazetarët

Në Gjykatën Themelore të Tetovës gazetarët ankohen se në seanca gjyqësore nuk dëgjojnë mirë folësit pasi nuk ka pajisje funksionale për zërim në altoparlantë. Kjo përbën problem për to pasi kur ndjekin seanca të interesit publik dhe shpesh herë ajo çfarë thuhet në seancë nuk arrihet të kuptohet mirë deri në fund. Gazetarët kërkojnë që kjo të rregullohet, shkruan Portalb.mk.

Në një nga sallat kryesore ku gazetarët e rajonit të Tetovës ndjekin seanca gjyqësore, ajo çfarë thuhet nga prokurorët, gjykatësit, avokatët, dëshmitarët por edhe të akuzuarit, jo gjithmonë dëgjohet e gjitha dhe kuptohet mirë. Edhe pse aty ka të vendosura mikrofona dhe altoparlantë, të njëjtat nuk janë funksionale për këtë qëllim.

Në një seancë, gazetarët reaguan duke kërkuar që të flitet me zë më të lartë pasi nuk arrijnë të kuptojnë mirë çfarë thuhet. Madje duke kërkuar që të lëshohen në funksion altoparlantët. Por nga gjykata u tha se këto janë kushtet.

Gazetari nga Tetova i TV21, Senat Zylbeari për Portalb.mk thotë se mospasja e zërimit në seanca gjyqësore është problem për mediumet por edhe palët, pasi gazetarët nga mosdëgjimi i palëve edhe mund të përcjellin informacion të gabuar dhe dezinformata.

“Por, edhe mund të përballen me padi penale për shpifje. Mendoj se gjykata këtë çështje duhet ta zgjidh edhe ta marrë me seriozitet më të madh”, tha Zylbeari.

Nga ana tjetër, gazetari nga portali informativ Tetovoinfo, Aleksandar Samarxhiev thekson se Gjykata në Tetovë duhet të sigurojë më shumë kushte për punën e gazetarëve, përfshirë zërimin.

“Kjo vlen veçanërisht për pajisjet audio, gjegjësisht duhet të ketë mikrofona dhe altoparlantë që të dëgjohet njësoj në sallën e gjyqit. Kjo do të shmangë situatat në të cilat gazetarët ose nuk do të dëgjojnë mirë ose nuk do të dëgjojnë fare atë që thuhet në proceset gjyqësore. Në gjykatë duhet të ketë komunikim më të shpeshtë ndërmjet shërbimit të marrëdhënieve me publikun dhe gazetarëve, ndërsa në sallën e gjyqit duhet të ketë kushte të tjera si tavolina për gazetarët apo vende të caktuara për të punuar“, tha Samarxhiev për Portalb.mk.

Nga Gjykata Themelore e Tetovës për këtë problem theksojnë se zërim ka, por i njëjti është për incizimin e seancave.

“Pas kontrollit të bërë, ju njoftojmë se Gjykata Themelore Tetovë posedon audio incizim – incizim me zë i cili është i lidhur me sistemin AKMIS ku sipas zgjedhjes së avokatit seanca incizohet, gjegjësisht ka mundësi për incizim me zë.”

Megjithatë, kjo nuk ishte ajo që kërkuam. Dorëzuam përsëri pyetje shtesë dhe sqarime se pse nuk vihen në funksion altoparlantët dhe mikrofonat që folësit në seanca të dëgjohen më mirë, sepse gazetarët kanë ankesa se nuk dëgjohet mirë kur flitet në seanca gjyqësore kur ka shumë të pranishëm.

Për këtë, nga gjykata deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Ndryshe, thirrëm disa herë numrin celular dhe atë fiks të zëdhënësve të Gjykatës së Tetovës (të vendosur në ueb-faqe), por numrat ishin jashtë rrjetit, të pakapshëm.